T’i thotë dikush Edi Ramës që SPAK-u e ka nxjerr cullak

Nga Namir Lapardhaja

Arrestimi i Erjon Veliajt ka nxjerr shumë zbuluar. Ka treguar fytyrën e vërtetë të medias dhe të analistëve. Disa të ashtuquajtur artistë dhe aktorë, na i shndërroi brenda ditës në gaztorë, ndërsa klasën e vjetër të politikës i solidariozi në atë mënyrë saqë nuk e kupton ku fillon njëri e ku mbaron tjetri, sepse gjuha e përdorur prej tyre duket e huazuar prej njëri-tjetrit.

Por nëse të gjithë i ka zbuluar, Edi Ramën e ka shfaqur cullak, ngjashëm si ‘mbreti lakuriq’, të cilin të gjithë e shihnin, por askush nuk ia thoshte të vërtetën.

Akrobacia narrative njëqindetetëdhjetëgradëshe, gjuha konspirative dhe alucinante në drejtim të prokurorëve dhe të gjykatësve, por njëkohësisht edhe puna (tanimë jo nën rrogoz) për t’i vënë thupra nën thundra drejtësisë, i kanë shkaktuar Ramës një ‘harakiri’ të pashpresë politik në raport me opinionin dhe të vërtetën.

Shfaqja e sotme, më së shumti i ngjan një parade turpi, ku nuk ka ligj që e justifikon, nuk ka kanun që e legjitimon dhe nuk ka të drejtë që e garanton.

Nuk është vetëm një thyerje e hapur e Ligjit të Vetëqeverisjes vendore, një përdorim i poshtër i administratës, një nëpërkëmbje e ligjit dhe e normave të së drejtës, por është edhe një hedhje në erë e autonomisë dhe decentralizimit, një përpjekje e kahershme kjo për ta orientuar pushtetin lokal drejt të ngjashmëve të tij në botë, dhe jo duke e bërë atë vartës të qeverisë, prej së cilës nuk ka marrëdhënie hierarkie, por bashkëpunimi dhe koordinimi.

Edi Rama, të cilit të gjithë i kanë ngrënë kumbulla prapa kurrizit, nuk mund të jetë njëkohësisht edhe kryeministër edhe kryetar bashkie, edhe ministër edhe drejtor, edhe gjykatës edhe prokuror, sepse po tentove t’i bësh të gjitha, në fund nuk do arrish të bësh asgjë dhe rezultati do jetë që ca prej shokëve t’i hajë ‘topi’ dhe ca të tjerë… SPAK-u.

Qartësisht halli i vërtetë i Edi Ramës është SPAK dhe GJKKO, të cilët treguan që përballë kërcënimeve 5-lekëshe të Erjon Veliajt, e trajtuan atë si leckë në raport me ligjin, duke shfaqur dinjitetin e ligjit, gjë që parathotë se shumë shpejt mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me vetë Ramën.

Mirëpo, halli i tij nuk mund të jetë edhe halli i qytetarëve të thjeshtë dhe njerëzve që nuk kanë abuzuar, kështu që edhe në këtë farsë ‘Mbreti gaztor’ u shfaq sërish lakuriq. Ata që e panë, t’ia ‘thonë’ më 11 maj.

Artikulli paraprakOrjola Pampuri: 34 vite më parë, shqiptarët nisën të shohin dritë në fund të tunelit
Artikulli tjetërBasha i përgjigjet Ramës: Motoja e Edi Ramës “kush nuk vjedh, fle gjumë” ka marrë vlerë të plotë me drejtesinë në veprim