Bashkia Kamëz ka gati 50 projekte të reja infrastrukturore të cilat do të realizohen gjatë vitit këtij viti. Sikundër dhe vitin e kaluar por dhe vitet paraardhëse, ky institucion i drejtuar nga kryebashkiaku Xhelal Mziu ka pasur prioritet absolut përmirësimin rrënjësorë të infrastrukturës në këtë zonë informale dhe realisht janë arritur rezultate konkrete me qindra kilometra rrugë të asfaltuara, ndërtim të kanaleve të ujërave të bardha dhe të zeza, etj.
Një nga detyrat e rëndësishme të Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit dhe Investimeve Publike e Rrugëve ka qenë hartimi i projekteve të reja për buxhetin e vitit 2017. Për këtë janë ngritur grupet e punës në terren, janë bërë matjet e duhura, rilevimet e nevojshme dhe me korrektesë u përgatitën preventivat, specifikimet teknike, relacionet dhe projektet e duhura sipas investimeve përkatëse. Kryesisht këto investime me interes të lartë publik kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve, si dhe me ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve.
Ashtu si edhe vitet e kaluara, pjesa më e madhe e buxhetit të vitit 2017 është planifikuar për investime. Duke e krahasuar me vitet e tjera, buxheti i këtij viti i thyen të gjitha parashikimet. Siç pati deklaruar edhe kryebashkiaku në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, gjatë së cilës u miratua buxheti 2017, ky është një buxhet, i cili edhe në aspektin e investimeve, në aspektin e raporteve investime-paga e sigurime shoqërore apo shpenzime operative njeh risi. Është një buxhet i cili në thelbin e vet ka infrastrukturën, sepse qyteti i Kamzës mbetet një qytet në nevojë për infrastrukturën dhe ngelet parësore investimi në infrastrukturë.