Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përdorur fjalimin e saj në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, për t’u kërkuar vendeve të BE-së që të punojnë më ngushtë së bashku, përballë një gare globale ekonomike.
Von der Leyen deklaroi se sot realiteti nuk është ai që ishte projektuar 25 vite më parë, pasi bota ka hyrë në një epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike. Sipas saj, nuk është në interesin e askujt të prishen lidhjet në ekonominë globale.
“Rendi botëror bashkëpunues që imagjinuam 25 vjet më parë nuk është realiteti. Në vend të kësaj, ne kemi hyrë në një epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike,” tha ajo. “Ne do të duhet të punojmë së bashku për të shmangur një garë globale. Nuk është në interesin e askujt, të thyejmë lidhjet në ekonominë globale. Përkundrazi, ne duhet të modernizojmë rregullat për të mbështetur aftësinë tonë për të prodhuar përfitime reciproke për qytetarët tanë”, tha ajo.
Von der Leyen theksoi po ashtu edhe lidhjet e ngushta tregtare dhe ekonomike midis BE-së dhe SHBA-së. Ajo tha se BE do të bashkëpunojë shpejt me administratën e re të Presidentit Trump, duke mbrojtur vlerat e tyre.
“Ne do të jemi pragmatikë, por do t’i qëndrojmë gjithmonë parimeve tona. Ne do të mbrojmë interesat tona dhe do të ruajmë vlerat tona, sepse kjo është rruga evropiane”, tha ajo.
Ndër të tjera, Von der Leyen shtoi se përdorimi i sanksioneve, kontrolleve të eksportit dhe tarifave ka të ngjarë të rriten.
“Ndërsa kjo konkurrencë intensifikohet, ne do të vazhdojmë të shohim përdorim të shpeshtë të mjeteve ekonomike, të tilla si sanksionet, kontrollet e eksportit dhe tarifat, që synojnë të mbrojnë sigurinë ekonomike dhe kombëtare,” tha ajo. “Me këtë frymë, ne do të duhet të punojmë së bashku për të shmangur një garë globale deri në fund,” shtoi ajo.
Presidentja e KE tha po ashtu se në çdo rast, Evropa mbetet e hapur ndaj miqve dhe vendeve me interesa të përbashkëta.
“Evropa do të vazhdojë të kërkojë bashkëpunim. Me miqtë tanë dhe me çdo vend me të cilin kemi interesa të përbashkëta”, tha ajo.
Duke folur për raportin e ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, mbi konkurrencën vitin e kaluar, ajo tha se Komisioni do të propozojë së shpejti politika të reja në fusha kyçe, si thellimin e integrimit të tregjeve të kapitalit, duke lejuar kompanitë e mëdha të punojnë në të gjithë BE-në sipas një grupi të vetëm rregullash dhe krijimi i një “bashkimi energjetik”.
“Është koha për të përfunduar bashkimin tonë të energjisë në mënyrë që energjia e pastër të mund të qarkullojë lirshëm në të gjithë kontinentin tonë”, tha ajo.