Deputetja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Orjola Pampuri, ka reaguar në ditën botërore kundër kancerit, duke u shprehur se buxheti i shëndetësisë në Shqipëri është më i ulëti i vendeve të Rajonit, ndërsa medikamentet janë të pasigurta për nga cilësia, për shkak të mungesës së kontrollit.
“Buxheti për shëndetësinë mbetet në nivele tepër të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit, dhe shqiptarët paguajnë taksa, por për shërbimet shëndetësore paguajnë mbi 60% të shpenzimeve nga xhepi. Cilësia e medikamenteve për barnat e rimbursueshme në më të shumtën e rasteve është tepër e ulët dhe destinacioni nga ato vijnë mbetet i pasigurt, dhe shumë larg standardit të certifikuar nga EMA dhe FDA.” – shkruan Pampuri.
Më poshtë postimi i Pampurit:
Sot është dita botërore kundër kancerit, një ditë që shërben për të rindërtuar agjendën e 365 ditëve të ardhshme të punës për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, që është thuajse në të njëjtat nivele risku me sëmundjet kardiovaskulare.
Nevoja për përmirësimin e shërbimeve, shtrirjen e të gjitha këtyre shërbimeve me kapacitet të plotë në të gjitha qarqet, mbulimi me medikamente pa asnjë mungesë, përmirësimi i kushteve në njësitë e shërbimeve, është imediate.
Të flasësh për faktorët e riskut, pa diskutim ka rëndësi të veçantë dhe bën pjesë te parandalimi, që përfshin një sektor të veçantë, atë të promocionit shëndetësor si burim i një informacioni të detajuar, punuar nga një ekip multidisiplinar, për të depërtuar si duhet në mendësinë e një brezi të ri, i cili ka një qasje jo fort të shëndetshme sa i përket të ushqyerit dhe stilit të jetës, që në statistika përkthehet në faktor risku për tumoret.
Të gjitha këto sa më lart duan ekspertizë, por mbi të gjitha buxhet. Dhe pikërisht këtu mbetet e gjithë vështirësia e përmbushjes së prioriteteve sa më lart.
Buxheti për shëndetësinë mbetet në nivele tepër të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit, dhe shqiptarët paguajnë taksa, por për shërbimet shëndetësore paguajnë mbi 60% të shpenzimeve nga xhepi. Cilësia e medikamenteve për barnat e rimbursueshme në më të shumtën e rasteve është tepër e ulët dhe destinacioni nga ato vijnë mbetet i pasigurt, dhe shumë larg standardit të certifikuar nga EMA dhe FDA.
Fjalët dhe këshillat le t’ua lëmë ekspertëve; shqiptarët, nga ata që janë në krye të ministrive dhe qeverisë, duan akte konkrete. Por mesa duket, të vetmet akte konkrete në sektorin e shëndetësisë janë koncesionet dhe tenderat korruptivë, që sado i fshehën e i mohuan, sot disa prej tyre që i mohonin, po “gëzojnë” frytet e mashtrimeve në kurriz të shëndetit të shqiptarëve, prapa hekurave.