Aktiviteti në sektorin e pasurive të paluajtshme ka pësuar një rënie të fortë vjetore në tremujorin e fundit të vitit 2015 pas një rritjeje për katër tremujorë rresht.
Shifrat e INSTA treguan se, zhvillimet në tregun e pasurive pësuan një rënie vjetore me 5.9 për qind gjatë tetor-dhjetor 2015, por kjo duket të ketë qenë rënia më e madhe që sektori ka parë të paktën që nga 2013-ta.
Kjo tendencë është konfirmuar më parë edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila ka vërejtur se Indeksi i çmimit të banesave kishte pësuar rënie me bazë vjetore me 4.8% në tremujorin e katërt, pasi ishte rritur në tremujorët e mëparshëm.
Sektori duket se po vuan pasojat e mungesës së kërkesës e mbështetur kjo edhe me shifrat negative të konsumit të vitit 2015.
Burimet nga tregu, pohojnë se, rënien më të madhe e kanë pësuar transaksionet me tokat. Kërkesa për blerje pronash për qëllime biznesi ka pësuar rënie më të madhe se, kërkesa për banesa. Ky fenomen reflektohet edhe në ulje të çmimeve për metër katror në zonat me intensitet të lartë industrial si autostrada, Tiranës-Durrës dhe ajo Tiranë-Elbasan.
Nisur nga kjo situatë që ka shfaqur tregu i pasurive të paluajtshme në tremujorin e fundit, bizneset e sektorit kanë rënë në pesimizëm në këtë fillim vitit. Treguesit e biznesit në këtë sektor pësuan rënie të fortë në janar-mars me 16.7 pikë përqindje pas dy tremujorësh me rritje. Niveli i tij i optimizmit në sektorin e ndërtimit qëndron poshtë mesatares historike me 15.4 pikë përqindje dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9.0 pikë përqindje raportoi Banka e Shqipërisë.
Bizneset e sektorit pohojnë se, situata është përkeqësuar më tej, pasi qeveria ka ndryshuar rregullat e taksimit edhe për objektet në ndërtim, të cilat kishin kontrata e lidhura.