Juristi Kreshnik Spahiu u shpreh se fatkeqësisht fryma që kanë krijuar partitë e reja në opinion dhe mbështetja e deritanishme do zbehen 24 orë pas shpalljes së listës me emrat e kandidatëve për deputetë nga 2 partitë e mëdha PD dhe PS.
I ftuar në emisionin “Frontline” në Report TV, Spahiu shpjegoi edhe arsyet me një analizë të detajuar duke theksuar se PD-PS me heqjen e formulës së koalicioneve kanë hequr mundësinë e polit të tretë.
“Do doja t’i thoja publikut arsyet kryesore pse PD dhe PS janë të interesuar për lista të mbyllura. Rama dhe Berisha duan në listat e mbyllura njerëzit më besnikë, qëndrestarë, të besuar, që kanë financuar etj. Por ka një gjë kryesore, të gjitha këto sondazhe që lidhen me partitë e reja bëhen reale 24 orë pasi shpallen listat e partive për deputetët. Deri në shkallën që opinioni qytetar i ka mbështetur dhe njihet me këtë listë. Deri në shpalljen e listave, partitë e reja janë në vështirësi. Sepse listat e mbyllura e vrasin partinë e re. Nëse partia e re ka ngritur frymë, ditën që shpallet ajo listë, treçereku i partisë së re largohet. Se partia e re si numër shpall vetëm një emër potencial, 15 emrat e tjerët nuk e kanë mundësinë. Mund të gjesh 16 emra me klane familje emra fise, biznesmenë. Vetëm 1 person lufton për vendin e parë, të tjerët janë numra, largohen nga partia e re”, shpjegon Spahiu vështirësitë që do kenë formacionet e reja politike që do garojnë më 11 Maj.
Mungesa e garës me pamundësinë që partitë e reja të kenë shanse për deputetë të dytë potencial dhe më tepër, sjell edhe këtë largim të mbështetësve gjatë fushatës. Juristi shpjegon se dy partitë e mëdha e kanë luksin të zgjedhin emra potencialë dhe t’i vrasin partitë e reja.
“30% duhet të jetë listë e mbyllur, pastaj vazhdohet me listën e hapur. Ju sa thatë se vihen emra kot për të mbushur listën, por që aty ka rënë pushteti i partive të reja, se detyrohesh të vësh emra formalë dhe ata tërhiqen,. Ata nuk luftojnë për vota, janë numra topi për të mbushur pushkën kot. Formula është e sforcuar. Partitë e vjetra kanë luksin që të vendosin emra që të luftojnë të gjithë për votën. Partitë e reja kanë 1 ose 2 sepse të tjerët largohen kur shpallet lista, sepse ikin nuk gjejnë emrat ose gjejnë emra fiktivë”, tha ai.
Po a kanë shanse këto parti të vogla të fitojnë mandate në Tiranë dhe qarqet e tjera? Spahiu shprehet se e kanë të vështirë, për të mos thënë e pamundur, edhe pse uron që të 8 kryetarët e partive të reja ta fitojnë mandatin e tyre në kryeqytet, ku pritet edhe të kandidojnë.
“Duke hequr formulën e koalicioneve kanë hequr mundësinë e polit të tretë. Tirana ka hapësirë, por çfarë ndodh, do garojnë kryetarët e partive të reja, pra do jenë të parët emrat e kryetarëve të partive të reja në Tiranë, por sikur të gjithë këta të marrin nga 10 mijë vota (Shabani, Qorri, Shehaj, Lapaj etj.), do rrezikojnë prapë për të hyrë. Po të ishin bashkë mund të nxirrnin edhe 8 deputetë, pra mbi 80 mijë vota dhe uroj me gjithë zemër që të jenë të tetë, por duke qenë vetëm rrezikojnë të mos futet asnjë prej tyre. Kjo është lufta ndaj Rama dhe Berisha i kanë futur këta në konflikt me njëri-tjetrin, ky është qëllimi”, përfundoi Spahiu.