Vdekja e 12-vjeçarit Leo Sadiku/ “Më neglizhove mjekimin e djalit”- Nëna e të miturit dhunon mjeken pediatre në spital!

Policia e Tiranës ka nisur hetimet për Roveta Sadikun, nënën e 12-vjeçarit Leo Sadiku, që humbi jetën në spital pasi shfaqi probleme shëndetësore, pasi akuzohet se ka dhunuar një mjeke në spitalin e Pediatrisë.

 

Blutë kanë referuar materialet në Prokurori ndaj 44-vjeçares për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”,

44-vjeçarja është denoncuar në policia nga mjekja me iniciale pediatre J. B., e cila ka akuzuar nënë e të miturit se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në ambientet e spitalit të Pediatrisë.

Nëna raportohet se ka dhunuar mjeken me pretendimin se ka neglizhuar mjekimin e djalit 12-vjeçar, i cili ndërroi jetë më 8 Janar në Pediatri.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, për shtetasen R. S., 44 vjeçe, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, pasi ka kallëzuar shtetasja J. B., mjeke në Spitalin Pediatrik, se 44-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, në ambientet e këtij spitali, me pretendimin se ajo ka neglizhuar mjekimin e djalit 12-vjeçar të shtetases R. S., i cili ka humbur jetën më datë 08.01.2025, në këtë spital”, njoftimi i policisë.

Roveta Sadiku në deklaratat e saj për mediat ka hedhur akuza ndaj mjekëve se kanë neglizhuar mjekimin e djalit të saj.

tregon sesi në momentet e fundit, djali i saj i kërkoi që t’i qëndronte pranë dhe e ngushëllonte duke i thënë se nuk kishte asgjë.

“Leo kishte një djegie të paparë në trup dhe donte të zbulohej. Po digjej, kam zjarr më thoshte. Ia thamë doktoreshës por nuk bëri asgjë. Djali e pashë që i kishte duart e ftohta dhe goca ka marrë në një lokal ujë të ngrohtë që t’ia vinim në këmbë dhe duar. Në një moment Leo u ngrit i trembur. I thashë çfarë ke bir i mamit? Asgjë më tha mos ki frikë se asgjë nuk kam. Mos qaj se nuk ka asgjë, më tha djali. Më kërkoi të shtrihesha pas tij. I thashë është turp të keqen mami se ka njerëz. Mami të lutem shtrihu pas meje më lër të të puth, më puth, më shtrëngo fort po më thoshte djali. U shtriva pas djalit dhe po e përkëdhelja, nuk e dija që po i plotësoja dëshirat e fundit. Nuk zgjati shumë. Bëri një frymëmarrje jo të mirë.

I thërrita Leo bir çfarë ke? Më tha nuk mbushem dot me frymë. Lajmërova direkt, nuk erdhi doktoresha por erdhi një infermiere me një matës oksigjeni në dorë. Ia vendosi në dorë dhe matësi nuk punonte në dorën e Leos. Leo kaloi një krizë, i kërcyen sytë përpjetë.

 Në atë moment kemi thirrur si të marrë. Një zotëri ka ardhur nga një dhomë tjetër, na nxorrën me dhunë jashtë mua dhe tim vëlla. Kur më pa vëllai që po ulërija hyri me forcë. Një zotëri tjetër mori bombolën e oksigjenit, e vendosën aty dhe vetëm i thërrisnin Leo shtrëngo dajën, Leo mendo për mamin. I luteshim të bëhej i fortë, por Leon ma kishin shkatërruar, ma neglizhuan”, ka rrëfyer ajo për gazetarin Osman Stafa.

 

Rrëfimi i nënës

Në një gjendje shumë të vështirë emocionale, Roveta Sadiku ka treguar se e dërguan djalin në Spitalin e Korçës për herë të parë më 28 dhjetor, ku pas marrjes së mjekimit, mjekët e dërguan atë në shtëpi. Më 29 dhjetor, pasi gjendja e djalit nuk përmirësohej, ata shkuan përsëri në spital, ku pas disa vizitave, djali u shtrua. Sipas nënës, Leo kishte dhimbje të vazhdueshme barku, diarre, dhe të vjella.

Roveta përgënjeshtron informacionin që Spitali i Korçës dha, duke thënë se ata e kishin nxjerrë djalin nga spitali më 31 dhjetor, duke akuzuar mjekët për trajtim të pamjaftueshëm dhe për këtë, ajo kërkon drejtësi.

Mjekët, sipas nënës së Leos, e kishin qetësuar familjen duke thënë se sëmundja do të bënte procesin e saj, duke e lënë të vazhdonte me dhimbje barku, temperaturë, kollë dhe diarre nga data 1 deri më 6 janar, të cilat u trajtuan si normale.

Në datën 7 janar, në orën 4:30 të mëngjesit, gjendja e djalit u përkeqësua, dhe familja e çoi në Spitalin e Korçës. Pas kësaj, ata e nisën për në Tiranë, në QSUT. Sipas nënës, për 7 orë në pavionin e endokrinologjisë, djali nuk mori asnjë trajtim të veçantë, përveç serumesh.

Në lidhje me deklaratën e QSUT, e cila thotë se Leo Sadiku mori të gjitha shërbimet e nevojshme, Roveta ngre një pyetje: “A i kanë bërë eko të zemrës djalit tim, një prej ekzaminimeve të nevojshme për diagnostikimin e miokarditit akut?”

Ajo gjithashtu tregon se policia dhe prokuroria nuk kanë bërë asgjë deri më tani për të zbardhur vdekjen e djalit të saj, duke kërkuar që rastet e tilla të hetohen dhe të marrin drejtimin që meritojnë.

Artikulli paraprakU ndje keq gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Apelit, avokati ndërron jetë në spital
Artikulli tjetërAksidentet rrugore u rritën me 29.6% në 2024-ën, shkak kryesor sjellja e shoferëve