Popullorët Europianë, të cilët janë shumicë në Parlamentin Europian dhe që së fundi arritën një fitore tjetër duke zgjedhur në krye të këtij institucioni Antonio Tajanin do të mbështesin PD në fitoren e zgjedhjeve. Kryetari i opozitës Basha e ka konfirmuar këtë gjatë ditës së djeshme, ku ai i është bashkuar takimit të Popullorëve Europianë në Bruksel.
Presidenti i ri i Parlamentit Europian ka konfirmuar në takimin me Bashën se, ai do të jetë i gatshëm që të mbështesë me përkushtim Shqipërinë nga kjo detyrë e re, gjë që më parë e ka bërë edhe në postin e komisionerit të Komisionit Europian. Tajani është pjesë e Forca Italia, një parti aleate e fortë e Partisë Demokratike, që drejtohet nga Silvio Berluskoni.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha merr pjesë në mbledhjen e partive të djathta europiane në Bruksel, ku diskutohet për politikën e Bashkimit Europian. Ashtu siç e ka deklaruar edhe përpara nisjes për në Uashington, zoti Basha pas Brukselit do të ndalojë në Gjermani, ku do të ketë takime me zyrtarë të CDU-së gjermane. Janë ekspertë të kësaj partie që kanë ndihmuar Partinë Demokratike për të hartuar programin ekonomik të qeverisjes së PD.
Aktualisht kreu i demokratëve po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane. Ka qenë një vit i mbarë për të Djathtën Europiane, sidomos me fitoren e Antonio Tajanit në krye të Parlamentit Europian. Duke parë se në qershor Partia Demokratike shkon për fitore në zgjedhjet e qershorit, arritjet në politikën e djathtë dhe fuqizimi politik i popullorëve të Europës është një garanci më shumë për fitoren e së djathtës shqiptare. Përmes një statusi në Facebook, Basha sqaron se, qëllimi i takimit është bashkërendimi i aktiviteteve politike gjatë këtij viti, ku për disa parti ky është vit elektoral.
“Nga Uashingtoni sot udhëtova drejt Brukselit, ku po marr pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, familjes së partive të djathta europiane ku bën pjesë edhe Partia Demokratike. PPE, si partia më e madhe në Komisionin dhe Parlamentin Europian, luan një rol kyç në politikën e Bashkimit Europian.
Një nga qëllimet kryesore të takimit është bashkërendimi i aktiviteteve politike gjatë këtij viti, i cili për disa nga partitë anëtare është vit elektoral, përfshi CDU-në e Merkelit, republikanët francezë dhe natyrisht, Partinë Demokratike të Shqipërisë. Familja jonë politike do të na ndihmojë dhe mbështesë fuqimisht për fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme”, shkruan në Facebook kryetari i PD, Lulzim Basha.
Në ambientet e Asamblesë kreu i PD Basha ka patur edhe një takim me Presidentin e sapozgjedhur të Parlamentit Europian, zotin Antonio Tajani. Po ashtu në faqen e tij zyrtare në Facebook zoti Basha ka folur edhe për këtë takim të përzemërt në Bruksel.
“Në Asamblenë Politike të PPE-së në Bruksel, mirëpritëm dhe përgëzuam Presidentin e ri të Parlamentit Europian Antonio Tajani, i cili u zgjodh me propozim të grupit të PPE-së në postin e Presidentit të Parlamentit Europian.
Presidenti Tajani i ka dhënë një ndihmë të madhe Shqipërisë si Zëvendës President dhe Komisioner i Komisionit Europian. Ai më shprehu përkushtimin e tij për ta mbështetur Shqipërinë edhe nga kjo detyrë e re”, shkruan Basha në një status në faqen zyrtare në Facebook.
Do të shporren
Sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë shtrëngohet litari në qafën e Ramës. Ndërsa e kishte menduar të lehtë betejën për zgjedhjet duket se, do të jetë më e vështira e jetës së tij. Mendonte se mund të merrte një mandat në tavolinë duke angazhuar bandat dhe kriminelët. Një skemë që e aplikoi mjaft mirë në zgjedhjet e vitit 2013 “kur bashkimi i qelbësirave” e solli në pushtet duke mbledhur rreth vetes vrasës, trafikantë droge dhe prostitutash. Pastaj e njëjta skemë u aplikua me sukses në zgjedhjet e pjesshme në Korçë, ku paratë e pista të krimit dhe korrupsionit u hodhën për blerjen e votave dhe gjithçka kulmoi me zgjedhjet në Dibër, ku bashkimi i opozitës kishte përballë bashkimin e krimit dhe trafikantët e drogës. Rama mendon se në të njëjtën mënyrë do të shkonte edhe në zgjedhjet e qershorit. Ai ka bllokuar nga maji i vitit të kaluar reformën zgjedhore. Votimi elektronik, një kërkesë e hershme e opozitës e bërë vitin e kaluar është injoruar, ndërsa tani po i thuhet opozitës se nuk ka kohë. Situata ka ndryshuar. Fitorja e zgjedhjeve presidenciale nga Trump dhe së fundi edhe zgjedhjet në krye të Parlamentit Europian të një të djathti të Forca Italias si Tajani e ka shkrehur Ramën. Ai e kupton se është kthyer në një kufomë politike. I ka rënë skema për të futur në dorë zgjedhjet përmes skemave të krimit. Çdo ditë që kalon ai e shikon veten edhe më të vetmuar dhe të izoluar. Aleatët e rinj të Shqipërisë në Perëndim kurrë nuk do të pajtoheshin me skemat kriminale të kapjes së votave. Pa kriminelë dhe pa blerje votash Rama është i humbur. Ai shikon humbjen dhe kërkon të mbajë zgjedhjet peng. Kjo në fakt vetëm se do të rëndojë pozitat e tij. Zgjedhjet sipas standardeve dhe me votim elektronik janë një kusht jo vetëm i opozitës. Një gjë është e sigurtë se, cilado të jetë zgjedhja e Ramës fundi i tij do të jetë tepër i hidhur. Rama do të shporret.