“Largimi i të rinjve nga vendi, pasojë e mungesës së meritokracisë”, Basha: Programi NEXTGEN garanton një ekonomi të re për brezin e ri

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se largimi masiv i të rinjve nga vendi është pasojë e mungesës së meritokracisë, korrupsionit dhe një sistemi të dobët arsimor. Ai thekson rëndësinë e një qasjeje të re për të shfrytëzuar potencialin e të rinjve shqiptarë, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Në kuadër të programit NEXTGEN, Basha prezantoi disa iniciativa për përmirësimin e arsimit dhe ekonomisë, duke përfshirë:

Reformimin e arsimit universitar për të prodhuar profesionistë të përgatitur për tregun e punës.

Punë 1-vjeçare për 10,000 të rinj si pjesë e përgatitjes së tyre profesionale.

Krijimin e katër kampuseve kombëtare për trajnimin e 25,000 të rinjve në fusha si teknologjia e informacionit.

Bursa studimi për studentët ekselentë dhe ata me vështirësi ekonomike. Lehtësira fiskale dhe mbështetje financiare për sipërmarrjet e reja të krijuara nga të rinjtë deri në 30 vjeç.

Basha më tej thotë se Shqipëria meriton më shumë dhe për këtë kërkon mbështetjen e qytetarëve në 11 maj për ta shndërruar rininë shqiptare në protagoniste të zhvillimit të vendit.

Postimi i Bashës:

Largimi masiv i të rinjve, i nxitur nga mungesa e meritokracisë, korrupsioni endemik, pagat e ulëta dhe një sistem arsimor i dobët, është një alarm i madh për të ardhmen e vendit. Kjo situatë është produkt i një qeverie që ka braktisur rininë. Me një potencial të jashtëzakonshëm të rinjsh të talentuar, vendi ynë ka kapacitetin të shndërrohet në aktorin kryesor rajonal në fushën e teknologjisë dhe të tërheqë investime serioze e të mëdha. Ne kemi hartuar një model ekonomik që inkurajon sipërmarrjen e lirë, të mbështetur nga një qeveri e vogël dhe transparente, që përshtatet me sfidat e reja të kohës.

Me programin e Demokratëve Euroaltantikë NEXTGEN, për një ekonomi të re për brezin e ri:

Arsimi universitar do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila synon të mundësojë që universitetet shqiptare, të prodhojnë profesionistë të përgatitur për tregun e punës;

Punë e paguar 1-vjeçare për 10,000 të rinj për t’i aftësuar profesionalisht si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës;

Krijimi i 4 Kampuseve Kombëtare ku do të trajnohen 25,000 të rinj në fusha prioritare si teknologjia e informacionit dhe programimi.

Bursa për studentët dhe doktorantët ekselentë në 15 universitetet më të mira në botë;

Bursa të plota për studentët ekselentë;

Sigurimi që asnjë i ri të mos mbetet pa shkollë për shkak të pamundësive ekonomike.
Bursa për çdo student nga familje me të ardhura të ulëta;

Bursa studimi për vajzat nga familjet me vështirësi ekonomike dhe zonat rurale.

Krijimi i Fondit Shqiptar për Shkencë, Inovacion dhe Zhvillim, ku mund të konkurrojnë të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë.
Lehtësira fiskale dhe mbështetje me grante ose programe garancie shtetërore për bizneset që hapen nga të rinjtë deri në moshën 30 vjeç.

Ne kërkojmë mbështetjen tuaj në 11 maj️, për të ndërtuar këtë urë drejtë së ardhmes, që bën bashkë botën e arsimit dhe atë të sipërmarrjes, dhe së bashku me planin tonë për taksat e ulëta dhe luftën kundër korrupsionit, mund të çelim një kapitull të ri për zhvillimin e vendit, ku rinia do të jetë protagoniste me talentin, vizionin dhe energjinë e saj. Shqipëria meriton më shumë

Artikulli paraprakZjarr dhe shtëllunga të zeza tymi! Përfshihet nga flaka qendra tregtare në Kosovë, digjen disa dyqane!
Artikulli tjetërBraktisi Shqipërinë për Greqinë, Olimpiakos e çon te ekipi i shqiptarëve në Portugali