Preç Zogaj: Zgjedhjet, nga do t’ja mbajë Kosova

Nga Preç Zogaj

Qytetarët e Kosovës do të shkojnë ketë të diel në kutitë e votimit për të bërë si asnjëherë tjetër më parë një zgjedhje pa lojëra fjalësh: Me SHBA apo kundër saj?

Për ta ekspozuar me një qartësi brutale ketë zgjedhje u ngjit në skenë me megafon në dorë, në kuptimin metaforik të fjalës, i ngarkuari me Misione të Posaçme i Presidentit Trump, Riçard Grenell. Ai tha se Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit, as për BE-në dhe NATO-n. Ai u kthye më pas në kohë duke shtuar se Kurti ka qenë  kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. “Mos u mashtroni!”- ishte apeli përmbyllës i tij drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Por nuk mbaroi këtu.

Në përgjigje të reagimit të Kurtit se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të mira se kurrë, Grenell e shtoi dozën duke shkruar se Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata Biden, NATO, BE-ja, Ambasada amerikane, Anthony Blinken, etj.”

Nga pikëpamja e përmbajtjes, tonit dhe momentit kur u lëshuan, deklaratat e zotit Grenell kontrastojnë formalisht me zakonet e mosndërhyrjes së një vendi në fushatën elektorale të një vendi tjetër. Por duhet ta themi se kjo është shumë relative kur flitet për përgjegjësinë e shtetit amerikan, i cili ka autorësinë numër një të çlirimit të Kosovës nga sundimi i gjatë serb, të pavarësisë dhe shtet-bërjes së Kosovës përmes shumë stërkëmbëshash, të garantimit sot e gjithë ditën të sigurisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Indiferenca apo asnjanësia e SHBA-së në këto kushte do të ishte njëlloj si ta linte Kosovën në gojën e ujqërve, viktimë të skenarëve ruso-serbe që ëndërrojnë të kthejnë prapa ku ka qenë fatin e saj. Ndaj është fat për ne që SHBA mbeten kaq aktivë në Kosovë, në Shqipëri dhe rajon.

Deklaratat e Grenell janë invandente, të drejtpërdrejta, pa precedent në qartësinë dhe ashpërsinë e tyre. Ato kontrastojnë me gjuhën e përdorur më parë nga zyrtarët e administratës Biden, të BE-së, të NATO-s, Francës, Gjermanisë, pra gjithë këtyre subjekteve që kanë patur në shumë raste  të njëjtat qasje ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij. Në fakt, kush i ka ndjekur zhvillimet amerikane nga një administratë në tjetrën duhet të kujtohet se kjo është  në përgjithësi gjuha e republikaneve kur  duan ta ndajnë shapin nga sheqeri. Pa kllapa. Dhe veprimet e tyre kështu janë.

Agora shqiptare ka zier këto ditë. Ka patur prej atyre që duke dashur t’i  shvlerësojnë anatemat  e Grenell janë marrë me jetën e tij private, kanë bërë lidhje  të shkurtra me aktivitetin e një diplomati që mban marrëdhënie me gjithë aktorët e një rajoni me konflikte për t’u menaxhuar,  kanë thirrur në ndihmë teori konspirative kundër tij.

Opinionet janë opinione. Por një gjë është fakt: Grenell ka folur në veshjen e përfaqësuesit zyrtar të Presidentit Trump për misione të veçanta.

Fjala e tij ka peshë. Reperkursionet e qëndrimeve të tij ndikojnë formimin  e qëndrimeve të administratës së re të Trump për Kosovën, rajonin dhe më gjerë. Siç e themi ne shqiptarët, Grenell, duke hedhur në lojë autoritetin e SHBA së dhe të vetin, i ka dalë borxhit në kohën e duhur opinionit  publik në Kosovë. Nesër nuk mund të thotë njëri se nuk e dinim.

Në personin e Kurtit, Grenell ka goditur pa dredha një hipokrizi tipike të politikanëve dhe shtetarëve  shqiptarë të vetëquajtur sovranistë. Këta e kanë zakon t’u trumbetojnë ndjekësve se kanë  marrëdhënie shumë të mira me SHBA. Edhe kur e sfidojnë. Edhe kur SHBA arrin në një pikë sa t’u përplasë derën. Duke spekuluar me injorancën e ndjekësve, ata referojnë një SHBA abstrakte, nganjëherë referojnë dy e tri SHBA. Në të vërtetë, sa i takon marrëdhënieve në nivel politik mes qeverive dhe institucioneve, ka vetëm një SHBA: qeveria, shteti, institucionet. Për të qenë partner i besueshëm dhe mik i SHBA nuk mjafton ta thuash ti. Duhet ta thonë edhe ata, duhet të të njohin edhe ata ty si mikun e tyre.

Pakënaqësitë ndaj qeverisë së Kosovës janë pika e vetme ku qeveria e Trump takohet me ish qeverinë e Biden, me BE-në dhe NATO-n. A mund të ndodhë të gabojnë gjithë këta vende dhe institucione  me kaq shumë peshë? Për asnjë arsye jo. Ka një gjë të madhe që nuk shkon në marrëdhëniet e Prishtinës zyrtare me vendet aleate e mike të Perëndimit.

Por demokracia, për sa të ekzistojë, i prodhon gjithnjë mjetet e vetëmbrojtjes nga rreziqet e izolimit apo largimit nga kursi. Kështu edhe në Kosovë ku ka një  opozitë plurale të fuqishme, si LDK, PD, AAK e tjerë, subjekte të cilat kanë shkruar historinë e Kosovës së pavarur e demokratike në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe BE-në. Dy prej tyre kanë kaluar ndërkaq në një proces reformimi e rinovimi të lidershipit.

Përtej përkatësive dhe simpative partiake, fati Kosovës dhe Shqipërisë janë marrëdhëniet e ngushta me SHBA dhe BE.  Sovraniteti  dhe  vetëvendosja e Kosovës, sikurse e Shqipërisë, janë  euroatlantike  në përcaktim, një  koncept krejt i kundërt me sovranizmin enverist të izolimit  dhe armiqësisë me  botën e lirë. Kosova  humb gjithçka po humbi  SHBA, perëndimin. Zaret janë hedhur.  Vjen momenti kur demokracia kthehet  ku i ka rrënjët. Përgjegjësia e zgjedhjes, me SHBA apo kundër saj,  bëhet sfidë e popullit./liberale.al

Artikulli paraprak“Sistemi ekonomik i qeverisë Rama skllavëron shqiptarët”, Basha: Programi ynë mbështet sipërmarrjen dhe rrit mirëqenien
Artikulli tjetërQeveria i bën dhuratë mbesës së Ulsi Manjës Landfillin e Bushatit