Gjatë vizitës së zhvilluar të mërkurën në Abu Dhabi, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan i tha Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio se Emiratet e Bashkuara Arabe refuzojnë çdo përpjekje për të zhvendosur popullin palestinez nga toka e tyre.
Deklaratat u raportuan nga media shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe, që po ashtu njoftoi se presidenti nënvizoi nevojën për të parandaluar zgjerimin e konfliktit në Gazë.
Sipas së njëjtës media, Presidenti nënvizoi rëndësinë e rindërtimit të Gazës dhe ndjekjen e një udhe që çon në një paqe gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, si mënyra e vetme për të garantuar qëndrueshmërinë rajonale.
Udhëheqësit arabë kanë refuzuar planet e sugjeruara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që palestinezët të largohen nga Gaza drejt vendeve të tjera të rajonit dhe që SHBA-të të marrin kontrollin e rajonin palestinez dhe ta rindërtojnë atë.
Vizita e Sekretarit të Shtetit Rubio ishte pjesë e një turneu në disa shtete, që përfshiu gjithashtu bisedime me udhëheqës në Izrael dhe në Arabinë Saudite. Vizita u zhvillua ndërsa po afrohen javët e fundit, të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Deri më tani, gjatë armëpushimit, Hamasi ka liruar 24 pengje dhe Izraeli ka liruar më shumë se 1000 të burgosur palestinezë.
Izraeli pritet të vazhdojë lirimin e qindra të burgosurve palestinezë, përfshirë shumë prej të cilëve po vuajnë dënime me burgim jetësor për kryerjen e sulmeve të përgjakshme, në këmbim të pengjeve.
Hamasi, organizatë që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur terroriste, vrau rreth 1,200 persona në sulmin e tetorit të vitit 2023 dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë. Mbi gjysma e pengjeve janë liruar si pjesë e marrëveshjeve paraprake të armëpushimit, ndërsa tetë u shpëtuan përmes operacioneve ushtarake.
Lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e mbi 48,200 palestinezëve, shumica grad he fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk tregon numrin e militantëve të vrarë. Ushtria izraelite thotë se kjo shifër përfshin 17 mijë militantë. Pjesë të tëra të Gazës janë shkatërruar dhe ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës.