Kur petalet vyshken dhe shkuma shpërndahet, dy fjalë për rapsodët e rinj të oborrit socialist

Nga Rigels Seliman

Të rinjtë socialistë u rreshtuan përballë kryeministrit Edi Rama si një kor i harmonizuar, të gatshëm për të recituar vargjet e radhës me patos dhe përkushtim. Me një zjarr të shenjtë në sy dhe një zell që do ta kishte zili çdo predikues kishe, ata shpallën me solemnitet se Partia Socialiste është toka, ajri, dielli dhe ndoshta edhe universi vetë. Po, po! PS është frymëmarrja jonë, është drita në fund të tunelit, është vetë kuptimi i ekzistencës, ishte mushti i fjalimeve të shokëve e shoqeve socialistë. Prit, mos vallë është dhe uji i bekuar që shuan etjen e shpirtrave të etur për ide të mëdha?
E teksa ky spektakël zhvillohej, kryeministri i vëzhgonte me buzëqeshjen e tij enigmatike, duke menduar me vete: “Sa bukur recitojnë! Ja, ky është brezi i artë i politikës sonë! Jo rebelë të bezdisshëm, jo kritikë të padurueshëm, por rapsodë të bindur, të cilët jo vetëm që nuk pyesin, por madje ngazëllehen e nxjerrin jargë e shkumbë nga goja kur duartrokasin e duartrokiten”.
Po, të rinjtë socialistë nuk pyesin, sepse pyetjet janë të rrezikshme. Pyetjet të bëjnë të mendosh, të analizosh, të kuptosh, dhe mbi të gjitha, të vësh në dyshim. Ndërsa këta të rinj nuk kanë nevojë për këtë lodhje mendore. Për ta, e vërteta është e thjeshtë: partia ka gjithmonë të drejtë! Nëse dikush guxon të thotë të kundërtën, duhet të jetë i verbër, i painformuar, ose, mos o Zot, një armik i paguar nga opozita!
Dhe kështu, nën dritën e reflektorëve, petalet e trëndafilit socialist lulëzojnë. Fjalët e tyre rrjedhin me shkumë entuziazmi, duke u përplasur me ekranet televizive si një spektakël i përsosur për audiencën. Por çfarë ndodh kur dritat fiken? Kur kamera ndalon së regjistruari dhe lideri i madh largohet nga salla, i qetësuar që brezi i ri është ende në shërbim?
Atëherë vjen heshtja. Sezoni i petaleve të trëndafilit mbaron dhe fillon ai i gjembave. Disa prej tyre do të lodhen duke pritur që idealizmi i tyre të shpërblehet me ndonjë post modest. Disa do të kuptojnë, ndoshta me vonesë, se politika nuk është poezi dhe besnikëria nuk ka gjithmonë shpërblim. Dhe të tjerët… e po, të tjerët do të vazhdojnë të recitojnë, derisa një ditë të zbulojnë se dielli i politikës ka perënduar, dhe me të ka shkuar edhe drita që u ndriçonte rrugën. Sepse historia ka treguar gjithmonë një të vërtetë të thjeshtë: Petalet vyshken. Dhe kur nuk të kanë mësuar të ecësh vetë, e vetmja gjë që të mbetet është të shohësh nga qielli dhe të lutesh që dielli të mos perëndojë kurrë!

Artikulli paraprakDita botërore kundër kancerit/ Orjola Pampuri: Buxheti i shëndetësisë i pamjaftueshëm, medikamentet të pasigurta
Artikulli tjetërInfermierja vetëvritet duke u hedhur nga pallati, la pas fëmijën 2 vjeç!