Bayerni e nis mbarë

Bayern Munchen vuan, por del me tre pikë nga transferta e Freiburgut në ndeshjen e parë zyrtare të vitit 2017, e vlefshme për javën e 17 të Bundesligës. Ishte pikërisht skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti që hapi siparin e vitit të ri në Bundesliga me suksesin e vuajtur në transfertën e Freiburg me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në kuotën e 42 pikëve, 5 më shumë se Leipzigu ndjekës. Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 4 kur Grifo shërbeu Janik Haberer, i cili finalizoi me sukses aksionin e shkëlqyer të vendasve.
Në të 28-ën, Alexander Schwolow i mohoi kënaqësinë e golit kilianit Arturo Vidal, ndërsa 7 minuta më pas, Robert Lewandowski shtyu topin në rrjetë pas goditjes së këndit të ekzekutuar nga Douglas Costa.
Pjesa e dytë nisi me ritmin e imponuar nga Bayerni pasi fillimisht Robben vuri në provë portierin vendas, ndërsa holandezi bëri më të vështirën duke e nxjerrë topin jashtë. Ishte sërish Lewandowski që mori përsipër fatin e takimit pasi në minutën e parë shtesë bomberi polak ngriu stadiumin “Schwarzwald” me një gol shumë të rëndësishëm për ecurinë e Bayernit në vitin 2017.
Ndërkohë, Kingsley Coman do të bëhet përfundimisht futbollist i Bayern Munchen. Ai që e konfirmon këtë është Karl-Heinz Rummenigge, i cili deklaroi se kampionët e Gjermanisë do të blejnë kartonin e futbollistit nga Juventusi. Javën e kaluar, Beppe Marota zhvilloi një takim me Branchinin që është në rolin e ndërmjetësit për llogari të Bayern-it për të diskutuar pikërisht për të ardhmen e Coman. Bavarezët më 2015 paguan 7 milionë euro për të marrë francezin në formë huazimi për 2 vjet dhe mund ta blejnë kartonin e tij për 21 milionë euro.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, Rummenigge theksoi se klubi gjerman mund ta aplikojë opsionin për blerjen e Coman në muajin prill. Rummenigge deklaroi se stafi teknik ka mbetur i kënaqur me paraqitjet e futbollistit edhe pse francezi këtë sezon nuk po shfaqet në nivelin e atij të kaluar.
Bayern Munchen së fundmi rinovoi kontratat me Robben dhe Ribery duke e zgjatur bashkëpunimin me ta deri në vitin 2018. Prania e këtyre dy futbollistëve dhe ajo e Douglas Costës e Coman bënë që skuadra bavareze të jetë e plotë për sa i përket lojës në krahë.

Artikulli paraprakBerisha shkëlqen në debutim me Terek
Artikulli tjetërZhgënjen sërish Bregu i Fildishtë