Redin Hafizi
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dalë me një teori të re për të kundërshtuar votimin dhe numërimin elektronik. Ai ka thënë se nuk ka fonde të mjaftueshme në dispozicion për të organizuar një proces të tillë. Sërish nga kompani të specializuara dhe me eksperiencë në fushën e organizimit të votimit elektronik, një makinë që përdoret për këtë lloj votimi kushton 3000 dollarë amerikanë. Kryeqyteti i Shqipërisë ka numrin më të lartë të qendrave të votimit, pra 284 dhe me një matematikë të thjeshtë nxjerrim se shuma që duhet të paguhet për të blerë për çdo qendër votimi nga një makinë nuk është më e madhe se 852 000 dollarë amerikanë. Kjo shumë është sa 1/6 e shumës që Rama do të përdorë për blerje mobiljesh, rimodelim dhe mirëmbajtje të zyrave në Kryeministri. Nga taksat e shqiptarëve Rama ka marrë 6.6 milionë euro. Gjithashtu shuma që duhet për blerjen e makinave të votimit është sa 1/10 e shumës prej 10 milionë euro që Rama po e përdor për të ngritur sallat e tij të argëtimit në Kryeministri.
Nëse nuk do të përqendroheshim vetëm në Tiranë dhe të shohim shumën që do të duhet në mënyrë ekzakte për të blerë makinat do të gjenim se kjo shumë është 15 897 000 dollarë për të blerë makinat e votimit elektronik për 5299 qendra votimi në të gjithë vendin.
Pasi dolën me faktorin e kohës së pamjaftueshme, Edi Rama dhe skuadra e tij, kundërshtuan implementimin e votimit elektronik në procesin e këtij viti, duke e justifikuar me frikën se në rast dështimi faji do të mbetej tek opozita dhe tani Kryeministri ka nxjerrë kreun e KQZ për të folur për fonde të pamjaftueshme. Ndërkohë që koha dhe fondet janë, por ajo që mungon është vullneti politik i Ramës për të lëshuar pushtetin, pasi ai është i bindur se nëse nuk do t’i vjedhë këto zgjedhje, ai i ka të humbura.
Nga ana e saj, opozita ka shprehur me fakte jo vetëm mundësinë e implementimit të votimit dhe numërimit elektronik, por edhe benefitet që vijnë nga një proces i tillë zgjedhor. Për kohën e pamjaftueshme që Rama diskuton, ekspertë ndërkombëtarë të fushës kanë deklaruar se nuk duhen më shumë se 75 ditë, ndërkohë që sa për financimin e pamjaftueshëm ne mund të marrim si shembull implementimin e votimit elektronik në shtetin e Maryland në SHBA ku u nevojitën vetëm 67 milionë dollarë. Në rastin në fjalë ka qenë kompania Diebold, që ka pranuar të japë shifra ekspertes së sigurisë Kim Zetter në blogun “Wired” dhe që u kontraktua për të ndërtuar dhe mirëmbajtur procesin. Sipas informacioneve të kësaj kompanie, një makinë për votimin elektronik, që është e pajisur me touch-screen, kushton 3000 dollarë. Në shtetin e Maryland, sipas statistikave të vitit 2016, jetojnë 6 037 456 banorë, pra dyfishi i popullsisë që jeton në Shqipëri. Gjithashtu ky shtet vendosi që të blente 19 000 makina për të kryer votimin elektronik, të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë territorin.
Duke përdorur rregullën e treshit del se shpenzimet për të zhvilluar një proces zgjedhor përmes votimit dhe numërimit elektronik në Shqipëri do të jenë sa gjysma e atyre që u përdorën në Maryland, pasi edhe popullsia e Shqipërisë është sa gjysma e asaj në Maryland të SHBA. Pra, në vendin tonë nuk do të duhen 19 000 makina votimi, por vetëm 5299. Duke marrë çmimet e kompanisë që ka operuar në këtë shtet të Amerikës, atëherë 5299 makina votimi me një çmim prej 3000 dollarë për makinë del se me 15 897 000 dollarë mund të blihen makinat që do të mbulojnë në të gjithë vendin votimin elektronik në zgjedhjet e qershorit 2017. Pra, pasi me fakte doli se faktori i kohës së pamjaftueshme nuk qëndron, faktet tregojnë se edhe faktori i financave të pamjaftueshme si pretendim i radhës nga ana e Kryeministrit Rama dhe institucionet e tij, nuk qëndron. Nëse një qeveri nuk ka 16 milionë dollarë, atëherë është një qeveri e falimentuar. Megjithatë Rama nuk u tërhoq kur mori nga buxheti i shtetit 28 milion Euro thjesht për institucionin e kryeministrisë. Kjo shumë është sa dyfishi i asaj që nevojitet për të realizuar votimin elektronik.
Në çështjen e votimit elektronik mungon vullneti politik, pasi Rama kërkon që të kryejë vjedhjen e radhës, sepse është i bindur që shqiptarët nuk do ta votojnë më. Kur diskutohet për fonde të pamjaftueshme, kryebashkiaku i Tiranës hap tender me 140 000 euro thjesht për një ashensor, ndërkohë që Rama do të shpenzojë 10 milionë euro për luksin e tij në ambientet e Kryeministrisë. Ai do të përdorë këtë financim për të ndërtuar sallë masazhi e fizioterapie, një restorant personal, një sallë basketbolli, një sallë ekspozitash, një sallë kinemaje, një bar personal dhe një sallë për konjak dhe puro. Këto janë para që dalin nga taksapaguesit shqiptarë të shpenzuara për qejfet e Ramës. Këtu nuk po llogarisim qindra mijëra euro që harxhohen për blerje makinash luksoze për Kryeministrin dhe shpurën e tij.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për të shpenzuar për të patur një proces zgjedhor të drejtë dhe të pajisur me teknologjinë më të mirë që do të mbrojë votën e qytetarëve shqiptarë, Rama refuzon të hapë qesen e buxhetit të shtetit. Bëhet fjalë vetëm për 30 milionë dollarë për të blerë 10 000 makina që do të përdoren në procesin e votimit elektronik. Pa një investim të tillë, dihet se Reforma Zgjedhore është e kotë, pasi vetëm procesi elektronik garanton drejtësi dhe mosvjedhjen e votës, rikthen besimin e qytetarit tek vota e lirë dhe nxjerr me shpejtësi rezultatin e votimit, duke mos e zvarritur procesin e daljes së rezultateve me muaj. Ndërkohë që votimi elektronik ka edhe një aspekt social, pasi e bën të mundshëm votimin në mënyrë të pavarur edhe për persona me aftësi fizike të kufizuara.