Lindita ÇELA
Bashkia e Tiranës pranoi pas pyetjeve të “BIRN” se konkluzionet e një raporti kritik të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi vendimin për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, qëndrojnë se dhe në të vërtetë, rritja e çmimit nuk qe indeksim, por thjesht një rritje e ndërmarrë për të kënaqur operatorët privatë të transportit publik.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 30 dhjetor 2015, në kushtet e mungesës së transparencës, pa e publikuar më parë projektvendimin dhe pa konsultim publik, rritjen e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë.
Një vit më vonë, një raport auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit doli në konkluzionin se, vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk bazohej në rregullat që mbikëqyrin “indeksimin e çmimit” të transportit urban dhe se vendimi qe në dëm të interesave të qytetarëve dhe si i tillë, rritja e çmimit duhet të anulohet.
Pas pyetjeve të dërguara nga “BIRN” në lidhje me raportin e KLSH, Bashkia doli me një variant të ri, duke pranuar se çmimi është rritur pasi ka rënë viktimë e kërcënimeve për grevë të operatorëve të transportit urban në Tiranë. Bashkia pranoi gjithashtu se formula e përcaktuar në rregullimin e indeksimit të çmimit nuk është zbatuar, siç është vërejtur edhe nga raporti i KLSH-së.
Indeksimi i çmimit nënkupton rritjen e një çmimi të kontrolluar nga autoritetet sipas normës së inflacionit zyrtar të matur nga Instituti i Statistikave. Rritja e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë, e cila nënkupton rritjen e çmimit me 33 për qind, në fakt qe shumë më e lartë se sa rritja e inflacionit nga viti 2008 deri në vitin 2015.
“Vendimi është marrë në kushtet e emergjencës nga ana e Këshillit Bashkiak, për shkak se ekzistonte mundësia e paralizimit të shërbimit nga ana e operatorëve që deklaronin pamundësinë e vazhdimit të tij”, tha drejtori i Punëve Publike, Taulant Tusha nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Bashkia pranon që vendimi i Këshillit Bashkiak përcakton dhe formulën që Bashkia duhet të përdorte për indeksimin e çmimit të biletës, po nuk thotë nëse kjo formulë është përdorur gjatë rritjes së çmimit me 33% në fillim të vitit 2015.
Sipas raportit të auditimit të KLSH-së, kjo formulë indeksimi nuk është përdorur nga Bashkia në vendimin nr. 66 të Këshillit Bashkiak, pasi ajo nuk e justifikonte rritjen e çmimit me 33%.
“Kur i kërkuam DTTRr përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB nr. 66, datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht e as një formulë paraprake”, shkruan KLSH në raport.
“DTTRr konfirmon se kjo rritje çmimi prej 33% është bërë në masa emergjence. Për pasojë, rritja e çmimit të biletës së urbanit në linjat qytetëse është e pabazuar në relacionin bashkëngjitur VBK nr. 66, datë 30.12.2015”, shton KLSH.
Sipas KLSH-së, vendimi i Bashkisë Tiranë ishte jo vetëm i gabuar, por edhe në dëm të interesit publik.
“Duke qenë se transporti urban përdoret nga masa e popullsisë dhe përdoruesit e këtij shërbimi përbëjnë afërsisht 36% të popullsisë, impakti që ka një rritje çmimi prej 33% e pabazuar në normën zyrtare të inflacionit dhe e pabazuar në asnjë formulë ekonomike, ndryshe nga çfarë shprehet VKB nr. 66. datë 30.12.2015, është një vendim i gabuar dhe prek në mënyrë të drejtpërdrejtë interesa publike të qytetarëve”, shkruhet në raport.
KLSH i kërkoi Bashkisë së Tiranës marrjen e masave të menjëhershme të përcaktimit të çmimit të biletës në bazë të një formule të saktë ekonomike e deri në përmbushjen e këtij detyrimi pezullimin e vendimit të rritjes së çmimit të biletës për transportin publik.
Operatorët pa kontroll
Aktualisht shërbimi i transportit publik në Bashkinë Tiranë ofrohet nga pesë kompani, të cilat njëkohësisht merren me aktivitete të tjera tregtare jashtë transportit publik të Tiranës.
Shërbimi i transportit publik u kaloi kompanive private në vitet 2002-2003 dhe sipas Bashkisë në vitin 2014 ky shërbim ka pasur 72.5 milionë pasagjerë.
KLSH shkruan se, ky shërbim rregullohet sipas urdhëresave të kryebashkiakut dhe një kontrate tip mes Bashkisë Tiranë dhe operatorëve. Këto janë të vetmet akte administrative për sistemin e kontrollit, të vlerësimit të performancës së operatorëve dhe mbajtjen nën kontroll të cilësisë së shërbimit të ofruar për qytetarët e Tiranës. KLSH ka zbuluar se, urdhëresa dhe kontrata nuk është miratuar nga Bashkia e Tiranës e për pasojë detyrimet për të cilat duhet të përgjigjen operatorët e linjave të transportit qytetës nuk janë të matshme.
“Një pjesë e mirë e përgjegjësive të operatorëve që përmenden në kontratën e bashkëpunimit, citojnë këtë urdhëresë të pamiratuar ende për detaje specifike. Në këto kushte, kontrata nuk është një mjet administrativ i vlefshëm për të siguruar efektivitetin e shërbimit të transportit urban qytetës”, thuhet në raport.
Mungesa e urdhëresës, e cila parashikon sistemin e pikëzimit bën që edhe masat ndëshkuese të përmendura nga urdhëresa e kryetarit të Bashkisë Tiranë me nr. prot 774, të jenë të pavlefshme.
Në raport konstatohet se sistemi i pikëzimit që parashikohet në urdhëresë, tek i cili mbështetet edhe kushti për një shërbim të vazhdueshëm dhe me cilësi, nuk ekziston. Për pasojë edhe ky kusht i vendosur në urdhëresën me nr. prot 774 nuk është i vlefshëm. Operatorët nuk kanë asnjë arsye për t’iu trembur heqjes së licencës në rast se cenohet cilësia e kërkuar e shërbimit.
E pyetur nga “BIRN”, drejtori Tusha fajësoi administratën paraardhëse duke u shprehur se, urdhëresa në fjalë ishte miratuar nga Bashkia në shtator 2016.
“Nuk jemi në gjendje të shpjegojmë pse administrata e mëparshme nuk e ka formësuar këtë urdhëresë, por në muajin shtator 2016 është miratuar urdhëresa për ‘monitorimin, inspektimin, raportimin dhe vlerësimin e performancës së shërbimit publik në transportin qytetas të udhëtarëve dhe zbatimin e masave për shkeljen e kontratës së transportit qytetas’”, tha ai.
“BIRN”