Treguesi i besimit në ekonomi e nis me rënie vitin 2025

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) e nisi vitin 2025 me rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, TNE ra me ra me 0.8 pikë në janar, për të dytin muaj radhazi. Pavarësisht ngadalësimit, niveli i tij aktual qëndron rreth 6 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Në rënien e TNE-së ndikoi dobësimi i besimit në të gjithë sektorët, me përjashtim të sektorit të shërbimeve. Ky i fundit dha një kontribut pozitiv në treguesin e agreguar të ekonomisë për muajin janar.

Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u rrit me 4.4 pikë përqindje në janar dhe qëndron 13 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares historike. Në rritjen e TBSH-së kontribuuan vlerësimet më pozitive të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës. Po ashtu, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur.

Treguesi i besimit të industrisë (TBI) vijoi prirjen ngadalësuese që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar, duke shënuar rënie me 4.7 pikë përqindje në muajin janar. Pavarësisht këtij zhvillimi, niveli i tij vijon të qëndrojë 2 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rënia e besimit në janar u përcaktua nga vlerësimet më pesimiste për kontratat porositëse të bizneseve, veçanërisht ato nga eksportet. Situata e prodhimit industrial aktual vlerësohet pothuaj e pandryshuar kundrejt një muaji më parë. Bizneset vlerësojnë në rënie të lehtë gjendjen e inventarëve, pasi kishin raportuar për rritje të tyre dy tremujorët e mëparshëm. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë shënuar rënie të lehtë krahasuar me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u ul me 4.1 pikë përqindje në janar. Megjithatë niveli i tij vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike. Rënia e besimit u përcaktua nga rishikimi për poshtë i vlerësimeve të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues. Nga ana tjetër, vlerësimet e

bizneseve për kontratat porositëse shënuan rritje të lehtë këtë muaj. Pritjet për punësimin dhe për çmimet në të ardhmen u rritën.

Treguesi i besimit në tregti (TBT) u ul me 2.9 pikë përqindje në muajin janar. Niveli i besimit është rreth 4.1 pikë mbi mesataren historike. Në rënien e besimit ndikoi vlerësimi më pesimist për ecurinë aktuale të biznesit. Nga ana tjetër, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen kanë vijuar të rriten edhe këtë muaj. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar me rritje.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 3 pikë përqindje në muajin janar duke e çuar nivelin e këtij treguesi nën mesataren historike, për herë të parë nga muaji qershor 2024. Rënia e besimit këtë muaj ka reflektuar zhvillime më të dobëta në të gjithë komponentët përbërës të tij. Kështu, pritjet për situatën e përgjithshme të ekonomisë, pritjet për gjendjen e tyre financiare në të ardhmen dhe për blerjet në shuma të mëdha janë rishikuar për poshtë. Pritjet e konsumatorëve për çmimet në të ardhmen janë rritur në janar./Monitor.al

Artikulli paraprakPresidenti i përkohshëm i Sirisë viziton Turqinë, Ahmed al-Sharaa të martën në Ankara me ftesë të Erdogan
Artikulli tjetërMirela Karabina: Me sytë errur nga frika SPAK, Edi Rama certifikon vjedhjet në Bashkinë Tiranë dhe mashtron studentën për të 12-in vit