Barcelona ka mbyllur me sukses fazën e parë në Champions League dhe do të ndjekë nga televizori se çfarë do të bëjnë rivalët e saj.
Katalanasit nuk do të zbresin në fushë në Ligën e Kampioneve deri në mars (1/8 e finaleve). Një nga avantazhet e përfundimit në tetë më të mirët ishte dy javë pushim në të cilat nuk ka ndeshje dhe në të cilat Reali i Madridit do të duhet të përballet me Mançester Sitin. Ky “pushim” i shkurtër në Ligën e Kampioneve i jep mundësi Barcelonës që gjatë kësaj kohe të fokusohet vetëm te kampionati spanjoll (natyrisht dhe Kupa e Mbretit).
Pikërisht La Liga është ajo që intereson më shumë se çdo gjë tjetër. Me skuadrën e Hansi Flik që duhet të rikuperojë jo pak. Pas një serie negative nga fundi i nëntorit deri në mesin e janarit, Barcelona humbi të gjithë epërsinë që kishte ndaj Realit dh Atletikos së Madridit dhe tani e sheh veten në rolin e ndjekëses së dy rivalëve nga Madridi. Katalanasit janë aktualisht shtatë pikë prapa ekipit të bardhë dhe tre pas Atletikos. Ndaj në Barcelonë e dinë se këto katër javë janë kyçe për të sheshuar diferencën në lidhje me dy skuadrat madrilene.
Së pari, për shkak të ngarkesës që do të jetë skuadra e Ançelotit në përballjen e dyfishtë kundër Mançester Sitit. Trajnerit italian do t’i duhet t’i pushojë lojtarët e tij për shkak të ritmit të lartë të ndeshjeve, pasi duhet pasur parasysh se të shtunën më 8, pak ditë para ndeshjes së parë kundër skuadrës britanike, është derbi i Madridit mes Realit dhe Atletikos në “Bernabeu”, ku njëri, nëse jo të dy, do të humbasin pikë. Për këto arsye, Barça dëshiron të shtyjë fort në Ligë në këto pesë ndeshje para se të kthehet në Champions League.
Nuk është një kalendar i komplikuar ndaj ata janë optimistë për rikuperimin e disa pikëve. Të besuarit e Flik do të luajnë kundër Alavesh, Seviljes, Vajekanos, Las Palmas dhe Sociedad. Nëse Barcelona dëshiron të garojë deri në fund për titullin kampion në La Liga, shumë nga shanset e saj do t’i luajë pikërisht në këtë periudhë pa impenjime në Ligën e Kampioneve. “Është koha për të menduar për La Ligën”, tha Rafinja të mërkurën kur u pyet për preferencat e tij në lidhje me shortin e Ligës së Kampionëve. Flik shprehu të njëjtin mendim kur shpjegoi ndryshimin e Lamin Jamal. Skuadra e ka të qartë se tani është koha për La Liga.