Bujqësia shqiptare në raport me rajonin ka dyfishin e peshës në PBB dhe punësim, por furnizon tregun vendas me produkte shumë herë më pak. Në mesin e pesë vendeve në rajon, Shqipëria ka deficitin më të lartë tregtar të produkteve ushqimore. Bilanci i tregtisë së ushqimeve në Shqipëri është negativ me -513 milionë euro, çka do të thotë se Shqipëria për nevojat e konsumit të brendshëm importon ushqime gjysmë miliardi euro më shumë se eksporton. Por nga ana tjetër sektori i bujqësisë zë 41 për qind të kontributit në punësim dhe 22 për qind të peshës në PBB, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2015.
Në vendet e rajonit ky hendek është mjaft më i ulët, madje Turqia dhe Serbia janë eksportuese neto të ushqimeve.
Maqedonia ka vetëm 110 milionë euro deficitin tregtar të produkteve ushqimore, ndërsa pesha e bujqësisë në PBB-në e Maqedonisë është 11% dhe sektori zë vetëm 18 për qind të kontributit në punësim.
Mali i Zi është importues neto me 394 milionë të ushqimeve në tregtinë me BE-në. Vendi fqinjë edhe pse ka një ekonomi më të vogël dhe është një vend që nuk bazohet tek bujqësia e ka raportin e mbulimit të importeve me eksportet bujqësore më të lartë se Shqipëria. Në Malin e Zi, sektori bujqësor zë 9.8% të peshës në PBB, ndërsa kontribuon vetëm 7 për qind në punësim.
Ndërsa në Serbi eficenca e sektorit është edhe më e lartë, ku pesha e bujqësisë është vetëm 8 për qind e PBB, teksa vendi është eksportues neto i prodhimeve ushqimore me 938 milionë euro, teksa kontributi i sektorit në punësim është vetëm 20%.
Bujqësia në Shqipëri, avantazhin e vetëm konkurrues, ka klimën e ngrohtë që mundëson nxjerrjen e prodhimeve në treg një muaj para rajonit dhe kjo nuk është pak. Subvencioni nuk po funksionon dhe nafta nuk rimbursohet. Në Maqedoni, nafta e kuqe për bujqësinë jepet me 50 lekë, ndërsa në Shqipëri, fermerët e blejnë njësoj si linjat e tjera të biznesit me çmimin e tregut, me 150-160 lekë, pa asnjë diferencë.
Në Greqi dhe Maqedoni, fermerët subvencionohen direkt mbi prodhimin dhe fondet publike e mbulojnë riskun që mund të vijë nga ndryshimi i klimës ose mungesa e tregut. Por në Shqipëri mungojnë politikat mbrojtëse, edhe pse vendi po shkon me hapa të shpejtë drejt hapjes së tregjeve për shkak të integrimit në BE. Të mbjella në ngastra të vogla dhe në këtë mënyrë të pastandardizuara, prodhimet shqiptare e kanë të pamundur të marrin çertifikatën e cilësisë dhe për rrjedhojë, të eksportohen lirshëm në tregjet e BE–së.