Prokuroria zbarkon në ILDKPKI, sekuestron dosjen e deputetit të PS

Dy oficerë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë zbarkuar rreth orës 15:00 të pasdites së djeshme, pranë Inspektoriatrit të Lartë të Deklarimeve dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Mësohet se oficerët, kanë sekuestruar dosjen personale të deklarimit të pasurisë ndër vite të deputetit të PS, Alfred Peza dhe bashkëshortes së tij. Burimet nuk japin shumë detaje në lidhje me çështjen, me arsyetimin se ndodhen në fazën e hetimit paraprak, të grumbullimit të provave shkresore.
Nga ana tjetër, sipas akuzës nuk përjashtohet që në ditët në vazhdim prokuroria t’i kërkojë të gjitha bankave të nivelit të dytë që të evidentojnë në mënyrë analitike llogaritë bankare në emër të deputetit, bashkëshortes dhe fëmijëve. Veç bankave, burimet thonë se do i drejtohet edhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Tiranë për të evidentuar pronat që figurojnë të regjistruara në emër të deputetit dhe të afërmve të tij. Ndërkohë, pas mbledhjes së këtyre provave, burimet thonë se do të thirret për të dhënë versionin e tij të pasurisë edhe vetë deputeti i Partisë Socialiste Alfred Peza, tashmë person nën hetim.
Për këtë të fundit tre ditë më parë, ka qenë edhe vete institucioni i ILDKPKI-së që ka nisur një hetim administrativ të deklaratave të pasurisë për deputetin dhe bashkëshortten e tij. Këto veprime, nisen vetëm pas publikimit në media të kontratës së blerjes së aksioneve në një bankë të nivelit të dytë nga bashkëshortja e deputetit me një vlerë prej rreth 1.3 miliard lekë. Deputeti socialist, Alfred Peza, referuar Kodit Penal rrezikon jo vetëm mandatin, por edhe disa vite burg, për vënie pasurie në mënyrë të paligjshme

Nisin hetimet: Si u pasurua Peza me “Rilindjen”

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet ndaj deputetit të PS, Alfred Peza, pas blerjes së aksioneve më vlerë 1.3 miliardë lekë në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, deputeti socialist po hetohet për veprat penale të falsifikimit të dokumentave, fshehjes të pasurisë dhe pastrimit të parave në bashkëpunim. Për llogari të këtij hetimi, kryeprokurori Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim për më shumë se 90 minuta me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dhe drejtuesin e ILDKPKI-së, Shkëlqim Ganaj.
Temë diskutimi ka qenë pikërisht hetimi pasuror ndaj deputetit Peza, pasi disa ditë me parë institucioni i drejtuar nga Ganaj nisi një hetim administrativ. Po për llogari të këtij hetimi në Prokurori paraditen e kësaj të premte është paraqitur ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli. Ajo ka sqaruar se do të jetë në dispozicion të hetimit dhe do të deklarojë gjithçka di.
Pas këtyre zhvillimive në Prokurorinë e Përgjithshme, tre oficerë të Policisë Gjyqësore janë paraqitur në zyrat e ILDKPKI-së për të sekuestruar deklaratën e pasurisë së deputetit dhe bashkëshortes së tij. Grupi hetimor do t’i krahasojë të ardhurat e deklaruara me pasuritë aktuale të familjes Peza për të parë nëse i justifikon. Deputeti ka deklaruar se paratë janë kursime nga paga që ai ka marrë gjatë punës si gazetar dhe drejtues në media.

Ish-gruaja e Pezës në Prokurori: Dëshmoj, por dua mbrojtje

Ish-bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza, Adelina Toli është paraqitur vullnetarisht pranë Prokurorisë së Përgjithshme, për të dhënë dëshminë e saj për ato që di për pasurinë e Pezës. Historia e origjinës së deputetit rilindas mori një tjetër kthesë, pasi në media u hodh, një vendim Gjykate gjatë vitit 2010 disa vite pas divorcit me Adelina Tolin.
Në përpjekje për të zgjedhur në favor të financave të veta konfliktin për shumën që Peza duhet të paguante për djalin e tyre, i cili jetonte me të ëmën, ai kishte paraqitur edhe një vërtetim page si drejtor në televizionin “Ora News”, sipas të cilit vërtetohej se ai paguhej vetëm 80 mijë lekë të reja dhe jo aq sa pretendon sot.
Në këtë situatë ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme është paraqitur Adelina Toli, e cila pasi ka kërkuar që të hetohet ish-burri i saj dhe ka ofruar bashkëpunim për çfarë di për këtë çështje. Por ajo ka kërkuar njëkohësisht nga organi i akuzës që të sigurohet jeta e saj dhe e djalit. Nuk dihet se përse është bërë kjo kërkesë dhe a ka pasur ajo ndonjë kërcënim, që pas hapjes së çështjes “Peza”.
Toli ka qëndruar për rreth një orë në Prokurori, aty ku mësohet se ka dhënë informacion në detajet për pasurinë e deputetit, marrëdhëniet e tyre financiare dhe konfliktin që kanë pasur për pensionin ushqimor të djalit, pas divorcit. Ajo gjithashtu është treguar e gatshme në bashkëpunojë më tej me organin e akuzës. Bëhet me dije gjithashtu se, Toli është pyetur për pagën e saj kur është martuar dhe për atë të deputetit, pasi në kohën kur janë divorcuar, ky i fundit mendohet të ketë deklaruar në Gjykatë një pagë “qesharake”.

Peza, nga gazetar “varfanjak”, bëhet miliarder me “Rilindjen”

Deputeti i “Rilindjes” në një periudhë të shkurtër nga një gazetar “varfanjak” kthehet në një milioner që blen aksione në bankë. Në vetëm 18 muaj, gazetari Peza 5-fishon pasuritë e tij falë zgjedhjes deputet me “Rilindjen”. Peza deklaroi pas zbulimit të skandalit, se në kohën kur ishte drejtor informacioni në televizionin “Ora News” e kishte patur rrogën 10 milionë lekë në muaj, por gjatë procesit gjyqësor me ish-bashkëshorten, ai kishte paraqitur edhe një vërtetim page si drejtor në televizionin “Ora News”, sipas të cilit vërtetohej se ai paguhej vetëm 80 mijë lekë të reja.
Është verifikuar deklarimi fillestar i pasurisë të deputetit Alfred Peza. Sipas të dhënave të siguruara nga OpenData Albania rezulton se deputeti Peza ka dy apartamente, në Tiranë dhe Durrës. Ai sipas deklarimit fillestar të pasurisë, kur ka marrë detyrën e deputetit rezulton të ketë 95 milionë lekë (të vjetra) kursime dhe disa kredi apo detyrime në vlerën 40 mijë euro. Më tej, ai deklaron një tjetër llogari bankare sërish në emrin e bashkëshortes, këtë herë në vlerën 130 milionë lekë të vjetra.
Sipas të dhënave të publikuara, por edhe dokumenteve të siguruar rezulton se Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur 1.3 miliardë lekë (të vjetra) pasuri apo të ardhura monetare. Nga vetë deklarimi apo mbledhja e të gjithë të ardhurave apo detyrimeve sipas OpenData Albania rezulton se, çifti Peza mund të kenë pasur rreth 230 milionë lekë të vjetra të deklaruara në vitin 2013, kur gazetari Peza u bë deputeti Peza.

R.POLISI

Artikulli paraprakTv zviceran: Tahiri lidhje me trafikantët e drogës
Artikulli tjetërAmerika e para, ndryshim politikës së jashtme