Skemat që i prishen Ramës me votimin elektronik

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht dhe bashkëshkryetar i Reformës Zgjedhore, ka shpjeguar dje arsyet se përse Edi Rama i trembet votimit. Bylykbashi ka renditur dhjetë të tilla, ku ndër më kryesoret janë eliminimi i blerjes së votës si dhe korruptimin e komisionerëve gjatë numërimit. Bylykbashi shprehet se, kjo ska të bëjë me arsyet që hedh Rama në media, por me pamundësinë që krijon sistemi për të manipuluar votën nëpërmjet blerjes.  Ja reagimi i plotë i Bylykbashit për këtë çështje.
1. Zhduk shit-blerjen e kartave të identitetit. Zgjedhësi do të identifikohet me shenjën e gishtit. Nuk do të kërkohet karta e identitetit. Kjo i heq Ramës dhe rreshterëve të tij mundësinë që të blejë apo t’ua marrë shqiptarëve hallexhinj kartat e identitetit. Pa kartë, sot zgjedhësi nuk voton dot. Rama do që hallexhinjve t’u heqë de facto të drejtën e votës.
2. Zhduk votimin e shumëfishtë nga një person në qendra të ndryshme.
3. Zhduk mbushjen e kutive nga komisionerët militantë. Identifikimi me shenjën e gishtit e bën të pamundur që ushtria e “ustallarëve” të Ramës të hedhë vota në kuti për zgjedhësit që nuk kanë votuar.
4. Zhduk votimin në emër të personave të tretë, veçanërisht në emër të emigrantëve.
5. Zhduk votimin familjar, kur babai merr kartat e identitetit të familjarëve dhe voton ai për të tjerët. Pra, i hiqet Ramës mundësia që duke blerë kryefamiljarin, të blejë me shumicë edhe votat e grave të familjes.
6. Zhduk përdorimin e kartave të falsifikuara.
7. Redukton shit-blerjen e votës, sepse eliminon zinxhirin e votimit “karuzel”, kur një fletë votimi e bardhë nxirret jashtë qendrës së votimit, mbushet nga “ustallarët” dhe kundrejt pagesës, i jepet votuesit ta hedhë në kuti e të nxjerrë jashtë fletën e tij të paplotësuar.
8. Eliminon korrupsionin e komisionerëve të qendrave të votimit apo presionin mbi to për të mbushur kutitë, lejuar votimin e shumëfishtë, atë familjar apo me karta falso.
9. Eliminon korrupsionin e numëruesve militantë partiakë që bëjnë pazar me votat e partive.
10. Rezultati i votimit del automatikisht dhe brenda pak orësh në të gjithë Shqipërinë.
Këto skema i prishen Ramës nga votimi elektronik ndaj ai spërdridhet e kacavirret mbi xham për ta refuzuar atë. Nëse bëhet votimi elektronik, nuk ka si të shpenzojë për blerje votash dhe komisionerësh qindra milionë eurot e kanabisit, të korrupsionit me tenderat e fasadave, shesheve apo të koncesioneve. Ndaj Rama u tërhoq zvarrë deri tani që të dalë e të thotë nuk ka kohë. Shqiptarët nuk kanë më kohë të presin Ramën për zgjedhje të lira e të ndershme. Kundërshtimi i Ramës sot është refuzim për zgjedhje të lira e të ndershme. Eshtë refuzim nga maja e arrogancës që të jep paraja e korrupsionit.
Nëse këto fenomene ZHDUKEN nga zgjedhjet, të drejtën për të vendosur kush merr pushtetin për të qeverisur e kanë shqiptarët dhe jo Rama, aleatët e tij në krimin e organizuar, oligarkët apo media e kapur nga Rama.
Nëse këto fenomene nuk ZHDUKEN, zgjedhjet nuk janë të lira e të ndershme. Çdo ndryshim tjetër në Kodin Zgjedhor është fasadë, siç ka qejf Rama. Por fasadë pas së cilës kutërbon kufoma e demokracisë.

Artikulli paraprakZgjedhjet dhe çezma e Edi Ramës
Artikulli tjetërProkuroria sekuestron dosjen e mbledhjes ilegale të AMA-s