Shfaqen krisjet e para, lojtarët vënë në dyshim skemat e Amorimit

Yjet e Mançester Junajtid kanë vënë në dyshim nëse trajneri Ruben Amorim duhet të ndryshojë sistemin e tij të lojës. Trajneri portugez ka aplikuar një formacion 3-4-3 që kur u transferua në “Old Trafford” në nëntor.

Skuadra e tij deri më tani ka vuajtur në aplikimin e kësaj skeme, duke humbur tetë nga 20 ndeshjet me 40-vjeçarin në stol në të gjitha kompeticionit. Forma e dobët e “Djajve” ka bërë që ata të renditen në vendin e 13-të në tabelën e Premier Ligës. Sipas “Sports Mail”, disa lojtarë të skuadrës kanë folur nëse do të ishte më mirë të përshtatnin qasjen e tyre taktike në mënyrë që të arrinin rezultate më të mira në afat të shkurtër. Dhe ata kanë shqetësime se forma e tyre nuk do të përmirësohet nëse Amorim nuk bën ndryshime. Në fakt, ishtrajneri i Sportingut të Lisbonës ka shumë pak gjasa të bëjë ndryshime të rëndësishme dhe e ka përsëritur këtë disa herë deri tani.

Pas humbjes 2-0 të skuadrës së tij në shtëpi ndaj Njukasëllit në dhjetor, Amorim tha: “Më duhet ta shes idenë time. Nëse ndryshoj gjatë gjithë kohës do të jetë edhe më keq. Unë e kuptoj se ata kanë shumë vështirësi sepse kaluan dy vite duke luajtur në një mënyrë dhe tani po luajnë në një tjetër. Me shumë humbje, është vërtet e vështirë me ta. Mund ta ndjeni, gjatë lojës mund ta ndjej, por duhet ta shes idenë time sepse nuk kam një tjetër”.

Por pavarësisht pikëpyetjeve që rrethojnë sistemin e tij të lojës, deri më tani nuk ka sugjerime se Amorim rrezikon mbështetjen e lojtarëve të tij në dhomën e zhveshjes. Por ishmbrojtësi i Junajtid, Geri Nevil, ka ngritur gjithashtu shqetësime për vështirësitë e skuadrës së tij të vjetër për të përthithur stilin e lojës së Amorimit. “Mendova se do të bëhej më mirë kur Ruben Amorim të vinte, entuziazmi i tij dhe sistemi i ri, lojtarët do të pranonin dhe ne do të shihnim një kërcim, por ne kemi parë të kundërtën absolute dhe është bërë shumë më keq. Ata padyshim që do të mbështesin Amorimin. Por sa më shumë humbisni, aq më e vështirë është për menaxherin të bindë lojtarët për idenë e tij”.

Artikulli paraprakShefja e diplomacisë së BE, Kaja Kallas: Do të përpiqemi ta bëjmë funksional dialogun Kosovë-Serbi
Artikulli tjetërPropozimet për Vlorën dhe Shkodrën, por kryeqytet i vendit u bë Tirana! Ja kush ishin arsyet