Pafuqia e të plotfuqishmit…

Nga Albi Xhunga

Në pikën më të nxehtë të propagandës se administrata e re amerikane do të tërheqë mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi dhe se sekretari i shtetit do t’i heqë non gratta-n Sali Berishës, SPAK bën lëvizjen më të fortë që nga krijimi i tij, arreston Erion Veliajn.

Nëse deri në këtë moment me gjithë arrestimet e shumta të SPAK në eskalionin e parë të Rilindjes, ishin ruajtur aparencat, këtu maskat bien. Lëvizja e SPAK e detyron Edi Ramën të pozicionohet në krah të beniaminit të tij. Nëse Edi Rama i shpall luftë të hapur SPAK-ut nga frika se ky tashmë e ka kaluar vijën e kuqe dhe në hapin e radhës shënjestra mund të jetë ai vetë, apo se është i detyruar t’i dalë në mbrojtje haptas Erion Veliajt që ky të mos bëhet pentito e të hedhë në erë të gjithë Rilindjen bashkë me Edi Ramën, kjo ka fare pak rëndësi. E rëndësishme është se maskat ranë. Edi Rama dhe e gjithë Rilindja janë rreshtuar në krah të lali Erit, duke flakur në plehra narrativën qesharake se Reformën në Drejtëi e kishin bërë socialistët.

Mirëpo rreshtimi në krah të lali Erit është në fakt rreshtim në krah të Sali Berishës. Plani i deridjeshëm i Edi Ramës ishte që të shkonte në fushatën e 11 majit me narrativën e babait të Reformës në Drejtësi, ndërkohë që arrestimi i beniaminit të tij e përmbys krejt tablonë. Nëse deri dje kryeministri donte të vidhte autorësinë e reformës dhe t’u linte amerikanëve Noc Rrokun, sot është i detyruar të marrë Noc Rrokun mbrapsht dhe të nisë një betejë heroike ndaj republikës së prokurorëve.

Përpjekjet konfuze për t’u dukur sikur po shënjestron prokurorë të caktuar, por jo SPAK-un në tërësi, marrin fund me deklaratën se ‘’Socialistët duhet të mobilizohen më 11 maj për të demokratizuar sistemin e drejtësisë’’.

Nëse ndërkohë Edi Rama është zbythur nga deklaratat e rrezikshme anti SPAK, kjo natyrisht që i detyrohet ndonjë ultimatumi të ardhur underground nga përtej oqeanit. Ama fakti që doli publikisht të  sulmojë SPAK pasi u arrestua beniamini i tij, heq çdo dyshim për paktin e fshehtë Rama-Berisha kundër SPAK-ut që i rrezikon të dy.

Mesia Donald Trump

Në kampin berishist ka kohë që festohet fitorja e shpëtimtarit, Donald Trump. Tani pritet heqja e non gratta-s ndaj liderit suprem dhe dhënia e lejes për të shkatërruar organizatën kriminale sorosiane SPAK. Zhvillimet e fundit na sigurojnë, se në kampin rilindës shpresat dhe dëshirat janë të njëjta. SPAK është i vetmi rrezik i mbretërimit 12 vjeçar të Rilindjes, me në krye Edi Ramën. Nëse nuk do të kishte SPAK, ata do t’i vidhnin e blinin zgjedhjet sërish dhe të mbretëronin të qetë duke vjedhur shqiptarët edhe për shumë vite të tjera.

Po le të analizojmë faktet për të parë sa të bazuara janë pretendimet e të korruptuarve për një ndryshim kursi të administratës Trump në Shqipëri. Përveç faktit shumë pikant, se një organizatë sorosiane paska muaj të tërë që punon për të groposur familjarisht mikun e ngushtë të Alex Soros.

Donald Trump ka qenë president i SHBA në vitet 2017-2021. Pra vërtet reforma në drjetësi në Shqipëri u votua në fundin e mandatit të presidentit Obama. Ama të gjitha institucionet e reja të drejtësisë shqiptare (përfshirë SPAK) janë ngritur me një mbështetje të fuqishme amerikane në kohën e presidencës Trump.

Yuri Kim u emërua ambasadore në Shqipëri nga presidenti Donald Trump. Yuri Kim u votua si ambasadore amerikane në Shqipëri nga një senat me shumicë republikane. Kandidatja për ambasadore në Shqipëri i paraqiti senatit amerikan platformën e saj, ku prioritete do të ishin çuarja përpara e reformës në drejtësi  dhe lufta ndaj korrupsionit. Yuri Kim ishte e para ambasadore amerikane që nuk e takoi kurrë Sali Berishën. Yuri Kim nuk e njihte Sali Berishën para se të mbërrinte në Tiranë. Pra nqs nuk e takoi, kjo do të thotë se ishte e udhëzuar nga departamenti i shtetit të mos e takonte. Ky fakt vërteton se Sali Berishës ishte ‘’prerë bileta’’ që në kohën e presidentit Trump.

Pra nqs Donald Trump sot do t’i hiqte mbështetjen SPAK-ut, këto do të kishim të bënim me një politikë shvejkiane, ‘’ç’më duhet mua sot se cfarë kam bërë unë dje’’.

Edhe sjellja e aktorëve të brendshëm në Shqipëri na tregon jo pak mbi qasjen e pritshme të administratës Trump. Nga njëra anë kemi Altin Dumanin, i cili në një intervistë që u zhvillua pas fitores së presidentit Trump shprehet optimist për të ardhmen e institucionit që ai drejton. A do të ishte aq komod Altin Dumani nqs nuk do të kishte marrë garanci nga administrate e re? Natyrisht që jo. Institucioni i tij ka goditur rëndë korrupsionin dhe akoma më rëndë krimin e organizuar. Nqs bie mbështetja amerikane, Altin Dumani rrezikon gjithçka, përfshirë jetën e tij dhe të familjarëve të tij. Komoditeti dhe siguria që shfaqte në intervistën e tij të fundit tregon se kreu i SPAK i ka marrë garancitë e nevojshme nga administrate e re.

Edhe sjelljet e dy dinosaurve të korrupsionit shqiptar na tregojnë jo pak mbi pritshmëritë e tyre reale ndaj administratës së re amerikane. Me gjithë entuziazmin e Belind Këlliçit dhe Edit Harxhit, Sali Berisha duket jo shumë optimist për qasjen e administratës së re ndaj çështjes së tij. Politikani i vjetër e kupton se që ai dhe trashëgëmia e tij biologjike të shpëtojë nuk mjafton heqja e non gratta-s. Duhet edhe shkrirja e SPAK. Mirpo të dyja janë mjaft të vështira. Para se të marrë këto dy vendime, presidentit Trump do t’i duhet të marrë parasysh raportet e ambasadës së tij në Tiranë, por edhe raportet e agjensive të tija inteligjente. Të dyja do t’i thonë se përveçse interesit amerikan në luftën ndaj korrupsionit, ai është në fakt babai i SPAK. Ky institucion u krijua me ndihmën e pazëvendësueshme të administratës së tij përgjatë mandatit të parë.

Na ana tjetër kemi Edi Ramën të dalë nga binarët pas arrestimit të beniaminit të tij. Përveçse i duhet të çjerrë maskën dhe të dalë haptas kundër SPAK, Edi Rama ka shprehur dhe frikë në pikëpamjen personale. Frika nga marrja e telefonit të tij është në fakt frikë nga vënia nën akuzë. Gjesti nervoz në një video në Instagram ku godet tryezën dhe shan dhe reagimi edhe më nervoz pak më vonë për të justifikuar atë xhest, tregojnë se kryeministri është në tension. Shprehja e fytyrës dhe rrathët e zinj poshtë syve tregojnë se ai fle pak. A do të ishte kështu nqs ai do të kishte marrë sinjale optimiste nga administrate Trump? Zbythja pastaj nga kërcënimet për të ‘’demokratizuar republikën e prokurorëve’’, heq çdo dyshim për sinjalet që vijnë nga Uashingtoni.

Nuk duhet harruar gjithashtu se, një tërheqje amerikan nga mbështetja ndaj SPAK do të përplasej edhe me europianët dhe britanikët, të cilët nuk rreshtin së shprehuri mbështetjen e tyre për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe SPAK-ut në veçanti. Të gjithë e kanë kuptuar se me sa efikasitet po e lufton SPAK korrupsionin në Shqipëri, duke i vënë nën akuzë të korruptuarit e mëdhenj edhe familjarisht. Te Berisha është dhëndri nën akuzë, ndërsa djali dhe vajza në pritje. Te Rama pritet Olsi. Te Lali kemi edhe nën akuzë edhe ‘’Ajola Antuanetën’’, e cila në vendin më të varfër të Europës, ble dhjetra mijëra euro të brendshme.

Pra që të ç’bëhet SPAK dhe të shpëtojnë të korruptuarit, presidentit Donald Trump do t’i duhej të diskreditohej në këtë cep të globit, duke u identifikuar si përkrahës i të korruptuarve. Do t’i duhej të përplasej me agjensitë e veta. Do t’i duhej të përplasej edhe me aleatët natyralë të SHBA-ve, Britani & BE. E cili do të ishte përfitimi? Sazani, do të thoshte ndonjë naiv. E pse nuk do ta lejonte një investim strategjik në Sazan kryeministri i ardhshëm shqiptar? Ça gallate…

11 maji, fillimi i fundit

Të korruptuarit janë fokusuar te zgjedhjet e 11 majit, të bindur se po mbijetuan në 11 maj, do të mbijetojnë përfundimisht. Në fakt 11 maji nuk është fundi i historisë. Edhe sikur të korruptuarit të mbijetojnë në 11 maj dhe të dalin nga zgjedhjet siç do të dëshironin, njëri pushtetin ekzekutiv dhe tjetri si opozita kryesore, kjo nuk do të thotë se shqiptarët do të jenë të detyruar të presin edhe katër vjet për t’u çliruar nga korrupsioni. Ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi dhe po me aq shpejtësi po groposen të korruptuarit një nga një. Edi Rama shpreh frikë se mos i marrin telefonin, çka praktikisht do të ishte një vendosje nën akuzë e kryeministrit, tregon se çlirimi përfundimtar i Shqipërisë nga thonjtë e korrupsionit është afër.

Këtu është interesante të analizohet se çfarë do të ndodhë në Partinë Socialiste. A do të ketë zëra të lirë që do të kërkojnë të çlirohen nga diktati i të korruptuarve brenda partisë, të cilët njihen më së shumti si rilindës? A do të ndodhë siç ndodhi në Partinë Demokratike, ku ata që e ndjenin veten të pastër dhe të papërfshirë në korrupsionin e familjes Berisha u distancuan dhe pas shumë peripecive sot njihen si demokratët euroatlantikë? A do të ndodhë edhe më rëndë, që nëse PD u nda në dy copa, Partia Sociliste të ndahet në disa copa? A po presin eksponentët e ndershëm në PS një shenjë nga amerikanët për t’u rebeluar ndaj Edi Ramës, për ta distancuar veten e tyre me korrupsionin e tij dhe për ta ndarë fatin e partisë së tyre nga fati i tij personal? Deri tani në PS kemi parë të ziejë lufta mes klaneve të ndryshme të korrupsionit, si klani i Lalit dhe klani i Bella mafias. Ngjarjet e fundit me arrestimin e Lalit dhe pozicionimin e qartë të Edi Ramës krah tij mund të jenë momenti kur socialistët e ndershëm të ngrihen për të flakur jashtë rilindësit e korruptuar.

Analiza në kampin berishist nuk është interesante. Në këtë grupim politik, situata do të bëhet interesante pas katastrofës elektorale të 11 majit. Kur shumica e atyre që janë lëpirë deri tani me shpresën e një mandati deputeti të shohë se mandat nuk ka, atëherë memecëve do t’u vijë goja.

‘’Pse nuk ikin?’’ pyesin njerëzit për Ramën dhe Berishën. Përgjigjia është shumë e thjeshtë; nuk kanë ku të shkojnë. Berishës ia dogjën librin e kujtimeve. Ramës ia dogjën ëndrrën e pjesës së tretë të jetës. Mirëpo nuk mund të rrinë as aty ku janë. Koha e tyre ka mbaruar./Alfapress.al

Artikulli paraprakVezë, limon, arra, zbuloni kurën natyrale për rigjenerimin e organizmit dhe shëndetit
Artikulli tjetërRrjeti elektrik i amortizuar rrezikon banorët e Gjadrit