Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka bërë sërish thirrje për qytetarët, duke i ftuar të mos pranojnë, siç e cilëson ai, keqqeverisjen dhe korrupsionin e 12 viteve të fundit.
Në videon e postuar në facebook nga intervista e fundit, Basha shkruan se shqiptarët kanë mundësinë të zgjedhin më 11 maj një alternativë të vërtetë që ofron zhvillim dhe mirëqenie, kundrejt një politike që, sipas tij, ka mbetur peng i së shkuarës dhe ka dështuar ta çojë vendin përpara.
“Shqipëria meriton më shumë!” – përfundon mesazhin e tij Basha, duke i ftuar qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e vendit.
Postimi i Bashës:
Mos pranoni të trajtoheni si dele nga një qeveri, që ka 12 vite, që ndjell korrupsion dhe keqqeverisje, ndërsa familjet tuaja varfërohen dhe fëmijët tuaj largohen nga sytë këmbët.
E ardhmja e Shqipërisë është në dorën tuaj. Më 11 Maj mund të zgjidhni një alternativë të vërtetë, për të ecur përpara, me një ekip vlerash dhe një program të hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj. Ose, mund të mbeteni peng i së shkuarës, me politikanë që kanë nisur rrugëtimin e tyre në diktaturë dhe pas 35 vitesh, kërkojnë të riciklojnë dështimet e tyre, të cilat e rendisin Shqipërinë të parën në Europë për korrupsion, dhe të fundit për mirëqenien.
Shqipëria meriton më shumë!