Një manovër e gabuar e shoferit të një furgoni që transportonte nxënës të shkollës 9-vjeçare është bërë shkak për një aksident, të ndodhur mesditën e sotme rreth orës 13:20, në rrugën “Dritan Hoxha” në Laprakë, afër pallateve “Gintash”. Burimet bëjnë me dije se furgoni është përplasur me autobusin e linjës së Kamzës dhe për pasojë janë lënduar 4 nxënës të cilët janë transportuar për ndihmë në QSUT.
Ndërsa policia në njoftimin e saj bën me dije se furgoni me nxënës shkolle drejtohej nga shtetasi A. K., ndërsa autobusi i linjës urbane Tiranë-Kamëz, nga shtetasi A. Z dhe si pasojë e kësaj përplasje ka patur vetëm dëme materiale dhe nuk ka dëme në njerëz. “Përdorimi i rripit të sigurimit nga fëmijët në mjet ka sjellë shmangien e ndonjë pasoje në këtë përplasje. Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi i furgonit ka bërë një ndryshim korsie pa bërë kujdes për fluksin e lëvizjes e për pasojë ka sjellë përplasjen”, sqaron policia.