Këshilltari i sigurisë kombëtare të Donald Trump: Anëtarë të Departamentit Amerikan do të takohen me zyrtarë evropianë, ja arsyeja

Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz, ka thënë se zyrtarë të lartë të administratës do të takohen me zyrtarë evropianë këtë javë për mënyrën se si t’i japin fund luftës në Ukrainë.

 

Kujtojmë që dy ditë më parë mediat amerikane raportuan se Trump kishte pasur një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar hapat drejt një zgjidhjeje të negociuar.

Megjithatë, nuk ka pasur asnjë konfirmim të menjëhershëm të asaj bisede as nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga Kremlini.

Edhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, nuk pranoi të komentojë atë në një intervistë televizive.

Waltz tha se ekonomia ruse nuk po ecën mirë dhe se Trump “është i përgatitur të taksojë, të tarifojë, të sanksionojë” Moskën për ta çuar Putinin në tryezën e bisedimeve.

Por Waltz nënvizoi gjithashtu se administrata Trump po kërkon të përdorë angazhimet e kësaj jave për të filluar bisedimet për tërheqjen e një pjese të ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.

Ai tha se aleatët evropianë do të duhet gjithashtu të marrin një rol më të madh në mbështetjen e Ukrainës në vazhdim.

“Ato biseda do të ndodhin këtë javë. Dhe unë mendoj se një parim themelor këtu është se evropianët duhet ta zotërojnë këtë konflikt në vijim. Presidenti Trump do t’i japë fund. Dhe pastaj për sa i përket garancive të sigurisë, kjo do të jetë me evropianët”.

Artikulli paraprak‘Vetëvendosje do të jetë në krye të Qeverisë edhe për katër vjet të tjerë’, analiza e REL: Çfarë e ka karakterizuar mandatin paraprak të Albin Kurtit
Artikulli tjetërKredia për shtëpi arrin rekord të ri, u dhanë 545 milionë euro në 2024