Trump thotë se ka folur me Putin për luftën në Ukrainë, Moska hesht

Presidenti amerikan ka konfirmuar telefonatën me Vladimir Putin.

Në një intervistë për mediat amerikane, Trump deklaroi se ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë më Putin dhe ai ka një plan konkret për t’i dhënë fund luftës, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Trump nuk pranoi as të tregonte se sa herë ka diskutuar me presidentin rus, por tha se Putin do që të mos shohë më njerëz duke vdekur.

“Shpresoj që lufta të mbaroj shpejt. Çdo ditë njerëzit po vdesin. Të rinj, njerëz të bukur. Ata janë si fëmijët tuaj, dy milionë që kanë vdekur pa asnjë arsye. Kjo luftë është kaq e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar.” theksoi ai

Megjithatë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, nuk ka mundur as ta konfirmojë e as ta mohojë telefonatën.

Presidenti republikan më parë kishte lajmëruar se do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar përfundimin e luftës.

Ai lajmëroi gjithashtu një telefonatë tjetër me Putin.

Ndërkohë një plan për t’i dhënë fund konfliktit pritet të paraqitet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nga i dërguari i Trump për luftën mes dy vendeve Keith Kellogg.

Plani parashikon ngrirjen e konfliktit në vijat aktuale të frontit, status të pacaktuar për territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia dhe garanci sigurie nga Perëndimi për Ukrainën.

Lufta e cila filloi me pushtimin e forcave ruse në Ukrainë shënon tre vjet ne 24 shkurt. Mijëra njerëz, mes tyre civilë të shumtë ukrainas janë vrarë në konflikt.

Artikulli paraprak69.8 % e zviceranëve votojnë kundër Iniciativës së përgjegjësisë mjedisore
Artikulli tjetër‘Vetëvendosje do të jetë në krye të Qeverisë edhe për katër vjet të tjerë’, analiza e REL: Çfarë e ka karakterizuar mandatin paraprak të Albin Kurtit