“Shqiptarët të mos pranojnë të trajtohen si dele nga Rama”, Basha: Më 11 maj ndryshimi është në dorën tuaj për të larguar këtë pushtet të korruptuar

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Drejtë” në Ora News, theksoi se shqiptarët duhet të marrin përgjegjësinë dhe të mos lejojnë që të manipulohet vullneti i tyre. Basha u shpreh se pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri Edi Rama ka krijuar një sistem të korrupsionit dhe manipulimit, duke shtuar se ka ardhur koha për një bilanc të këtij pushteti.

Ai bëri thirrje për një mobilizim të qytetarëve dhe një alternativë të re për të larguar Ramën nga pushteti në zgjedhjet e ardhshme. “Përgjegjësia për largimin e një kryeministri që e ka mbushur kupën është e çdo shqiptari”, shtoi Basha.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Kam vënë re në qëndrimet tuaja publike të kohëve të fundit që insistoni të mos merreni me zotin Berisha, t’i shmangeni komenteve dhe polemikave me zotin Berisha, sepse konsistenca juaj është për t’u marrë me kryeministrin e Shqipërisë, do t’i qëndrojmë kësaj linje dhe sonte?

Lulzim Basha: Gjykoj se kjo është detyrë publike, edhe nëse do të ishim në Zvicër apo në Islandë. Ndërsa kjo jo vetëm është korrekte në gjykimin tim, në bindjen time. Por do ta çoj një hap më tej, shqiptarët janë marrë shumë gjatë, e kanë lënë pas dore shumë gjatë Ramën, duke u marrë me thërrimet e tij e shfaqjes që ai servir, pikërisht që të mos merremi me të. Ndërkoh që ka hyrë në vitin e tij të 12 si kryeministër dhe kur koha ka ardhur dhe për shumëkënd ka shkuar që të bëjë një bilanc objektiv i çfarë ai ka përfaqësuar në këto 12 vite, në veçanti kjo para zgjedhjeve që po afrojnë. Prandaj absolutisht është fatkeqësi e madhe që nuk merremei mjaftueshëm me Ramën, sigurisht ky është një luks që ia jep dhe zoti Berisha.

Pyetje: 12 vite kryeministër pa ndërprerje megjithëse qeverisja e zotit Rama ka aksesor të rëndësishëm të vetët, shumë afera korruptive dhe kriminale. 12 vjet kryeministër në fakt edhe prej kontributit tuaj.

Lulzim Basha: Absolutisht jo. Duhet të jemi të qartë që demokracia vjen me një përgjegjësi të madhe, ku çdokush një herë në 4 vite ka pushtetin absolut përmes votës për të kontribuar, për të mbajtur apo shkarkuar një qeveri. Roli i çdo formacioni që është përballë qeverisë, roli i opozitës është të përfaqësojë alternativën. Dhe unë gjykoj se përgjegjësitë e mia në raport me jo vetëm në përfaësimin e alternativës, por edhe në përpjekjen për të çmontuar një sistem të ngritur jo vetëm nga zoti Rama, të çuar në perfeksion nga zoti Rama, për të manipuluar dhe devijuar vullnetin e qytetarëve, mendoj që janë beteja epike të cilat janë të paprecedenta jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë demokracitë hibride. Kjo nuk do të thotë që përgjegjësia ime shkarkohet, për sa kohë unë e ndjej këtë përgjegjësi për t’ju ofruar shqiptarëve srish, së bashku me kolegët e mi një alternativë, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Por në fund përgjegjësia për largimin e një kryeministri që e ka mbushur kupën është e çdo shqiptari që e ndjen të njëjtën gjë dhe që në 11 maj ka votën për ta hedhur votën dhe për të treguar që nuk pranon më të trajtohet si dele dhe zgjedh një alternativë që i mbush mendjen se do ta përfaqsojë apo të plotësojë interesat e saj.

Artikulli paraprakA e kaluam pikun e gripit? Bie kurba e infektimeve, por Tirana ende me raste të shtuara
Artikulli tjetërBasha: Jam përballë Trekëndëshit të Bermudës, të bëhet Vettingu i politikanëve!