Përmes një deklarate, sekretari i Partisë Demokratike për Rendin dhe Sigurinë, z. Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama se po i imponohet Akademisë së Shkencave për të futur emrat e tij për drejtësinë.
“Edi Rama, ka thënë ai, ka kryer një tjetër hap drejt kapjes së institucioneve të drejtësisë, duke tentuar të emërojë njerëzit e tij, edhe përmes presionit ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
Duke shpjeguar procedurën, z. Alibeaj ka thënë se Akademia e Shkencave ka të drejtën të zgjedhë dy anëtarë në Komisionin Ad Hoc, që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për anëtare të KLGJ dhe KLP.
Në një kohë që Shqipëria është angazhuar në një reformë të thellë në drejtësi që mendohet të garantojë besim dhe jetëgjatësi për sistemin e drejtësisë, kryeministri shqiptar kërkon që ta kontrollojë me grusht të hekurt dhe përmes manipulimit. Ashtu siç ka vënë nën kontroll median, një pjesë të shoqërisë civile, Rama tani kërkon që të kontrollojë edhe gjykatësit dhe prokurorët përmes kërcënimit apo blerjes. Janë KLGJ dhe KLP që luajnë një rol shumë të rëndësishëm në implementimin dhe garantimin e rezultateve të reformës në drejtësi. Duke parë rëndësinë e situatës dhe ndërhyrjes brutale të kryeministrit Rama, z. Alibeaj ngre një protestë të drejtë në mbrojtje të organeve gjyqësore dhe të Prokurorisë. Në daljen e tij ai tha: “Kryesia e Akademisë nën presionin e Edi Ramës, pa bërë asnjë mbledhje apo konsultë me akadamikët, ka propozuar kandidaturat dhe ka kërkuar konfirmim me e-mail për emrat, duke cenuar haptazi fshehtësinë e votës. Kjo procedurë është kundërshtuar nga pjesa dërrmuese e akademikëve, të cilët e kanë konsideruar procesin të kontrolluar dhe jodemokratik”.
Në vazhdim sekretari demokrat për Rendin dhe Sigurinë ka shprehur vlerësim për rezistencën që akademikët i bënë ndërhyrjes së Ramës. “Këto kandidatura të Edi Ramës, ka thënë ai, falë integritetit të akademikëve janë rrëzuar. Rezistenca e akademikëve e ndali Edi Ramën në revanshin për të kontrolluar strukturën e krijuar prej tij me ligj, pikërisht për të kapur procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Vetë ekzistenca e kësaj strukture është e papranueshme e bërë enkas nga Edi Rama për të kapur drejtësinë. Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë në Gjykatën Kushtetuese dhe ne shpresojmë që kjo çështje të trajtohet sa më shpejt dhe në shërbim të drejtësisë së pavarur e jo drejtësisë së kapur nga Edi Rama”.