Një fermer në Vlorë ka denoncuar qeverinë për mos dhënien e dëmshpërblimit të serave dhe gjendjen dramatike të dëmtimit të prodhimeve. Në denoncimin e postuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, qytetari shprehet se fermerët po falimentojnë dhe se kanë shitur mallin me çmim të lirë. “Fermeri dixhital denoncon gjendjen dramatike për shkak të dëmtimit të serave dhe mashtrimin e qeverisë për dëmshpërblinin e tyre”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit si dhe fotot e dërguara prej tij.
“Përshendetje zoti Sali Berisha. Këto janë dëmet e serave në Hoshtim, rrethi Vlorë. Bujqësia dhe fermeri s’ka marrë asnjë dëshpërblim. Falimentuam, kemi punuar 6 muaj me domaten dhe kemi shitur gjithsej 6 kuintalë me 3 lekë të vjetra kilogramin. Po u dërgoj dhe disa foto nga dëmet”, shkruan qytetari.
Nga Vlora, Fieri në Elbasan, nga Dibra në Shkodër, fermerët kanë raportuar dëme të rënda nga ngricat e dëbora nga gjithë territori i vendit. Acari që zgjati disa ditë ka shkaktuar dëmtime të rënda prodhimeve në ara, por edhe në sera. Ndërkohë që edhe blegtorët kanë raportuar probleme me sigurimin e ushqimit të bagëtive. Shumë prej fermerëve kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për daljen nga situata e vështirë, veçanërisht pas lajmeve që vendi do të përfshihet përsëri nga temperaturat e ulëta.
Fermerët e Qarkut Dibër, thonë se prodhimet e tyre janë prishur nga acari i madh i janarit. Që nga frutat e deri tek perimet, në këtë qytet gjithçka është dëmtuar. Tregtarët thonë se në mungesë edhe të një tregu të mbyllur, ata janë detyruar që të tregtojnë jashtë, duke bërë që prodhimet të prishen shumë shpejt. Qeveria ka premtuar se do t’i dëmshpërblejë, por ky ka qenë mashtrimi i radhës nga Rama, pasi në asnjë rast ata nuk janë dëmshpërblyer.