Kristiano Ronaldo mendon se është futbollist më i mirë në histori dhe këtë e thotë me bindje të plotë në një intervistë që ka dhënë për “La Sexta” në Spanjë. Fillimisht, Ronaldo ka dashur të bëjë të qartë idenë e tij që kampionati në Arabinë Saudite është shumë i fortë, më i fortë se ai ku luan rivali i tij i përjetshëm, Lionel Mesi.
“Nuk mendoja se do të rritej kaq shpejt, por e dija që kampionati do të ishte shumë i fortë, siç është tani. Qartësisht, kampionati në SHBA është më i dobët se ai i Arabisë. Njerëzit që flasin nuk e dinë atë që thonë, vetëm ata që luajnë e dinë”, tha portugezi.
Më pas, ai u ndal te tema e golave të shënuar në karrierë dhe sipas tij, nuk ka dyshime kush është më i miri.
“Njerëzit janë pak të fiksuar me çështjen e 1 mijë golave, edhe pse e di që është edhe faji im. Por njerëzit nuk vlerësojnë momentin tim aktual. Kjo nuk më pëlqen, sepse gjërat duhet të vijnë natyrshëm. Më i miri i historisë jam unë. Shifrat janë aty për të gjithë për t’i parë”, tha Ronaldo.