44-vjeçari i maskuar që “magjepsi” Barçën

Një ndeshje amatorësh ka “çmendur” dy nga teknikët që klubi i Barcelonës iu kishte vendosur detyrën për të zbuluar talente. Në fakt ndeshja zhvillohej nga vetë ekipi katalanas dhe para fillimit të gjithë ishin prezantuar dhe askush nuk ishte deklaruar si profesionist apo kampion.
22 burra që argëtohen dhe mbajnë veten në formë në fushën e akademisë së “La Masias”, duke u regjistruar në klubin katalanas si lojtarë amatorë, part-time. Faktikisht disa prej tyre dinë të luajnë shumë mirë me topin dhe si gjithmonë me vendosjen 4-3-3, një rregull fiks te akademia e Barcelonës, nga fëmijët deri te ekipi i parë, përfshi edhe gjithë ekipet e femrave.
Aldric Miro dhe Oscar Coca ishin dy trajnerët e caktuar nga klubi për të ndjekur ndeshjen e amatorëve dhe në vëmendjen e tyre ra një brazilian, emri i deklaruar i të cilit ishte Roberto Silva. Pasi kaluan fare pak minuta lojë, dyshja e thërriti pranë lojtarin për të marrë informacione, pasi spikati me aftësitë e tij. Përgjigjja shtangu teknikët sepse braziliani deklaroi se ishte 44 vjeç dhe se nuk mund t’i ndihmonte. Me kaq dhe është larguar nxitimthi për të mos humbur minutat e lojës që vazhdonte të luhej.
“‘Topin e Artë’ po të ishte më i ri në moshë”, tha Coca. Por si ka mundësi?! Cili ishte ky 44-vjeçar që la kaq shumë mbresa?! Përgjigjja erdhi në fund të ndeshjes, kur me të dy ekipet e rreshtuara, braziliani, që më parë i kishte thënë punëtorëve të fushës që kishte luajtur si amator në Danimarkë, hoqi maskën.
Mbetën të befasuar pasi para syve kishin Rivaldon. Të gjithë filluan të qeshin dhe të bëjnë foto me kampionin që ishte maskuar nga punonjësit e klubit me paruke dhe silikon në fytyrë, për të mos u dalluar. “Nuk ishte ndeshja ime më e mirë, por kur vesh fanellën e Barcelonës këmbët bëhen magjike”, deklaroi Rivaldo në sytë e dy trajnerëve.
44-vjeçari Rivaldo Vitor Borba Ferreira, një herë fitues i “Topit të Artë” ka luajtur gjatë karrierës së tij me Santa Cruz, Mogi Mirim, Corinthians, Palmeiras, Deportivo La Coruna, Barcelona, AC Milan, Cruizero, Olympiacos, AEK, Bunyodkor, Sao Paulo, Sao Caetano dhe Mogi Mirim.
Ai numëron 74 ndeshje dhe 35 gola me kombëtaren e Brazilit, me të cilën u shpall kampion bote në vitin 2002 dhe fitoi 1 herë Kupën e Amerikës. Në nivel klubesh ai ka fituar 1 herë titullin në Brazil, 2 herë titullin në Spanjë, 1 herë Kupën e Mbretit, 2 herë Superkupën e Europës, 1 herë Champions League, 1 herë Kupën e Italisë, 3 herë kampionatin grek dhe 3 herë kampionatin në Uzbekistan.

Artikulli paraprakThyhet “mallkimi”
Artikulli tjetërPochettino: Duam fitoren ndaj Citit