Popullariteti i partive të majta në mbarë botën është në nivelin më të ulët historik shkruan gazeta britanike “The Telegraph”.
Sipas një sondazhi të publikuar në gazetën britanike që krahason të dhënat statistikore dhe rezultatet e zgjedhjeve në 73 vende të botës, arrihet në përfundimin se fraksionet e krahut të majtë janë sot më të papëlqyeshëm se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Ftohtë (1947-1991).
Analiza vjen pas një viti triumfesh elektorale për konservatorët në mbarë botën, që kulmuan nga zgjedhja e Donald Trump për president të SHBA.
Primatin e kanë partitë pranë së djathtës, pasi për to kanë votuar mbi 1.5 miliardë njerëz në mbi 70 vende deri në vitin 2024. Partitë e krahut të majtë pësuan një rënie rekord të mesatares së votave me vetëm 45.4% në zgjedhjet e fundit të secilës Republikë të analizuar nga “The Telegraph” në 73 vende demokratike.
Në Evropën Perëndimore dhe SHBA, partitë e krahut të majtë siguruan vetëm 42.3% të votave, ndërsa e djathta mori 55.7%, duke arritur diferencën më të madhe në përqindjen e votave që nga viti 1990. Edhe e djathta ekstreme arriti një përqindje rekord votash prej 14.7%, falë performancës… alarmante në zgjedhjet nga Franca deri në Panama.
Rënia e së majtës ndihet edhe në Amerikën Latine, një bastion i socializmit pas viteve të diktaturave të dhunshme fashiste. Pas inaugurimit të Donald Trump, në horizontin politik pritet të ketë disfata të reja për të majtën në Kanada, Australi dhe Gjermani, ekonomia më e madhe e BE-së.
Çfarë thonë analistët?
“Tendenca e së djathtës është në rritje. Nuk ka asnjë arsye bindëse se kjo tendencë do të ndalet së shpejti”, – tha për “The Telegraph” profesor Matthijs Rooduijn, shkencëtar politik nga Universiteti i Amsterdamit.
Ndërsa Jeremy Cliffe, drejtor editorial dhe bashkëpunëtor për politikën në institutin e mendimit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se zhvendosja globale drejt së djathtës është rezultat i tre tendencave të ndërlidhura: “Rënia e punës së organizuar e nxitur nga globalizimi, forcimi i politikave identitare e cila shfrytëzohet më me sukses nga e djathta sesa nga e majta dhe tendenca e përgjithshme e forcave të së majtës që më së shumti fragmentohen sesa bashkohen”.
Në SHBA, Trump fitoi votën popullore në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, duke marrë 77 milionë vota ndaj 75 milionë votave të demokrates Kamala Harris. Në Kanada, sondazhet tregojnë se Pierre Poillievre, një politikan populist me nofkën “Trumpi i Kanadasë”, është favoriti për të zëvendësuar Justin Trudeau si kryeministër. Në Australi, konservatorët kanë kaluar përpara qeverisë laburiste në sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve që do të mbahen në vitin 2025.
Panorama e Evropës
Në të njëjtën kohë, partitë e djathta në Europë “thelluan” një diferencë thuajse historike nga kundërshtarët e tyre të majtë, që shkon pranë 14%, në garat e fundit elektorale në Kontinentin e Vjetër. Fitorja gjithëpërfshirëse e Laburistëve në Britaninë e Madhe ishte i vetmi ngushëllim për të majtën. Megjithatë, buzëqeshja nuk pritet të zgjasë shumë, pasi sondazhi i parë i YouGov/Times pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2024-ës tregoi një garë kokë e kokë midis Laburistëve (26%) dhe Reformistëve (25%). Partia Konservatore ka zbritur në vendin e tretë me 22%.
Në Evropën Perëndimore, e djathta ekstreme bëri një përparim, duke shënuar një përqindje mesatare rekord votash prej 16.9% në Francë, Austri, Gjermani dhe gjetkë. Votuesit në të gjithë BE-në u dhanë fitore partive të qendrës së djathtë në zgjedhjet evropiane të qershorit të kaluar, por ekstremet e Alternativës për Gjermaninë (AfD), Fronti Kombëtar i Francës dhe Partia e Lirisë së Austrisë arritën rezultate të mira.
Në Francë, vendimi i Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhje të parakohshme pasi Fronti Kombëtar i Marine Le Pen fitoi zgjedhjet evropiane të vendit, ka futur në rrëmujë politikën franceze dhe e ka bërë vetë Macron të pafuqishëm. Fronti Kombëtar u pengua të merrte pushtetin falë koalicionit të të gjitha partive të majta. Por partia e Le Pen është më e madhja në parlamentin francez dhe rrëzoi qeverinë e pakicës së Barnier në vetëm tre muaj.
Në Austri, Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë pro-Putin fitoi zgjedhjet parlamentare për herë të parë dhe tani pritet të formojë një qeveri koalicioni. Në Gjermani, CDU konservatore pritet të fitojë zgjedhjet parlamentare të shkurtit të ardhshëm. AfD e ekstremit të djathtë është në vend të dytë, përpara Partisë Social Demokratike jopopullore të krahut të majtë të Olaf Scholz. Vitin e kaluar, AfD fitoi zgjedhjet rajonale, partia e parë e ekstremit të djathtë që e bën këtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore dhe që nga rënia e partisë naziste.
2024 ishte viti më i keq për partitë e majta në Evropën Qendrore dhe Lindore që nga rënia e Perdes së Hekurt. Qendra e djathtë fitoi në Kroaci dhe Bullgari. E djathta ekstreme fitoi zgjedhjet tashmë të anuluara në Rumani. Në Republikën Çeke, Andrej Babic, një biznesmen populist i së djathtës ekstreme dhe imitues i Trump, pritet të fitojë zgjedhjet e këtij viti, duke kryesuar me të paktën 14 pikë në sondazhet e fundit.
Ekspertët thonë se suksesi i së djathtës populiste është për shkak të forcimit të qëndrimeve kundër emigracionit në Evropë. Në të njëjtën kohë, politikanët e ekstremit të djathtë po fitojnë më shumë akses dhe mesazhet e tyre po arrijnë të kenë një ndikim më të madh në shoqëri përmes mediave sociale, një mundësi që nuk e kishin në të kaluarën.
Fortesat historike po “shemben” edhe në Amerikën Latine
Në të njëjtën kohë, përqafimi mbytës i skenës politike të Amerikës Latine nga e majta, ka ardhur në dobësim që nga fundi i viteve 2000, pas fitoreve të liderëve si argjentinasi Javier Milei. Pas zgjedhjeve të vitit 2024, përqindja e votave të së majtës ishte 51.6%, më e ulëta në mbi 30 vjet. Në të njëjtën kohë, vota e së djathtës ka mbetur në 40% që nga viti 2018.
Në vitin 2023, Paraguai zgjodhi konservatorin Santiago Peña dhe Ekuadori zgjodhi kandidatin e qendrës së djathtë Daniel Noboa. Në të njëjtin vit, Milei eksentrik u bë president i Argjentinës me premtime për shkurtime në sektorin publik. Ai do të përballet me zgjedhjet afatmesme në vitin 2025, por deri më tani partia e tij po ecën mirë në sondazhe.
Sipas Dr. Christopher Sabatini, hulumtues për Amerikën Latine dhe SHBA në Chatham House, partitë e krahut të majtë kanë parë rënie të votave të tyre si rezultat i paaftësisë së qeverive, premtimeve të tepërta dhe korrupsionit. “Gjatë dy dekadave të fundit, shqetësimet e votuesve për krimin dhe dhunën janë rritur. Kjo është një fushë ku e majta nuk ka arritur dot të prodhojë shumë rezultate ose një përgjigje të qëndrueshme” – tha ai për “The Telegraph”.
Jair Bolsonaro i quajtur “Trump i tropikëve” humbi zgjedhjet e vitit 2022, por partia e tij mbetet më e madhja në parlamentin brazilian. Analistët vlerësojnë se ardhja e Trump në pushtet në SHBA do të favorizojë edhe “mini-Trumpët” në vendet e Amerikës Latine.
Ngjarjet në Azi dhe Australi
Në Azi dhe Australi, e djathta ruajti dominimin e saj në politikë me 55.6% të votave, mesatarja më e lartë që nga viti 2017. Jacinda Ardern, kryeministrja e majtë e Zelandës së Re dha dorëheqjen në vitin 2023 dhe u zëvendësua nga Christopher Luxon, udhëheqës të Partisë Kombëtare të qendrës së djathtë. Në Australi, koalicioni i krahut të djathtë të Partisë Liberale-Nacionale ka marrë kryesimin në sondazhe përpara zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit.
Vitin e kaluar, Partia Liberal Demokratike e krahut të djathtë të Japonisë humbi shumicën, por rritja e partive të reja, më të vogla të ekstremit të djathtë ndihmoi në rritjen e votave të krahut të djathtë të vendit në 63.87%. Në Indi, demokracia më e madhe në botë, Narendra Modi dhe Partia Bharatiya Janata (BJP) u zgjodhën për një mandat të tretë në qershor 2024. Megjithatë, koalicioni opozitar i qendrës dhe i qendrës së majtë të Kongresit Kombëtar Indian pa një rritje të votave.
Historikisht lart… rënie në Afrikë dhe Lindjen e Mesme
Në 8 demokracitë afrikane dhe të Lindjes së Mesme, përqindja e votave të së majtës ra në një rekord prej 54.2% në 2024-ën. Për shumicën e 30 viteve të fundit, pjesa e partive të krahut të majtë ka qenë gjithmonë mbi 60%, por kjo ka rënë, pas një periudhe të gjatë skandalesh të keqmenaxhimit financiar.
Në Afrikën e Jugut, ekonomia më e madhe e kontinentit, Kongresi Kombëtar Afrikan i qendrës së majtë nuk arriti të fitojë shumicën parlamentare që mbante që nga zgjedhjet e para pas aparteidit në 1994-ën.
Partia e djathtë Likud e Benjamin Netanyahut ka qenë në pushtet në Izrael që nga viti 2020. Zgjedhjet e ardhshme nuk do të mbahen më herët se 2027, por Likud, i cili është në koalicioni me 4 parti të ekstremit të djathtë, është ende përpara në sondazhe, pavarësisht mënyrës së trajtimit të Gazës nga Netanyahu dhe krizës së pengjeve pas sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 nga Hamasi.
Përjashtim bën Britania
Përkundër gjithë kësaj, fitorja gjithëpërfshirëse e Laburistëve në Britaninë e Madhe ishte një nga triumfet e pakta të së Majtës në vitin 2024, por edhe ky fenomen, megjithatë nuk pritet të zgjasë. Sondazhi i YouGov/Times tregon një garë të ngushtë mes Laburistëve dhe Reformistëve të Mbretërisë së Bashkuar, me 26% dhe 25%. Partia Konservatore është shumë afër, në vendin e tretë, duke marrë 22% të votave.
Të gjitha sa më sipër tregojnë qartë se e majta do të duhet të rishikojë politikat e saj në mbarë botën dhe të kërkojë partneritete, në kundërshtim ndoshta edhe me logjikat përçarëse që mbizotërojnë në ADN-në e saj. Një ndryshim fytyrash shihet gjithashtu si imperativ me qëllim frymëzimin e votuesve të rinj. Përndryshe, viti 2025 mund të jetë edhe më i keq për partitë e majta në mbarë botën.