The Economist: A po i braktisin ëndrrat e tyre studentët dhe a ka rëndësi kjo?

Financat, konsulenca dhe teknologjia po gllabërojnë studentët më të mirë. A po i braktisin ëndrrat e tyre studentët dhe a ka rëndësi kjo, shkruan The Economist. Për të kuptuar si e shohin veten universitetet amerikane Ivy League, lexoni broshurat e tyre të pranimit. Duke shfletuar fotot e studentëve që qeshin në lëndinat e kampusit universitar, të krijohet përshtypja e institucioneve të përsosura për përparim intelektual.

Por bota tashmë ka një përshtypje tjetër për to. Universitetet elitare Ivy League tani shihen si vende ku mbizotërojnë politikat ultra-liberale “woke” dhe ku ngrihen tenda për të protestuar kundër luftës në Gaza.

Presidentët e katër universiteteve Ivy League kanë dhënë dorëheqjen që nga fundi i vitit 2023, pasi u akuzuan nga politikanët dhe ish-studentët se po tregonin mbështetje të hapur ndaj protestave për Palestinën.

Por vendi që këto kohë e simbolizon në mënyrë më të përsosur realitetin e universiteteve Ivy League, është Whitney, një muze në Nju Jork. Në shtator, 800 studentë u ftuan në këtë muze nga fondi D.E. Shaw, për të vështruar pikturat dhe skulpturat. Sipas të pranishmëve, qëllimi i eventit ishte që këta të rinj të zgjuar, të krijonin një ide të veçantë mbi suksesin.

Le të analizojmë se ku punësohen të diplomuarit e Harvardit. Në vitet 1970, 1 në 20 hynin menjëherë në fuqinë punëtore si të punësuar në financë ose konsulencë. Deri në vitet 1980, kjo shifër shkoi një në pesë; në vitet 1990, një në katër. Ndoshta kjo nuk është për t’u çuditur, sidomos duke pasur parasysh se ato ishin kohë të arta për Wall Street.

Por në çerekshekullin e kaluar, ka pasur një ndryshim edhe më të theksuar: në vitin 2024, rreth gjysma e të diplomuarve të Harvardit që hynë në fuqinë punëtore u punësuan në financë, konsulencë ose teknologji.

Pra, tani më shumë se kurrë, hyrja në këto universitete shihet si një rrugë e shpejtë drejt botës së korporatave. Së fundmi, Harvardi organizoi një panair aktivitetesh për studentët e rinj. Qindra klube parashtruan veprimtaritë e tyre: bletarë, zejtarë etj.

Por ndër klubet më të lakmuara ishin grupet paraprofesionale në konsulencë, investim dhe fusha të ngjashme. Disa klube pranojnë vetëm një përqindje njëshifrore të aplikantëve, duke u munduar të imitojnë përzgjedhjen për pranim të vetë universitetit: Ata që kanë fat nuk bëhen “anëtarë”, por “ortakë” ose “drejtorë menaxhues”.

“Aplikantët tërhiqen nga ekskluziviteti, tamam si një xixëllonjë që tërhiqet nga një fener”, thotë Luka (pseudonim), një student i vitit të katërt, i cili drejton një klub të tillë.

Anëtarët në klubin e Lukës kanë mundësi të krijojnë lidhje me bankat e investimeve si Goldman Sachs dhe fonde mbrojtëse si Citadel. “Ne kemi ish-studentë në të gjithë emrat e mëdhenj të kompanive”.

Klubet paraprofesionale janë thjesht pjesa më e dukshme e një procesi përzgjedhës, që u jep formë ngadalë ambicieve të shumë studentëve për të bërë praktikën në një nga shoqëritë e mëdha këshillimore.

Annushka, një studente e vitit të dytë, thotë se grupe të tilla dynden drejt studentëve të vitit të parë, për t’i këshilluar për karrierë. “Ata të bombardojnë vazhdimisht”, thotë Annushka. Ajo i bëri ballë tundimit për t’u bashkuar, por mori pjesë në seanca informuese.

Përkundrazi, Luka mbërriti në Harvard duke pritur që të përqendrohej në politikë, por nuk e bëri këtë. Ai anoi nga bota më konkrete dhe e matshme e financave, në fillim të vitit të dytë universitar. Sipas tij, kjo ishte mjaft vonë.

Luka thotë se është i habitur se sa herët fillon orientimi i karrierës: ai merr telefonata nga studentë që nuk e kanë filluar ende vitin e parë. “Unë i them: ‘Nuk do të flas me ty, shko bëj qejf, bëj gjëra të tjera, shijo vitin e fundit të gjimnazit”.

Nuk ka qenë kështu në të kaluarën. Deb Carroll, kreu i zyrës së karrierës në Harvard, thotë se njëzet vjet më parë, praktikat verore (shpesh të kryera pas vitit të tretë në universitet), mund të siguroheshin vetëm disa muaj përpara, madje edhe në fusha konkurruese si bankat e investimeve.

Këto ditë, praktikat bankare nisin procesin e punësimit që në vitin e dytë të studentëve. Disa studentë kanë tashmë plane për verën e vitit 2026.

“Është vërtet për të ardhur keq, – thotë zonja Carroll, – por nuk është diçka që mund ta ndalojmë”. Studentët në universitetet Ivy League ndiejnë tendosjen.

Në Universitetin Yale, disa studentë të vitit të dytë aplikojnë për praktika teknologjike që janë për vitet e treta, duke menduar se do të diplomohen herët. E gjithë kjo ngre pyetjen se për çfarë duhet të shërbejë një universitet. Universitetet Ivy League shihen si institucione ku ndiqet talenti dhe plotësohen dëshirat e studentëve, qoftë për t’u bërë dramaturg, studiues i kancerit apo ndonjë profesion tjetër. Ose edhe një bankier në Wall Street.

Sot, rekrutimi nga korporatat është bërë pjesë e jetës së kampusit universitar, që kur studentët hyjnë në universitet. Kjo atmosferë karrieriste mund të zhgënjejë disa studentë si Annushka dhe të joshë të tjerë si Luka. Sido që të jetë, përvoja e tyre në universitet formohet nga rekrutimi.

Një shoqe klase e Lukës, e cila bëri praktikën me të në një bankë investimesh verën e kaluar, u takua me gazetarin e The Economist në një kafene të shtrenjtë skandinave aty pranë Sheshit të Harvardit, një vend ku një pije latte kushton 8 dollarë.

Jashtë, protestuesit po shpërndanin fletushka ku thuhej se një student ishte shkarkuar nga puna si barist, sepse ishte përpjekur të krijonte një sindikatë.

“Unë shkova në kolegj duke mos ditur vërtet se çfarë doja të bëja, duke shpresuar se do të më vinte vetvetiu frymëzimi”, thotë ajo. “Kështu që provova fushën e financave”.

Ajo tani mendon se do të parapëlqente të ishte mësuese. Por nuk ju shmang rrugës së financave për të provuar një fushë tjetër, nga frika se kjo mund të dëmtonte shanset për të punuar në Wall Street.

Edhe protestat kundër luftës në Gaza kanë rekrutimet e veta. Studentët të cilët kërkojnë që universitetet të largohen nga kompanitë e lidhura me luftën, përplasen vazhdimisht me bashkëpunëtorët në klubin e Lukës. Disa studentë protestues mbulojnë fytyrat me maska ose shami në mënyrë që fotot e tyre të mos përfundojnë në duart e punëdhënësve të mundshëm.

(Disa kundërshtarë të protestuesve, si Bill Ackman, u kanë kërkuar rekrutuesve që të mos i punësojnë ata).

Mbajtja e mundësive të hapura

Kompanitë kryesore përfitojnë nga dëshira e të rinjve për të shmangur rrezikun, që provat tregojnë se është më i madh se sa duhet. Isaac Hacamo dhe Kristof Kleiner, dy ekonomistë në Universitetin Indiana, kanë studiuar “sipërmarrësit e detyruar”.

Studentët që diplomohen nga kolegjet elitare gjatë periudhave të papunësisë së lartë, krijojnë më shumë kompani. Këto firma kanë gjithashtu më shumë gjasa se mesatarja për të mbijetuar, për të marrë mbështetjen e kapitalit sipërmarrës dhe për t’u blerë. Studimi tregon se të diplomuarit me kualifikime të larta, po rrezikojnë shumë pak.

Kjo është një trysni e madhe për studentët. Por ata janë mjaft të rinj për të ndryshuar mendje. Një praktikant në një kompani në Silicon Valley nuk do të jetë domosdoshmërisht një ekspert i teknologjisë nesër. Në vitin 2011, Marina Keegan, studente në Universitetin Yale, shkroi një ese duke u ankuar për humbjen e shokëve të klasës që po mendonin për vende pune si bankierë ose konsulentë:

“Dua të shikoj filmat e Shloe-it, të ndjek shfaqjet muzikore të Markut, të punoj si vullnetare me Joe-in, të ha në restorantin e Annie-it dhe të dërgoj fëmijët e mi në shkollat e reformuara nga Jeff-i”.

Për fat të keq, Keegan vdiq në një aksident automobilistik disa ditë pas diplomimit. Megjithatë, më shumë se një dekadë më vonë, ne kontrolluam profilet e LinkedIn të njerëzve që ajo kishte përmendur.

Sot, secili prej tyre është duke punuar në fushën ku ajo kishte shpresuar se do të përfundonin. Studentët e sotëm mund ta gjejnë vendin ku përkasin, edhe nëse nuk është domosdoshmërisht një punë në një firmë financiare./ Monitor

Artikulli paraprakVIDEO/ PSG poker ndaj Monacos, hipotekë për titullin: shënon edhe Kvara!…
Artikulli tjetër“Sistemi ekonomik i qeverisë Rama skllavëron shqiptarët”, Basha: Programi ynë mbështet sipërmarrjen dhe rrit mirëqenien