Reshjet e dendura krijojnë problematika edhe në burgun e Durrësit, ujërat e zeza shpërthejnë në ambientet e brendshme

Një situatë alarmante është regjistruar në burgun e Durrësit, ku përmbytjet që kanë prekur qytetin kanë shkaktuar shpërthimin e ujërave të zeza në katin e parë të institucionit. Ky kat përmban qelitë e të dënuarve dhe personave në hetim e gjykim.

Burgu ndodhet në zonën e ish-kënetës, e cila është një nga më të prekurat nga reshjet e shiut që kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme. Sot pasdite, ujërat kanë hyrë në katin e parë, duke detyruar të burgosurit të zhvendosen në katin e dytë për të shmangur rrezikun.

Një nga të burgosurit me shtetësi amerikane ka ngritur alarmin për rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve infektive që mund të ndodhin për shkak të ujërave të ndotur brenda burgut, sipas raportimit të gazetares Klodjana Haxhiaj.

Kanali i ujërave të zeza, i cili kalon pranë burgut, ka shpërthyer për shkak të reshjeve të shiut, duke krijuar një situatë të pazakontë dhe të rrezikshme për të burgosurit dhe stafin e institucionit. Zona e ish-kënetës vazhdon të jetë më problematikja në Durrës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të menaxhuar situatën.

Artikulli paraprakTërhiqet Trump, heq bllokimin e financimeve nëpër botë!
Artikulli tjetërSPAK kundër krimit zgjedhor, gazetarja Lala: Prokurorët e posaçëm do të dalin në terren, risia që do të prezantohet është…