Mes shumë figurave që PS ka lëshuar në media 48 orët e fundit është edhe i pandehuri i SPAK që nga data 25 tetor 2024, Plarent Ndreca, i cili në një intervistë në median e paguar nga inceneratorët, ka thënë se ka probleme me procedurat dhe afatet nga ana e SPAK edhe për çështjen e tij pasi sipas tij nuk i kanë thënë gjërat në kohën e duhur.
Ndrecës mesa duket i ka ardhur momenti të hapë thesin e pakënaqësive ndërkohë që mbi të rëndon akuza e “shkeljes së barazisë në tenderë” për devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Hetimi ndaj Ndrecës nisi pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Në raportet e institucioneve në komisionin e ligjeve që aty kam ngritur shqetësim. Një nga shkeljet që kam trajtuar është shkelja e afateve të hetimeve që u pranua nga kryeprokurori. Kam dërguar shkresë edhe në rastin e çështjes që kam pasur me Prokurorinë e Posaçme, për një proces tërësisht të parregullt ligjor. Këto probleme i kam ngritur edhe në sallën e gjyqeve. Duhet ruajtur një ekuilibër. Institucionet e reja të drejtësisë duhet të merrnin kohën e tyre. Është koha e duhur. Që thuhen publikisht disa gjëra”, tha ndër të tjera ish-zyrtari për të cilin KLSH ka kërkuar përjashtimin nga Shërbimi Civil
Ndreca duke analizuar dhe rastin e arrestimit të Veliajt vijoi me refrenin e Ramës se SPAK ka dalë nga shinat e kushtetueshmërisë dhe se sipas tij arrestimi i Veliajt, i akuzuar për jo pak por 9 raste korrupsioni është flagrant.
“Rasti i Erion Veliaj është flagrant. Të nxjerrësh një drejtues bashkie të votuar nga 160 mijë zgjedhës është flagrant. Është në detyrë. Prokurorët kanë detyrë të mos prishin prova. Nuk mund nga paaftësia për të menaxhuar procesin të heqësh nga detyra”, tha i pandehuri Ndreca./ CNA