Simone Inzagi ka mar rë edhe një herë në mbrojtje Kristjan Asllanin. Trajneri i zikaltërve thotë se ai po bën shumë mirë.
“Ky është një rezultat i arritur falë ndeshjeve të shkëlqyera. Tani na duhet edhe një pikë, por e kemi fatin në dorën tonë. Nuk ishte e lehtë që ta bënim këtë rrugë, por ne i kemi zhvilluar ndeshjet ashtu siç duhet. Jam i kënaqur me ndeshjen. Kemi qenë të përqendruar nga fillimi deri në fund. U bëra komplimentet djemve për mënyrën se si u sollën në fushë. Jam i lumtur për tifozët që kanë udhëtuar dhe udhëtojnë çdo 2 ditë për të qenë afër nesh”, tha fillimisht trajneri.
Pse ju mungoi goli për të mbyllur ndeshjen?
Le të themi që ne e mbyllëm ndeshjen, por për një majë këpuce na u anulua goli i Dumfrisit. Kemi krijuar shumë raste. Ndoshta pas golit të Lautaros menduam që ishte më e lehtë, por në pjesën e dytë e rritëm nivelin dhe kërkuam të shënonim patjetër. I krijuam rastet, por nuk ia dolëm. Nuk është e lehtë sepse po luajmë shumë gjatë kësaj kohe.
Ju pëlqeu fakti që skuadra ishte e vëmendshme gjithmonë?
Jam dakord. Duhet që të ishim të tillë, të vëmendshëm dhe të përqendruar. Ata janë një skuadër fizike. Ne u treguam të zotët edhe në goditjet standarde. Kemi rrezikuar shumë pak, por edhe atëherë kur ata u afruan në zonë u tregua i saktë Zomer.
Mendoni se janë duke iu bërë shumë kritika Asllanit?
Jam dakord. Asllani është duke bërë shumë gjëra të mira, por përpara ka Çalhanoglunë në rolin e tij. Është duke punuar shumë mirë. Gjithmonë është gati, por ndodh që ndonjëherë të gabosh ndonjë ndeshje. Ai nuk është dorëzuar kurrë dhe impenjohet gjithmonë. Në rast se nuk do të ishte ndëshkuar me karton të verdhë do ta kisha lënë në fushë për 90 minuta. E shoh të kthjellët dhe të përqendruar. Ai e di që ka besimin tim dhe të klubit. Ne mbështetemi tek ai.
Kishit dyshime për ta zbritur si titullar?
Kristjan Asllani ka treguar shumë personalitet. Nuk është e lehtë për asnjë lojtar që të zëvendësojë Çalhanoglunë. Ai është duke bërë shumë mirë me vazhdimësi dhe përgjigje në fushën e lojës. Nuk kisha dyshime për këtë dhe ai ka besimin e të gjithëve. Jemi të lumtur që e kemi në skuadër një lojtar të tillë.