Skandali kushtetues i pazarit të ri Rama- Berisha për diasporën

Nga Pamfleti

Ilirjan Celibashi ka shpallur arritjen e një akordi mes PS-së dhe PD-së për diasporën. Sipas këtij pakti të ri, tre janë ndryshimet që do t’i bëhen Kodit Zgjedhor.

E para, shtyrja e afatit të regjistrimit të emigrantëve në platformën e KQZ që është vetëm 10 ditë, e që nuk përbën gjë të madhe. Megjithatë i vlefshëm. Ndryshimi tjetër ka të bëjë që në numërimin e votave të diasporës në KQZ të jenë prezent edhe vëzhguesit e partive e mediave, që është pozitiv si vendim.

Ndërkaq, më problematikja është se pakti më i ri Rama-Berisha i ka vënë minat ligjit, duke lënë që të votojnë edhe ata qytetarë që jetojnë jashtë vendit, por që nuk kanë dokumente të rregullta- kartë identiteti apo pasaportë. Më shkoqur u ka skaduar afati. Sipas paktit qeveria, do të marrë një VKM që të quajë të vlefshme një grup dokumentesh identifikimi që u ka mbaruar afati. Duke vendosur natyrisht afat, dmth, nga filan muaj e filan vit, gjë që të cilën e kanë biseduar mes tyre Gjiknuri e Bylykbashi, të autorizuar nga Berisha e Rama.

Ky vendim, është ashiqare një shkelje e rëndë e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjeve në vend. Pasi

sipas ligjit themeltar, dokument i rregullt është ai i vlefshmi. Në këtë rast, jo të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Ngaqë atyre që jetojnë brenda vendit i kërkohet një dokument i vlefshëm, e atyre jashtë, edhe nëse nuk e kanë të vlefshëm, që do thotë i paligjshëm.

Edi Rama, me një VKM të qeverisë së tij, do t’i vërë vulën e ligjshmërisë një pjese të këtyre dokumenteve të skaduara.

Po ku fle lepuri?

Qartësisht bëhet fjalë për atë pjesë të diasporës, që nuk hyn ndër ato qytetarë të rregullt, të cilët janë treguar korrekt në rinovimin e dokumenteve. Por për ata që s’e kanë bërë, natyrisht jo për arsye kohe apo mukajeti, por për probleme serioze të identifikimit të tyre.

Me fjalë të tjera, njerëz që janë kontigjent i krimit, madje krimit të organizuar, të cilët nuk i kanë rinovuar dokumentet, vetëm sepse nuk duan të jenë pjesë e listës së rrezikshme për problemet që kanë me ligjin.

Dokumentet e tyre, sipas paktit Berisha-Rama, nuk legalizohen përgjithmonë, por vetëm një ditë; 11 maj, ditën e zgjedhjeve.

Pra i thonë atyre, që mund të jeni të ligjshëm për një ditë, e më pas mund të riktheheni në ata që jeni, pra të paligjshëm e të panjohur.

Kjo fsheh qartësisht një patronazhim si nga PS e nga PD për kontigjentin e tyre të nëntokës, që duan ta aktivizojnë në zgjedhje. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, qoftë edhe diktatorial, që të votojë dikush që nuk ka një dokument të vlefshëm. Madje edhe në mesjetë, askush nuk quhej qytetar i principatës apo perandorisë, nëse nuk ishte i regjistruar.

Edi Rama, në këtë rast ka edhe gurin edhe arrën, pasi identifikon të gjithë grupet e zjarrit të Berishës, dhe i jep hov brigadistëve të tij për të votuar. Që është një skandal i madh, pasi këtë vendim, pra vendimin e një zgjatje të ligjshmërisë duhet ta bëjë një organ i pavarur, si KQZ për shembull apo një gjykatë. Në realitet i është lënë qeverisë, e kjo bie erë një hapje burgjesh reale nga jashtë ku këtu të mos ndikojnë vetëm ata që janë të rregullt e që zbatojnë ligjet, por edhe ata që i shkelin me para. Kjo nuk është gjë tjetër veçse vepër e pastër kriminale. Por dikush nga partitë opozitare, së paku jashtë rreshtit të Berishës, duhet të alarmojë opinionin për këtë skandal kushtetues./Pamfleti

Artikulli paraprakPo ushqehemi me importe, rriten me mbi 30% ato të zarzavateve e kafshëve! Si po ndikojnë ulja e prodhimit vendas dhe pakësimi i popullsisë në fshat
Artikulli tjetërBasha do ta çonte PD në Washington, ndërsa Berisha e çoi në SPAK