Prokuroria e Posaçme reagoi ditën e sotme pas njoftimit të ambasadës amerikane për ngirjen e përkohshme të fondeve amerikane në institucionet shqiptare.
Ky vendim pezullimi erdhi pas një urdhri ekzekutiv të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Organi i posaçëm i akuzës bëri të qartë se nuk preket nga ky vendim në vetvete, pasi insitutucioni nuk financohet nga SHBA-të por nga buxheti i shtetit shqiptar.
Analisti Namir Lapardhaja në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Roland Zili, tha se ngrirja e përkohshme e fondeve nuk ka të bëjë veçanërisht me Shqipërinë, por është një politikë më e gjerë e SHBA-së. Në gjykimin e analistit, puna e SPAK nuk do të ndalet pas këtij vendimi pasi projekt-buxheti për vitin 2025 është miratuar në fillim të vitit.
-SPAK në një reagim sot për ndërprerjen e mbështetjes financiare nga SHBA dha garanci se puna e tij nuk do të cenohet. Ju si mendoni?
Lapardhaja: Ajo që po ndodh aktualisht me SHBA nuk ka lidhje veçanërisht me Shqipërinë dhe nuk ka lidhje ngushtësisht me SPAK. Është një politikë amerikane që ka lidhje me të gjitha shtetet e botës. Është një debat i cili nuk i shërben punës së drejtësisë dhe Porkurorisë së Posaçme. Ata vazhdojnë punën dhe projekt-buxheti i vitit 2025 ka kaluar në fillim të këtij viti. Kjo ndalesë nuk pengon punën.
-Nuk bëhet fjalë për paratë. E kisha fjalën për praninë, prezencën, asistencën që i jepet SPAK në bashkëpunim të ngushtë me ambasadën amerikane.
Lapardhaja: Është një politikë më e gjerë. Është një vendim që është marrë për tre muaj dhe pas 3 muajsh do të rishikohen sërish të gjitha vendimet. Mbështetja amerikane dhe ajo e BE ka qenë deçizive pë Prokrurorinë e Posaçme. Trump e ka justifikuar këtë ngrirje të fondeve me interesin e politikës amerikane. Për sa kohë lufta kundër korrupsionit është në interes të SHBA nuk shoh asnjë problematikë që në të ardhmen të rishihen këto fonde.
Analisti komentoi edhe sulmet e vazhdueshme të Berishës ndaj SPAK. Sipas tij, shqiptarët mbështesin punën e Prokurorisë së Posaçme dhe e kanë të qartë se kush janë të korruptuarit dhe kush po e lufton korrupsionin.
-Berisha vijon ta sulmojë ashpër SPAK! Çfarë kostosh politike mund të sjellë ky qënrdim i tij duke patur parasysh zgjedhjet e 11 majit?
Lapardhaja: Të gjithë ata që sulmojnë SPAK janë në antagonizëm të plotë me pritshmëritë e shqiptarëve. Deri në 80% e shqiptarëve mbështesin punën e SPAK. Çdo politikan që sulmon SPAK i ka të qarta llogaritë me shqiptarët. Ata duket sikur tregojnë forcën duke goditur prokurorët e kësaj Prokurorie, por shqiptarët e kanë të qartë se kush janë të korruptuarit dhe kush po e lufton korrupsionin.
Lapardhaja komentoi edhe debatin mazhorancë-opozitë lidhur me votën e diasporës.
-Sot shumica ka refuzuar kërkesën e opozitës që të votojnë emigrantët që nuk kanë dokumente shqiptare. Sipash jush është vendim i drejtë apo i gabuar?
Lapardhaja: Kjo mazhorancë dhe kjo opozitë që ka negociuar me mazhorancën nëse do të kishte vullnetin e duhur për të bërë të gjitha ndryshimet, mund ta kishin arritur votën e diasporës me të gjitha dimensionet e saj. Ligji është i qartë dhe parashikon se kush duhet të votojë dhe me çfarë mjetesh duhet të bëhet ky votim. Vota e diapsorës më duket si alibi e radhës për të justifikuar humbjen e opozitës së Berishës.