Neli Demi
Akti I – Arresti
Në kryeqytetin e të papriturave, kryebashkiaku zbret nga froni jo si triumfator i projekteve të tij, por si protagonist i një skenari që as autorët më të guximshëm të “Noir Balkan” nuk do ta kishin imagjinuar. Opozita (non)grata e befasuar nga vrulli i aksionit, harron për një moment protokollin e duhur të reagimit dhe kalon nga dëshpërimi në përpjekjen për të marrë meritat – një sport popullor ky në tokën e shqipeve.
Akti II – “Fate” të lidhura ndërkombëtarisht
Ndërsa Meloni hedh pas krahëve partneritetin e përzemërt me KM-në tonë, ky i fundit mbetet sy për sy dhe dhëmb për dhëmb me realitetin e ri: një tavolinë “skenë krimi” si një thes boksi dhe një premtim solemn se do ta marrë ai vetë gjithçka në dorë. Sa për skeptikët, e përsërit dy herë, si për ta zyrtarizuar ligjërisht.
Akti III – Tirana në nekrologji
105 vjet kryeqytet dhe një festë që nga homazhi për historinë kthehet në një elegji për një administratë të rënë para kohe. Njerëz të panjohur me një kontribut po aq të panjohur për Tiranën parakalojnë në skenë, ndërsa publiku ndjek spektaklin pa ndonjë siguri nëse duhet të duartrokasë apo të heshtë me respekt.
Akti IV – “Bestselleri” i SPAK-ut
Një roman voluminoz del në qarkullim, përpiluar nga mjeshtrit e hetimit, ku emrat dhe ngjarjet përplasen me një intensitet që i lë pa gjumë lexuesit. Nëse ndokush dyshonte për lidhjet e pazakonta mes artit, ligjit, sportit dhe administratës, faqet e këtij vëllimi i japin përgjigje pa asnjë filtër.
Akti V – Protesta me efekt të vonuar
Një grup “qytetarësh” që i ndan pak më shumë se një fije peri nga vetë subjektet e romanit të SPAK, grumbullohen përpara selisë së institucionit. Një protestë plot ndjenjë dhe kërkesa të qarta: “Na ktheni lekët ose të paktën na ndryshoni fundin e romanit!” Një “copycat” protestë, e përkryer për të pasqyruar realitetin që shpesh na duket sikur e kemi parë diku më parë.
Akti VI – Kryeministri dhe mallkimi i romanit të pashkruar
Në një kthesë të papritur të fabulës, KM-ja, i mbetur në skenë pasi të gjithë aktorët e tjerë janë shpërndarë nëpër kapitujt e tyre, i drejtohet autorëve të romanit policor me një paralajmërim epik. Me një tonalitet mes kërcënimit dhe këshillës atërorë, ai u kujton se çdo roman ka kufijtë e tij dhe se një sequel me të në rolin kryesor do të ishte një gabim fatal për skenaristët.
“Në këtë vend unë i kam shkruar të gjitha historitë,” duket se thotë mes rreshtave, duke nënkuptuar se çdo dorë tjetër që guxon të mbajë penën për të, rrezikon të ngecë në një kapitull të pambaruar.
Dhe kështu, me një tension të ngrirë në ajër, skena mbyllet, publiku mbetet pezull mes frikës dhe kureshtjes, dhe SPAK, i ndodhur mes kanunit të ligjit dhe ligjit të kanunit politik, pyet veten:
A ta shkruajmë romanin, nëse po, KUR?