Luhet Milan-Napoli një sfidë direkte për vendin e tretë në Serinë A. Në “San Siro”, këtë të shtunë kuqezinjtë do të synojnë të ndalin ecurinë pozitive të skuadrës së Sarrit, që gjatë kësaj periudhe ka dhuruar paraqitje me të vërtetë fantastike. Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella shpreson te një sukses i mundshëm dhe uron që vizita e një legjende si Diego Armando Maradona në Castelvolturno së fundmi të ketë shpërqendruar disi futbollistët e skuadrës së kaltër.
“Do të jetë një ndeshje e madhe dhe ne jemi gati. Duhet të përmirësohemi dhe të rrisim ritmin, sepse vetëm kështu mund të kthehemi në Europë. Do të jetë e vështirë gjithsesi, sepse Napoli është një skuadër që është ndërtuar për të fituar. Duam të paraqitemi mirë, por në të njëjtën kohë nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitjen, sepse më shumë sesa loja, rëndësi më të madhe do të ketë rezultati. Fakti që përballemi me Napolin në momentin e tyre më të mirë është një motiv krenarie për ne. Duam të bëjmë mirë në këtë ndeshje, sepse dëshirojmë të luftojmë deri në fund për një vend në kompeticionet europiane. Vizita e Maradonës? Shpresoj t’i ketë shpërqendruar, pasi si napoletan që jam e kuptoj se çfarë do të thotë, prania e tij në qytet”, u shpreh Montela.
Jo vetëm Montella, pasi po aq optimist sa numri 1 i stolit të Milanit në konferencën për shtyp, u shfaq edhe trajneri i Napolit, Maurizio Sarri. Të Kaltërit në 6 ndeshjet e fundit të Serisë A, numërojnë 5 fitore dhe 1 barazim, duke u afruar ndjeshëm me kreun e renditjes. Pas këtyre paraqitjeve të fundit, Napoli ka shanse të mira të përsërisë ecurinë e sezonit të kaluar, por Sarri personalisht nuk e firmos për vendin e dytë.
“Kjo ndeshje mund të tregojë se në çfarë pike jemi. Është një test i rëndësishëm dhe një tregues force për të dyja skuadrat. Milani po bën mirë, ambienti më duket i rikarikuar dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. A do të firmosja për vendin e dytë? Unë nuk firmos asgjë, nëse do të firmosja 10 vite më parë, do të firmosja për Serinë C, kështu që nuk firmos asgjë. Maradona? Unë jam një tip që nuk emocionohem pothuajse asnjëherë, por me praninë e tij në qendrën stërvitore më preku vërtetë”, tha Sarri.