Interi beson ende

Juventusi është një skuadër e fortë, por jo e pathyeshme. Gjashtë fitoret radhazi që ka arritur Interi, kanë bërë që trajnerit Stefano Pioli t’i rritet vetëbesimi për skuadrën që ai drejton. Sidoqoftë është një lloj optimizmi që frenohet në momentin kur e pyesin në lidhje me objektivat që kanë zikaltërit, atë të një bilete për në Champions League, tekniku frenohet disi duke deklaruar se nëse skuadra jep maksimumin asgjë nuk është e pamundur.
“Nëse nga jashtë dukej sikur në Appiano Gentile mbizotëronte konfuzioni, në brendësi të saj unë gjeta një rregullsi që nuk e kisha parë kurrë më parë tek ndonjë klub tjetër. Jemi duke kaluar një moment pozitiv. Ekipi nga ndeshja në ndeshje po rritet, por përsa i përket objektivave për një biletë në Champions League, mund t’u them se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje. Nëse bëjmë një gjë të tillë, gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh Pioli.
Më tej gjatë intervistës së tij, Pioli flet edhe për zërat që qarkullojnë në lidhje me afrimin e trajnerit të Atletico Madrid, Diego Pablo Simeone në krye të stolit zikaltër. Gjithashtu shuan çdo aludim të mundshëm për transferimin e Lionel Messit tek Interi.
“Kurrë nuk më kanë shqetësuar zërat, në lidhje me Simeonen në krye të stolit të Interit. Sigurisht që kam nën drejtim një skuadër të madhe dhe janë të shumtë ata që do të donin të ishin në vendin tim, por momentalisht jam unë timonieri i zikaltërve dhe është detyra ime të jap gjithçka për këtë klub. Përsa i përket Messit, është një argument i pabazë. Drejtuesit e ekipit e kanë thënë që është një dëshirë e parealizueshme, por besoj se transferimet big nuk do të mungojnë tek Interi”, përfundoi trajneri i zikaltërve.
Interi vijon serinë e fitoreve duke e çuar në 6 numrin e sukseseve radhazi në kampionatin italian. Zikaltërit e Stefano Piolit, kaluan në “Renzo Barbera” me rezultatin 0-1 Palermon duke u ngjitur në kuotën e 39 pikëve në Serinë A. Për herë të parë në këtë sezon, Interi lë pas në renditje Milanin dhe tashmë e sheh veten vetëm 1 pikë pas Lazios së vendit të 4-t. Duhej të vinte Joao Mario nga stoli që t’i jepte tre pikët skuadrës së Piolit. Portugezi realizoi golin e fitores për Interin duke zhbllokuar një sfidë, të cilën skuadra zikaltër e dominoi nga fillimi e deri në fund, por Icardi me shokë shpërdoruan shumë përpara portës.
Sinjalin e parë e dha pikërisht kapiteni. Në të 11-tën sulmuesi argjentinas kontrolloi shumë mirë topin pas një asisti perfekt të Mirandës, u lirua edhe nga mbrojtësit kundërshtarë, por goditja e Icardit ishte e dobët dhe u prit nga Posavec. Në të 22-tën portieri kroat i formacionit siçilian ndali tentativën e Candrevës, ndërsa disa minuta më pas Icardi tregoi se ishte në një ditë jo, duke shpërdoruar me portën e boshatisur pas një predhe të Brozovic që gjeti sërish në lartësinë e duhur Posavec. Pjesa e parë u mbyll me një goditje standarde të Icardit që përfundoi paksa mbi traversë. Edhe në fraksionin e dytë ishte Interi skuadra që diktonte ritmin. Në të 55-tën Pioli hoqi nga loja argjentinasin, Ever Banega për t’i bërë vend në formacion Joao Marios. 10 minuta më pas mesfushori portugez ia shpërbleu besimin trajnerit, duke realizuar një gol të bukur me një goditje fluturimthi pas një krosimi perfekt të Candrevës. Një gol me vlerë tri pikëshe për Interin.

Artikulli paraprakEtrit Berisha nuk thyhet, Atalanta kalon Milanin
Artikulli tjetërChelsea arratiset përsëri