SPAK dhe GJKKO i kërkojnë Ministrisë së Brendshme pse nuk siguruan perimetrin e sigurisë pas seancës për Erjon Veliajn

Burime të VNA bëjnë me dije se SPAK dhe GJKKO i kanë dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për dijeni, si dhe Zyrës së BE-së në Tiranë, ku kërkojnë sqarime lidhur me arsyet pse nuk janë marrë masat për të siguruar perimetrin e sigurisë gjatë dhe pas seancës për Erion Veliajn. Qartazi, perimetri i sigurisë së godinës së SPAK dhe GJKKO ishte i pambrojtur, ndërkohë që mbështetës të kryetarit të bashkisë qëndruan aty për orë të tëra, penguan furgonin e Drejtorisë së Burgjeve, fyen dhe intimiduan prokurorët dhe gjykatësit, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të stafit.
Burime të VNA bëjnë me dije se Garda e Republikës ka kërkuar disa herë ndihmë për të menaxhuar mitingun e mbështetësve të Veliajt, të cilët e shkelën shumë herë perimetrin e sigurisë, por drejtuesit e policisë nuk kanë bërë asnjë reagim dhe kanë qëndruar indiferentë.
Në pamjet e publikuara nga mediat u pa qartë se mbështetësit e zotit Veliaj u përpoqën disa herë të kalonin perimetrin e sigurisë dhe ndaluan për disa minuta furgonin ku ndodhej kryetari i bashkisë. Gjatë gjithë kohës që zgjati procesi, në territorin rreth gjykatës dhe SPAK nuk u pa asnjë forcë policie, ndërkohë që vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vijon të ketë ende celularin e sekuestruar nga SPAK, pas dyshimeve se ka dekonspiruar një aksion për kapjen e bandave në Elbasan gjatë kohës që drejtonte policinë e këtij qyteti.
Nuk dihet ende nëse Prokuroria e Posaçme do të nisë një hetim për neglizhencë dhe shpërdorim detyre ndaj Policisë së Shtetit për këtë çështje, ku militantë të PS-së sulmuan verbalisht dhe jo vetëm godinën e SPAK dhe GJKKO, gjatë kohës që zhvillohej gjyqi për masën e sigurisë ndaj kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj./vna
Artikulli paraprakVotimi nga jashtë/ Mbi 200 mijë kërkesa për regjistrime, 131 130 të miratuara
Artikulli tjetërKonferenca e Bujanit, si u goditën nacionalistët nga sllavo-komunistët. Çfarë tregojnë dokumentet! Kosovës i njihej e drejta e…