NGA HYQMET ZANE/ Ndryshimi i sistemit në Shqipëri pati si prolog vrasjet politike jo vetëm në kufi, por edhe në Shqipërinë e Mesme. Më 3 shkurt 1990 nisi vrasja si në Postën Kufitare të Rehovës në Rrethin e Kolonjës. Ilirian Zari ishte i pari që u vra nga ushtarët dhe varri i të ndjerit u identifikua nga familjarët në vitin 1991. Po kështu, edhe më 25 shkurt 1990 në kufirin e Peshkopisë në malin e Korabit u vranë dy djem, Sokol Hado dhe Frederik Haruni dhe u plagos e më pas u burgos Enver Malko, që të tre nga Cërriku. Në një porosi të udhëheqjes së asaj kohe thuhej: “Ndaj këtyre tradhtarëve pse nuk përdoren armët? Pse i kanë ushtarët? Me orë të tëra njësitet kanë qenë në gjumë”.
PROLOG
Për ne, shqiptarë të ardhur nga Çamëria, dhe trashëgimtarëve të tyre, për fatin e keq, në një shekull jeta e tij u bë skëterrë e vërtetë si në gjysmën e parë të shekulli XX në nën regjimin monarko-fashist grek, ashtu edhe në gjysmën e dytë në regjimin e diktaturës staliniste të Enver Hoxhës. Krahasuar kjo me fatin e popullit polak, që në vendin e tij u përball keq si me Rusinë në Lindje, ashtu edhe me Gjermaninë në Perëndim, keq andej e keq këndej.
Çdo familje çame i provoi mbi kurrizin e vet të këqijat ekstreme, sikur të kishin prishur shenjtërinë e kësaj bote dhe jo që Çamërisë dhe popullatës së saj ia prishën shenjtërinë e jetës, banimit, pasurisë bukurisë dhe jetës në paqësinë e saj. Se çfarë pësoi popullata çame nga Greqia, tanimë është një kapitull i ditur, qartësisht i dukshëm, edhe pse ende pa ndëshkim të fajtorëve që i shkaktuan ato masakrime gjenocidiste tipike greke. Por sikur të mos mjaftonte kjo, ardhja e detyruar në Shqipëri pati privacionet e veta që arritën ekstreme në keqtrajtimin fizik, moral, ekonomik dhe shpirtëror. Do të veçoja në këtë histori tragjedish dhe keqtrajtimesh, një familje nga fshati Varfanj i Çamërisë, që pikërisht në prag të nisjes së tranzicionit demokratik, do të pësonte një tragjedi të rëndë.
NJË HISTORI NË SHQIPËRINË E MESME
Beqir Nexhipi u largua nga Varfanji i Çamërisë në qershor të 1944-ës, duke i shpëtuar fatmirësisht vdekjes nga andartët e Napoleon Zervës, që po shfaroste popullatën çame. Në vitin 1948 në Vlorë u lidh me Hedo Hamzai nga Vërsela dhe nga kjo martesë erdhën në jetë 5 fëmijë, 3 vajza dhe 2 djem, i pari i fëmijëve, Myfiti, lindi në Vlorë më 15 prill 1952. Pikërisht ky djalë i pari i familjes do të ishte ai që pati pasoja fatale në lulen e rinisë nga sistemi diktatorial, që në atë kohë, në fillimvitin 1990, do të pësonte një tragjedi të rëndë dhe tipike staliniste, të pamëshirshme të kryer nga policia sekrete e regjimit famëkeq të Enever Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Nga Vlora në Sukth, ku Myfiti e kaloi jetën, u arsimua në shkollën mekanike në Durrës dhe u punësua si mekanik në Parkun e Eksportit, gjë e cila i dha mundësinë të kuptonte jetën e vështirë që bënin gjithë shqiptarët nën sistemin komunist. Inteligjenca e këtij djali bënte që të kuptonte më thellë se jeta e “bukur” në sistemin komunist ishte një gënjeshtër e madhe në raport me atë që jetonte Europa Perëndimore, por edhe ajo Lindore. Propaganda e gënjeshtërt e zemëronte Myfitin, që pati rastin të shikonte të vërtetat me sytë e tij për shkak të vendit të punës. Me zgjuarsi dhe kujdes në ambiente mes miqsh, ai nuk hezitonte të shprehte përjetimet e tij dhe e ndjente nevojën për liri e demokraci si në botën e qytetëruar.
Ishte koha kur në Europën Lindore kishin nisur lëvizjet demokratike për ndryshimin e sistemit social-komunist. Njerëz si Myfiti, që dinin të bënin dallimet mes dy botëve të kundërta, e shqetësonin regjimin dhe njerëzit e saj që ishin bërë si të çakërdisur nga ndërgjegjësimi i shqiptarëve për ndryshim. Kishte pasur një procesion në Shkodër me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe më pas u bë Sukthi, vendi ku ndodhi një tragjedi dhe një revoltë popullore antikomuniste. Fatkeqësisht u bë Myfit Nexhipi, me vdekjen e tij të parakohshme si një prosecion antikomunist ndaj regjimit të diktaturës staliniste. Bisedat e Myfitit mes miqve u bënë pjesë edhe e organeve të policisë sekrete të kohës, të cilët e morën dhe e çuan në policinë e Vorës më 16 maj 1990 në orën 16:00 me pretekstin për një sqarim. Preteksti ishte sqarim, sepse gjithçka do të ishte një masakrim tipik antinjerëzor, i cili u shoqërua me tortura për 10 orë. Asnjë nga familja nuk dinte se çfarë po bëhej me burrin e shtëpisë me 4 fëmijë të parritur. Sigurimsat e tërbuar i morën jetën 38-vjeçarit, djalit të një nëne që mbeti me gjak të ngrirë se përse ky fat i zi që po e shoqëronte këtë familje si në Çamëri nga Zerva, ashtu edhe nga diktatura si më 1960-1961 dhe në fund të diktaturës më 1990.
PABESIA E SIGURIMIT
Përpara faktit të kryer, policia sekrete u përpoq të fshihte krimin që kishte shkaktuar me pohimin e një infarkti në zemër, por nuk ia doli dot me gënjeshtrën e stisur. Ekspertiza mjeko-ligjore e doktorit human Xhemal Zeneli në Tiranë nxori në pah shkakun e vërtet të vdekjes dhe identifikoi të gjitha torturat e ushtruara mbi Myfitin. Ishte një krim i kryer në grahmat e fundit të një regjimi gjakatar si shumë krime që u bënë në atë periudhë pas varjes së poetit Havzi Nelaj, apo vrasjet në kufi dhe tërheqja e trupave të djemve të rinj me kavo çeliku për të tmerruar e frikësuar popullin se kështu do e pësonin.
REVOLTA E PARË ANTIKOMUNISTE
Vdekja e një burri nga Çamëria dhe ceremonia e varrimit të tij u kthye në një procesion për të shprehur revoltën jo vetëm të Sukthit, por edhe të ardhurve nga qytetet e tjera si Durrësi e Tirana, ku u manifestua urrejtja ndaj policisë dhe sidomos ndaj sistemit komunist të kohës që vrau një burrë të nderuar, bashkëshortin e një gruaje me 4 fëmijë, djalin e enjë nëne dhe vëllain e dy motrave dhe 2 vëllezërve të tij. Përcjellja e Myfitit drejt banesës së fundit u kthye në një revoltë ndaj komunizmit dhe u shoqërua me thirrje dhe shprehje kundra sistemit, që ai ndante me miqtë e familjarët e tij. Mbarsja e pakënaqësive ndër vite që i kishte bërë sistemi popullit të vet dhe krimi që po merrte jetë njerëzish u bënë bashkë në një mort si një shprehje e urrejtjes qytetare ndaj padrejtësive dhe kriminalitetit. Për familjen Nexhipi ishte një humbje e rëndë. Për farefisin dhe çamët që e njihnin dhe kishin jetuar me të ishte një vrasje e dorës së zgjatur greke për të vazhduar gjenocidin në forma të tjera edhe brenda, të njëjtët bashkëkombës me ndryshime ideologjike.
Për opinionin qytetar ishte një thirrje për protestë dhe përmbysje të sistemit. Nuk do të kalonin shumë muaj dhe revoltat e protestat ndaj atij sistemi do të ishin potencialisht të arritura. U desh vdekja e një njeriu që populli të kuptonte kriminalizimin që i bëhej shoqërisë shqiptare në pragun e rënies së sistemit. Me shembjen e sistemit komunist dhe drejtimin e vendit nga Partia Demokratike, Myfit Nexhipi u dekorua nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, me medaljen “Martiri i Demokracisë, që dha jetën me forcat e errëta të diktaturës komuniste për të mbrojtur idealet e pastra të demokracisë që po lindte”. Jeta e tij shërbeu si nxitje e një revolte masive kundër diktaturës në varrimin e tij më 18 maj 1990.
EPILOG
Babait të Myfitit, Beqir Nexhipi, këtij burri të shkolluar në Janinë që nuk arriti të merrte vesh vrasjen e djalit të tij, nuk do ia kish marrë mendja që gjenocidi ndaj familjes së tij do vazhdonte kaq i stërzgjatur nga ai e Greqisë në Çamëri, me vrasjen e djalit në Shqipëri. Ai e provoi persekutimin edhe mbi kurrizin e tij, por nuk e merrte me mend se do ia vrisnin djalin, dritën e syrit, që e rriti me mundime të mëdha. Ndërsa nënë Hedua, e veshur në të zeza i mban duart në gji me mendijen tek djali që e gëzoi kur lindi dhe e hidhëroi me vrasjen tragjike nga policia kriminale e një sistemi që po jepte shpirt dhe që në fund të jetës u bë një bishë e tërbuar, që nuk e duronte dot të vërtetën e padrejtësive që iu ishin bërë popullit të tij.