Programi i Demokratëve Euroatlantikë për të përndjekurit politikë/ Basha: I japim fund padrejtësisë historike ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se programi për të përndjekurit politikë është fryt i një reflektimi të thellë mbi gabimet dhe vonesat e këtyre 34 viteve, që kanë krijuar një hendek të turpshëm mes fjalëve dhe veprave.

Duke e cilësuar këtë kategori si “ashtin e së djathtës” dhe simbol të qëndresës ndaj diktaturës komuniste, Basha thekson se është koha për të shlyer borxhin moral dhe material ndaj tyre. Ai ka propozuar një sërë masash konkrete, që nga statusi i të përndjekurit politikë, e deri tek dëmshpërblimi i tyre dhe kthimin e pronave të konfiskuara.

Postimi i plotë i Bashës:

Të përndjekurit politikë janë ashti i së djathtës, simbol i vuajtjeve, qëndresës dhe rezistencës së shoqërisë sonë, gjatë diktaturës së egër komuniste. Ata përfaqësojnë një trashëgimi të paharrueshme, prandaj vendosja në vend e padrejtësisë historike ndaj tyre, duke shlyer borxhin moral dhe material që shoqëria jonë ka ndaj kësaj shtrese, është e domosdoshme.

Programi i Demokratëve Euroatlantikë për të përndjekurit politikë, është fryt i një reflektimi të thellë mbi gabimet dhe vonesat e këtyre 34 viteve, që kanë krijuar një hendek të turpshëm mes fjalëve dhe veprave, duke lënë në harresë të qëllimtë të përndjekurit dhe pasardhësit e tyre.

Ne kërkojmë mbështetjen tuaj më 11 maj️, për të realizuar:

Statusin e të përndjekurit politik me të njëjtin trajtim ekonomik me ish-ushtarakët;

Ligjin e plotë për Lustracionin mbi pastërtinë e figurës të çdo funksionari publik;

Dëmshpërblim të plotë ndaj të përndjekurve brenda mandatit të parë;

Subvencionim të të përndjekurve politikë për shërbimet shëndetësore për moshën e tretë;

Kthimi i pronave të konfiskuara, aty ku është e mundur, ose dëmshpërblim me vlerën e tregut;

Krijimi i Muzeut Kombëtar të Kujtesës për krimet e diktaturës komuniste.

Këto hapa do t’i hedhim së bashku, për të shëruar plagët e të shkuarës, duke shlyer detyrimin e madh që kemi ndaj të persekutuarve që, në dekadat më të errëta për vendin tonë, sakrifikuan gjithçka për lirinë.

Shqipëria meriton më shumë

Artikulli paraprakPas Sali Berishës, edhe Monika Kryemadhi nuk paraqitet në SPAK!
Artikulli tjetërHetimi i SPAK ndaj familjes së kryebashkiakut Veliaj/ Ajola Xoxa kundërshton kontrollet të apartamentit “sekret” te Sky Tower