Denoncimi i Mirela Karabinës: Matura Shtetërore jashtë funksionit, Edi Rama mban peng aplikimin në universitete

Nga Mirela Karabina

Matura Shtetërore është një proces i dështuar dhe dalë jashtë kohe pasi provimet e saj nuk janë përcktuese më për t’u pranuar në universitet sepse Reforma në Arsimin e Lartë përmes Ligjit 80/2015, neni 74, ia njeh këtë të drejtë universitetit.

Mirëpo, edhe pse 10 vjet “refomë”, Edi Rama mban peng aplikimin në universitete duke mos ia lejuar këtë të drejtë universitetit, ashtu siç ligji e përcakton.

Dhe çdo vit këtë periudhë fillon propaganda me maturantët për plotësimin e formularëve në një proces të gjatë aplikimi disa mujor, jo transparent duke i futur në stres të panevojshëm ata dhe familjet e tyre.

Kur është fare e thjeshtë, maturantët aplikojnë direkt në universitet sipas ligjit përmes kritereve dhe universiteti shpall vetë fituesit.

Po pse Rama nuk zbaton Ligjin e Arsimit të Lartë të propaganduar me të madhe prej tij edhe pse i kundërtuar nga stafet akademike asokohe?

Sepse Rama ligjin e përdor si letër bakalli sipas interesit dhe shtetin si pronë të tij!

Ai ka kapur për “fyti” universitetin dhe e drejton vetë procesin e shpërndarjes së studentëve në to.

Matura Shtetërore është proces i dështuar, kreu misionit vitet e para të zbatimit dhe të paktën duhet të ishte ndalur që më 2015-ën kur ligji i Arsimit të Lartë hyri në fuqi. Keqadministrimi i provimeve ndër vite ka deformuar rezultatin real duke i dhënë maturantëve prej 20 vitesh modelin e shformuar të provimeve të shtetit.

Qëllimi i Reformës së Ramës në Arsimin e Lartë më 2015-ën nuk ka qenë zhvillimi por përfitimi prej saj, duke cënuar autonominë universitare dhe duke i lënë universitetet në udhëkryq me cilësi të ulët në mësimdhënie, kurrikula të vjetëruara dhe të palidhura me tregun e punës.

E sot, në vend të flasin për investime dhe ndryshime të infrastrukturës shkollore, për aftësim e cilësi të nxënësve dhe studentëve që t’i përgjigjen kërkesave në rritje të një tregu që ecën me shpejtësi zhvillimi, Rama dhe ministrja e arsimit merren me formularë bajatë, A1 e A2 e AZ e raunde që nuk mbarojnë.

Dhe kjo është e qëllimishme, pasi Edi Rama ka centralizuar procesin, kontrollon shpërndarjen e studentëve në univeristete përmes abuzimit dhe shërbimit klientelist në kurriz të së ardhmes dhe të zhvillimit të vendit.

Artikulli paraprakZbulohet dokumenti i “Home Office”: Bandat kriminale shqiptare, shqetësim për Britaninë! Drejtuesit e tyre kryejnë krime të tmerrshme
Artikulli tjetërZgjedhjet e 11 majit, Pampuri zbulon planin e Demokratëve Euroatlantikë: Javën e ardhshme shpallim grupin e parë të kandidatëve