Emigrimi i mjekëve ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku vendet e zhvilluara lehtësojnë kushtet e transferimit, ndërkohë që Shqipëria nuk po mundet të rrisë financimet, të përmirësojë ambientet e punës dhe mundësitë për karrierë të mjekëve të rinj. Një studim i fundit nga ekspertët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, në një anketë që përfshiu 729 mjekë, zbuloi se gjysma e tyre në moshën 24-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa në të gjitha moshat, 4 në 10 mjekë kanë plan të emigrojnë nga vendi. Trendi i largimit të mjekëve po rritet, ndërkohë që nevojat për shërbimet shëndetësore në vend po shtohen, prej një popullsie që po plaket shpejt.
Potenciali natyror i Shqipërisë, me gjeografi të pasur dhe klimë të mrekullueshme mesdhetare, i kombinuar me rritje ekonomike mbi mesataren e dekadës, duket se është i pamjaftueshëm për të frenuar rrjedhën e emigracionit në vend, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe mjekët.
Plakja e popullsisë në Europë vit pas viti po shton presionin për rritje të kërkesës për fuqi punëtore në fushën e mjekësisë dhe nga ana tjetër, financimet e ulëta për shëndetësinë në vendin tonë po bëhen shkak për të mbajtur në nivele të larta emigrimin e mjekëve në periudhën në vijim.
Një studim i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, i udhëhequr nga profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, zbuloi se më shumë se gjysma e mjekëve të moshës 24-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa në të gjitha moshat, 4 në 10 mjekë kanë plan të largohen nga vendi.
Largimi i mjekëve do të krijojë pasoja të shumëfishta, nga humbja e investimeve publike në kapitalin njerëzor deri te mangësitë në shërbimet shëndetësore në një popullsi që po plaket dhe do të rrisë nevojën për më shumë shërbime shëndetësore.
Studimi, i shoqëruar me anketa dhe intervista që vazhduan për disa vite deri në 2024, zbuloi se trendi i largimit të mjekëve do të rritet në vitet në vijim, si pasojë e dëshirës së lartë për emigrim në moshat e reja të trupës mjekësore.
Ekspertët pohojnë se stoku i mjekëve shqiptarë në botë deri më tani ka arritur në rreth 2500, ku gati gjysma janë larguar gjatë dekadës së fundit, ndërkohë që parashikohet që të largohen së paku edhe 930 mjekë në vitet në vijim.
Nga intervistat me 729 mjekë, arsyet kryesore për të emigruar janë pagat e ulëta në Shqipëri, kushtet e këqija të punës dhe mungesa e perspektivës për karrierë në Shqipëri, mundësitë për specializim dhe trajnim të mëtejshëm jashtë vendit dhe ndjenja e përgjithshme se në të gjitha aspektet e jetës “nuk ka të ardhme në Shqipëri”.
Për sa i përket destinacionit të dëshiruar, vendet kryesore, sipas preferencës, janë Gjermania, SHBA, Britania e Madhe dhe Italia.
40% e mjekëve dëshirojnë të largohen
Të dhënat e sondazhit me 729 mjekë tregojnë se rreth 40% e tyre duan të emigrojnë. Rreth 53% e mjekëve të moshës 24–40 vjeç synojnë të emigrojnë. Pas moshës 40 vjeç, dëshira për t’u larguar ulet.
Autorët pohojnë se këto rezultate, krahasuar me të dhënat e sondazhit të vitit 2018, tregojnë një nivel më të lartë gatishmërie për të larguar nga vendi.
Të dhënat për migrimin potencial janë pjesërisht tregues të tendencave aktuale të migracionit në të ardhmen, pasi jo gjithnjë ata që dëshirojnë të largohen emigrojnë. Dëshira për të migruar pasqyron në mënyrë realiste “pakënaqësinë” nga kushtet e përgjithshme të jetës në vendin tonë.
Për të kaluar nga migrimi i synuar në lëvizje reale, duhet të plotësohen disa kushte, duke përfshirë përgatitjen reale për të migruar dhe aftësinë për të transformuar dëshirën në realitet.
Në rastin e mjekëve, këto parakushte përfshijnë informacionin e duhur për vendin e destinacionit, mundësitë profesionale, posedimin e dokumenteve të nevojshme (vizë, leje pune, diploma mjekësore të njohura në vendin e destinacionit etj.), njohjen e gjuhës dhe afate të qarta për emigracionin. Pa këto parakushte, është sfiduese për mjekët të realizojnë qëllimin për të emigruar.
24% e mjekëve ikin brenda tre viteve
Anketa zbuloi se rreth 24% e mjekëve të intervistuar (729) pohuan se do të emigronin brenda tre viteve. Studimi zbuloi se rreth 40% e mjekëve të rinj llogarisin të ikin brenda këtij harku kohor.
Një qasje tjetër për matjen e gjasave reale të migrimit merr në konsideratë një sërë faktorësh të përmendur tashmë, si aftësia për të marrë një vizë dhe një kontratë pune në vendin e dëshiruar, aftësia në gjuhën e atij vendi, marrja e informacionit të përgjithshëm për vendin dhe pasja e një rrjeti të afërmish ose miqsh në vendin pritës.
Bazuar në rezultatet e sondazhit, rreth 930 mjekë do të emigronin gjatë viteve të ardhshme, që përfaqëson 17% të totalit të “stokut”, me një peshë të madhe te largimi i mjekëve më të rinj.
Autorët vënë në dukje se ky vlerësim duhet të interpretohet me kujdes, pasi, ndër të tjera, varet nga evolucioni i kushteve socio-ekonomike në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, dhe nga hapjet e rekrutimit në një gamë të gjerë vendesh të BE-së dhe OECD-së.
Kastrioti, një mjek i moshës së mesme i njohur në Tiranë, përshkruan se si është i ndarë mes përgjegjësive familjare në Shqipëri dhe perspektivës më të mirë të punës dhe pagës më të lartë jashtë vendit.
“Përpara se të futem në specializimin tim, kam krijuar një reputacion të mirë dhe kam një pagë të mirë këtu në Shqipëri në krahasim me mjekët e tjerë. Por nëse kushtet do të ishin të përshtatshme, do të mendoja të emigroja.
Nga ana tjetër, me kalimin e moshës, familja bëhet më e rëndësishme”.
Për shumë mjekë shqiptarë, veçanërisht ata në moshë të mesme, emigrimi shihet disi si një “plan B”, një opsion që mund të kthehet shpejt në “plan A” nëse ndryshojnë kushtet personale, familjare apo socio-ekonomike.
“Jam në mesin e të 50-ave dhe para dy vitesh kam kaluar provimin e njohjes së gjuhës gjermane dhe më janë njohur kualifikimet e mjekësisë shqiptare në Gjermani. Pse? Të kemi në dispozicion një plan rezervë nëse gjërat marrin kthesën për keq në Shqipëri”, thotë Arbeni, mjek në Tiranë.
Duke kaluar në skajin tjetër të spektrit të moshës, pohimi i Mirlindit, një mjek i ri i kthyer së fundmi në Shqipëri pasi kreu specializimin në një vend të BE-së, diskuton sfidat e rivendosjes në Shqipëri dhe si rrjedhim vendimin për largim.
“Fillimisht doja të kthehesha në Shqipëri pasi u diplomova në specializimin jashtë vendit.
Por tani, edhe pas specializimit, e kam shumë të vështirë rikthimin. Është e vështirë të lundrosh në sistemin shqiptar. Një pjesë e arsyes është korrupsioni. Duhet të sakrifikosh parimet e tua për të përparuar dhe unë nuk dua ta filloj karrierën time në këtë mënyrë”, – thotë ai.
Të rinjtë, largim në masë
Gëdeshi dhe King kanë evidentuar se synimet për emigrim janë dukshëm më të larta te mjekët më të rinj të moshës 24-40 vjeç, 53% e të cilëve synojnë të largohen nga Shqipëria.
Një analizë më e hollësishme e të dhënave të anketës tregon se synimi për t’u larguar arrin në mbi 80% të të anketuarve të grupmoshës 20-30 vjeç.
Dëshira për largim mbetet mbi 50% për grupin 30-40 vjeç. Shifra qëndron në 36,2% për ata të moshës 41–50 vjeç, 23,8% për ata të moshës 51–60 vjeç dhe më pak se 3% për ata pak të anketuar të moshës 61 vjeç e lart.
Studime të tjera të mëparshme kanë evidentuar se ikja e trurit në Shqipëri është veçanërisht e përqendruar në moshat e reja, kryesisht në 20-30 vjeç, që përkon me kohën e përfundimit të studimeve universitare.
Kulmi i dëshirës për emigrimin e mjekëve 20-30 vjeç reflekton dy rrethana: së pari, periudha më e gjatë e trajnimit për studentët e mjekësisë, të cilët mbarojnë studimet në mesin e të 20-ave; dhe, së dyti, koha shtesë që u duhet mjekëve të sapodiplomuar për t’u përgatitur për migrim dhe punë jashtë vendit. Siç tha Majlinda, një mjeke e re:
“Ne i mbaruam studimet në vitin 2022, por duhej të prisnim vitin e ardhshëm për të marrë licencat mjekësore. Mësimi i gjermanishtes në nivelet e aftësisë B2 dhe C1 kërkon gjithashtu kohë. Për më tepër, kërkon kohë për të gjetur një pozicion në vendin pritës për specializimin e dëshiruar”.
Historikisht, emigrimi shqiptar ka qenë i udhëhequr nga meshkujt, me gratë që kanë migruar më vonë përmes bashkimit familjar, ose martesës, një prirje e lidhur me strukturën patriarkale të shoqërisë shqiptare.
Por synimet e emigrimit të mjekëve shqiptarë tregojnë barazi gjinore, që përputhet me të dhënat e anketës mbi “stokun” e mjekëve shqiptarë që tashmë punojnë jashtë vendit.
Kjo zhvendosje reflekton një nivel më të lartë emancipimi, pavarësie dhe iniciative midis grave me arsim të lartë, si dhe pjesëmarrjen në rritje të grave të reja në arsimin e lartë, përfshirë mjekësinë, vitet e fundit.
Anketa vërejti se ka një prirje më të lartë për emigrim të mjekëve me përgatitje më të lartë arsimore. Shumica e mjekëve që punojnë aktualisht në Shqipëri janë trajnuar në vend, por disa kanë pasur mundësinë të specializohen jashtë vendit dhe janë kthyer.
Në Shqipëri, diplomat në degën e mjekësisë ofrohen në dy universitete: në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës dhe në Universitetin (privat) të Zojës së Këshillit të Mirë, i cili sponsorizohet nga Kisha Katolike dhe ofron kurset e tij në gjuhën italiane.
Sipas të dhënave që Ministria e Arsimit dhe Sportit raporton, 3,488 studentë shqiptarë janë diplomuar në mjekësi ndërmjet 2012-2021.
Ata nga Universiteti publik i Mjekësisë në Tiranë kanë diplomë që njihet vetëm në Shqipëri, ndërsa të diplomuarit nga Universiteti Katolik marrin një diplomë të dyfishtë të vlefshme si në Shqipëri ashtu edhe në vendet europiane.
Disa nga të anketuarit kishin studiuar mjekësi në vende të tjera europiane, veçanërisht në Itali. Ky trend për të studiuar jashtë vendit është rritur ndjeshëm kohët e fundit.
Nga rezultatet e anketës, mund të vërehen disa korrelacione midis profilit arsimor të studentëve dhe synimeve të emigrimit. Së pari, të gjithë ata që morën diplomën jashtë, synonin të emigronin; prandaj, kthimi i tyre në Shqipëri ishte vetëm i përkohshëm.
Synimet për emigracion ishin gjithashtu të larta (80%) në mesin e atyre me diploma nga Zoja e Këshillit të Mirë, pasi këto diploma njihen në të gjithë Europën.
Së treti, ata që kanë kualifikime më të specializuara mjekësore, përfshirë nivelin pasuniversitar, duan të shkojnë në vende ku kualifikimet e tyre të specializuara vlerësohen më shumë për sa u përket mundësive të punësimit dhe pagave.
Artani, i cili u diplomua për mjekësi në Rumani, kujton: “Nga miqtë në kursin tim në Rumani, shumë shkuan direkt në Gjermani ose u kthyen në Shqipëri vetëm për një periudhë tranzicioni. Diploma jonë njihet në Gjermani, na duhet vetëm të kalojmë testin e gjuhës së specializuar. Shumë pak nga miqtë e mi punojnë tani në Shqipëri”.
Majlinda komenton gjithashtu mundësitë e kufizuara për ekspertizën profesionale në Shqipëri:
“Nuk kam asgjë që mund të fitoj këtu. Shumë nga mjekët me përvojë kanë arritur një nivel të caktuar njohurish, një fazë të caktuar në karrierën e tyre dhe nuk kanë interes për të avancuar më tej. Por mjekësia po evoluon vazhdimisht dhe unë dua të rritem profesionalisht”.
Arsyet pse largohen, kushtet mbizotërojnë mbi pagën
Te mjekët që synojnë të largohen mbizotërojnë dy grupe të arsyeve ekonomike dhe arsimore. Të ardhurat dhe kushtet e punës janë dy shtytësit kryesorë ekonomikë të emigrimit të mjekëve, megjithëse këta dy faktorë vlerësohen më shumë për emigrimin e synuar sesa për emigracionin real.
Në intervistat me mjekët në Shqipëri, arsyet e largimit më shumë se me pagat e ulëta lidheshin me kushtet sfiduese të punës në spitale, klinika dhe qendra shëndetësore. Aspektet tipike të përmendura ishin mungesa e pajisjeve dhe barnave, orët e gjata të punës, siguria e dobët në vendin e punës dhe standardet e ulëta të etikës dhe profesionalizmit.
Dy citate më poshtë, i pari nga Edmondi, një mjek me përvojë në një spital të madh të qytetit dhe i dyti nga Ermira, një mjeke e re që sapo ka nisur karrierën e saj, ilustrojnë disa nga këto ankesa për praktikat e punës.
“Mungojnë kushtet e punës. Nuk mund të lëshoj diagnozën e duhur dhe të ndihmoj pacientin. Ka mungesë të barnave, laboratorët janë në gjendje të keqe, spitalet janë të rënduara dhe nuk ka pajisje apo instrumente për ekzaminimin e pacientëve”.
“Kam bërë një stazh në urgjencën e spitalit. Ndonjëherë mjekimet nuk ishin të disponueshme, protokollet nuk respektoheshin dhe ka shumë pak mjekë. Mjekët që punonin atje u përpoqën të bënin punën, por nuk mjaftonin pajisjet që kishin në dispozicion.
Nuk duhej të ishte kështu; mjekësia praktikohet me rregulla dhe protokolle”.
Mungesa e sigurisë në spitale dhe qendra mjekësore ishte një tjetër aspekt i kushteve të vështira të punës që u ngritën nga disa të intervistuar.
Eltoni, një mjek i ri, tregoi se si kolegët e tij në spitalin ku ai punonte ishin sulmuar nga pacientët dhe familjarët e tyre, duke arritur në përfundimin se “elementi i sigurisë në spitale nuk është aq i mirë dhe ju duhet ta përballoni vetë këtë realitet”. Endri, një mjek më i vjetër dhe më me përvojë, e ka zgjeruar këtë problem në rrëfimin e tij më të detajuar:
“Mjeku duhet të përballet vetë me sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse akuza (për një gabim apo keqpërdorim) është e drejtë apo e padrejtë.
Mjeku është i braktisur, nuk ka sigurim për raste të tilla dhe rrezikon deri në dhjetë vjet burg. Mund të ndodhin gabime; të gabosh është vetëm njerëzore, media dhe shteti sulmojnë edhe doktorin”.
Tregu i punës për profesionistët mjekësorë vlerësohet i ngurtë, burokratik dhe i korruptuar, me klientelizëm dhe favorizim në vend të meritokracisë në procedurat e punësimit dhe promovimit.
Sidomos nga mjekët më të rinj, sektori i shëndetësisë shihet si një “dyqan i mbyllur” i monopolizuar nga një grusht mjekësh të shquar elitarë apo “të famshëm” që kontrollojnë punësimin e mjekëve të rinj dhe fitojnë shumë duke drejtuar klinika private.
“Ndihet lehtësisht ngurtësia në sistem. I njëjti mjek punon në një spital publik dhe ka një klinikë private dhe gjithashtu është pedagog në Universitetin e Mjekësisë. Sistemi nuk ofron mundësi të barabarta për mjekët e rinj që të avancojnë në karrierën e tyre bazuar në meritë, ndrydh iniciativat e reja dhe i shtyn mjekët të emigrojnë.
Gjatë gjithë kohës e sheh sa i pafuqishëm je nëse nuk njeh dikë të rëndësishëm”, thotë Afërdita, një mjeke e re.
Një pjesë e vogël (më pak se 5%) e të anketuarve ishin të papunë dhe ky nëngrup kishte pothuajse dy herë më shumë gjasa të shprehte synimin për të migruar në krahasim me kampionin e përgjithshëm.
“U diplomova në vitin 2009 dhe më pas bëra specializimin për onkologji. Por aktualisht jam e papunë, sepse klinika private ku punoja u mbyll. Që nga specializimi im, kam bredhur nga një klinikë në tjetrën.
Pothuajse nuk kam punuar në fushën time specifike, kështu që nuk ndihem e plotësuar. Në këto rrethana, po mendoj të emigroj sepse jam pa punë dhe nuk mund të gjej një punë në fushën time të specializimit”, tha Shpresa.
Autorët pohuan se në sondazhin online, pagat e ulëta u theksuan si faktorë i rëndësishëm nxitës i dëshirës për të emigruar. Në intervista, pjesëmarrësit prireshin të minimizonin rëndësinë e të ardhurave dhe t’u jepnin përparësi kushteve të punës.
Të intervistuarit më të rinj theksonin shpesh se mjekët e njohur në Shqipëri i “shfrytëzojnë” në klinika private. Duke parë të ardhurat mujore në euro për grupmoshën 24-40 vjeç, modeli është shumë i qartë.
Tek mjekët me paga mujore më pak se 600 euro, synimet për të emigruar ishin në 76.7% të tyre. Tek ata me paga nga 601–900 euro në muaj, dëshira për t’u larguar ishte 58,4%.
Tek ata me paga 901–1200 euro në muaj, dëshira për emigrim ishte 47,1%. Te mjekët me paga 1,201–1,500 euro, dëshira ishte 45.8% dhe mbi 2001 euro në muaj, është 36.0%.
Arsimi më i mirë, arsye madhore për largim
Grupi i dytë më vendimtar i faktorëve për emigrimin e mjekëve, sidomos në moshat e reja, lidhet me arsimin dhe ndahet në dy nënfaktorë.
Së pari, mjekë më të rinj dëshirojnë të emigrojnë për të kryer studime pasuniversitare dhe për të zhvilluar specializimin e tyre, për shembull në onkologji, kardiologji ose neurologji. Ata mendojnë se lehtësitë dhe cilësia e trajnimit në fusha të specializuara mjekësore janë më të larta jashtë vendit.
Për mjekët që tashmë punojnë jashtë vendit, specializimi llogaritet si një arsye kryesore për migrimin e tyre, pasi kjo është një rrugë e qartë për të qëndruar jashtë vendit.
Nëngrupi i dytë i motivit arsimor përbëhet nga mjekë përgjithësisht mbi 40 vjeç, të cilët duan një arsim dhe të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre jashtë vendit. “Me rritjen e moshës, kuptojmë se edukimi profesional-personal i dikujt ka një kufi.
Disa vite më parë, zhvillimi im profesional do të kishte qenë prioritet. Por tani ne vendosim familjen në radhë të parë, jo veten. Unë dua të emigroj në Itali, sepse djali im dëshiron të studiojë mjekësi atje.
Do të ishte shumë më e lehtë për të nëse edhe unë do të zhvendosesha atje. Kjo është arsyeja pse ne po mendojmë të emigrojmë në Itali. Ëndrra që kisha dikur, tani do të përmbushet nga djali im”, thotë Arlindi.
Disa arsye të tjera që kanë rol madhor për emigrimin e mjekëve lidhen me besimin se “në Shqipëri nuk ka të ardhme”. Siç mund të përfytyrohet, ky përgjithësim fsheh një mori mëkatesh, duke përfshirë standardet e ulëta të jetesës, si në aspektin e mirëqenies financiare ashtu edhe të cilësisë së jetës.
Shoqëria shqiptare është e rrethuar nga korrupsioni në të gjitha nivelet, kështu që përparimi mund të arrihet vetëm përmes ryshfetit ose “njohjes së personit të duhur”.
Nga ana tjetër, cilësia e ulët e shërbimeve publike si transporti dhe shërbimet komunale, trafiku kaotik dhe ndotja e ajrit në qytetet e mëdha, veçanërisht në Tiranë, po shndërrohen në arsye edhe për largimin e mjekëve.
Ku duan të ikin
Gjermania është vendi më i preferuar për mjekët shqiptarë me epërsi të konsiderueshme 19%, ndaj zgjedhjes së dytë, Shteteve të Bashkuara. Preferenca për Gjermaninë lidhet me disa avantazhe që ofron ky vend për mjekët shqiptarë.
Së pari, dhe më kryesorja, është “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor” e qeverisë gjermane e vitit 2016, e cila lejon akses të veçantë për mjekët nga ky rajon, duke përfshirë masën lehtësuese të njohjes së diplomave.
Kësaj i shtohen pagat dhe standardi i lartë i jetesës në Gjermani, meritokracia e emërimeve në punë dhe përparimi në karrierë, kushtet e mira të punës dhe mbështetja e fortë e mirëqenies sociale për familjet.
Brunilda është diplomuar së fundmi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe është në proces zhvendosjeje në Gjermani. Në këtë ekstrakt nga intervista e saj, ajo përshkruan përparësitë e Gjermanisë në krahasim me disa vende të tjera:
“Ne ishim 22 studentë në grupin tonë të diplomimit dhe 17 prej tyre donin të emigronin, kryesisht në Gjermani, por edhe në Itali dhe Suedi. Gjermania është opsioni i preferuar për shkak të procedurave më të thjeshta për të arritur atje.
Prania në Tiranë e qendrave që ofrojnë informacion për Gjermaninë e bën më të lehtë të gjithë procesin. Italia zgjidhet për shkak të afërsisë me Shqipërinë, por pagat nuk janë aq të larta. Ndërkohë, Suedia ka nevojë për mjekë: pagat atje janë shumë të larta, por ende nuk shihet si një mundësi për mjekët e rinj dhe gjuha është problem.
Mjekët më të rinj priren për të lëvizur në Gjermani krahasuar me grupin më të vjetër me një diferencë prej 16 pikë përqindjeje.
Të dhënat e sondazhit tregojnë se, krahasuar sërish me grupin e moshuar, mjekët më të rinj kanë një preferencë më të madhe për vendet e Europës Perëndimore shumë të zhvilluara, me të ardhura të larta si Gjermania, Austria, Zvicra dhe Suedia.
Mjekët më të vjetër, nga ana tjetër, janë disi më të orientuar drejt vendeve anglofone (SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada) dhe Italisë dhe drejt destinacioneve të përcaktuara gjerësisht si BE-ja ose thjesht “jashtë”.
Interesi në rritje për Gjermaninë mes mjekëve më të rinj dhe më ambiciozë ka të ngjarë të rritet në të ardhmen, një prirje e nxitur nga dëshira e fortë e të rinjve shqiptarë për të mësuar gjermanisht dhe krijimi i një rrjeti që po çon në një lloj migrimi zinxhir të specializuar në këtë vend, i cili ende ka mungesë të personelit mjekësor.
Rrethi vicioz që ka krijuar emigrimi
Emigrimi ka dominuar në gjeografinë e popullsisë së Shqipërisë që nga hapja e kufirit në anën shqiptare në vitet 1990–91.
Eksodi masiv i shqiptarëve gjatë viteve 1990 u nxit nga kaosi ekonomik dhe politik i viteve të menjëhershme pas tranzicionit, duke përfshirë trazirat civile në shkallë të gjerë pas rënies së skemave mashtruese piramidale të kursimeve në 1997, një ngjarje që falimentoi shumë, ndoshta shumicën e familjeve shqiptare.
Deri në fund të dekadës, rreth 800,000 shqiptarë, nga një popullsi prej 3.2 milionë në 1989, u vlerësuan të ishin larguar nga vendi. Pjesa më e madhe e emigrimit në këtë kohë ishte në Greqi dhe Itali dhe ishte i parregullt dhe spontan, duke kaluar kufijtë malorë dhe detarë në mënyrë klandestine.
Gjatë fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, një sërë skemash rregullimi në Itali dhe Greqi u mundësonin emigrantëve shqiptarë në këto dy vende të legalizonin statusin e tyre dhe të sillnin anëtarë të familjes.
Në këtë mënyrë, komunitetet e emigrantëve u stabilizuan dhe u bënë më të ekuilibruar demografikisht. Për më tepër, paragjykimet ndaj emigrantëve shqiptarë, si refugjatë të ashpër, të paqytetëruar nga komunizmi dhe gjoja të prirë ndaj kriminalitetit, u zbutën.
Migrimi vazhdoi gjatë dekadës së viteve 2000, por me një shkallë të reduktuar. Megjithatë, emigrimi mbetet një fenomen i rëndësishëm në Shqipëri.
Regjistrimi më i fundit (2023) zbuloi se, midis 2011 dhe 2023, rreth 600,000 njerëz emigruan. Banka Botërore dhe OECD e renditin Shqipërinë si një nga vendet kryesore në botë për sasinë e emigrimit në raport me madhësinë e popullsisë.
Shërbimet shëndetësore në rrezik
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka përjetuar një intensitet të lartë të emigrimit të mjekëve, duke u renditur në një nga normat më të larta të ikjes së trurit mjekësor në Europë, në raport me madhësinë e vendit, theksojnë profesorët Gëdeshi dhe King.
Pavarësisht se largimi i mjekëve ka qenë një temë e nxehtë në opinionin publik dhe mediatik, fenomeni i emigrimit të mjekëve shqiptarë nuk është hulumtuar plotësisht, pasi ende nuk ka një shifër të saktë se sa mjekë janë larguar.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), që gjurmon numrin e mjekëve në vendet anëtare, raportoi se numri i mjekëve shqiptarë jashtë vendit ishte 1149 në vitin 2021.
Ky numër ishte i barabartë me rreth një të pestën e mjekëve që ushtronin profesionin në Shqipëri në atë kohë. Kjo shifër ka të ngjarë të jetë një nënvlerësim, referon studimi.
Sipas Urdhrit të Mjekëve Shqiptarë, 1459 mjekë morën “certifikatën e sjelljes së mirë” para emigrimit gjatë dekadës 2014–23, një dalje mesatare prej 146 mjekësh në vit (duke supozuar se të gjithë mbajtësit e certifikatës në fakt u larguan nga vendi).
Së dyti, të dhënat e shteteve mbajtëse tregojnë se në vitin 2022, Gjermania kishte 1081 mjekë nga Shqipëria, Zvicra 42, Britania e Madhe 32 dhe Austria 25.
Nga ana tjetër, statistikat rreth emigrimit të mjekëve janë pak më të rëndësishme se për profesionet e tjera, pasi roli i tyre profesional është ruajtja dhe përmirësimi i jetës njerëzore. Humbja e tyre nga emigracioni kërcënon shëndetin e kombit.
Edhe pa emigracion, Shqipëria ka një sistem shëndetësor të pazhvilluar sipas standardeve europiane. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ndau vetëm 3.2% të PBB-së së saj për shëndetin publik në vitin 2020, më pak se çdo vend tjetër europian, përfshirë fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor.
Për krahasim, mesatarja në të gjithë BE-në ishte 8.1%, e llogaritur kundrejt niveleve shumë më të larta të PBB-së. Edhe në vitet jopandemike Shqipëria ofron fondet më të ulëta publike në raport me PBB në Rajon dhe më gjerë.
Emigrimi i lartë i mjekëve dhe investimet e ulëta në shkollimin e tyre reflektohet në densitetin e mjekëve në Shqipëri, i cili sërish është më i ulëti në Europë. Në vitin 1990, në prag të tranzicionit post-socialist, Shqipëria kishte 4516 mjekë, ose 13.7 mjekë për 10.000 banorë.
Për shkak të përshpejtimit të humbjes së mjekëve nga emigracioni, këto shifra kishin rënë në 3,656 dhe 11,7 në 2002 dhe në 12,0 deri në vitin 2016 (rritja e lehtë nga 11.7 në 12.0 ishte për shkak të rënies së popullsisë nga emigrimi në shkallë të gjerë).
Një rritje ka ndodhur kohët të fundit, për shkak të zgjerimit të studentëve në shkollat mjekësore ose 18.8 mjekë për 10,000 banorë më 2023.
Pavarësisht këtij ndryshimi të fundit, Shqipëria ka ende densitetin më të ulët të mjekëve në Europë dhe më të ulët se fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor. Shifrat krahasuese për vitin 2020 janë BE, 37,4 mjekë për 10,000 njerëz, Gjermania 45,2, Maqedonia e Veriut, 29,6, Mali i Zi, 27,4 dhe Serbia, 27,0.
Largimi i mjekëve, mbi 4 milionë euro humbje në vit
Gjithashtu largimi i mjekëve është një kosto financiare e lartë për vendin, pasi mjekët shkollohen me fonde publike dhe më pas ata shërbejnë në vendet të tjera duke fshirë pothuajse të gjitha investimet e shoqërisë ndaj tyre
Fondacioni Westminster për Demokraci vlerësoi se në vitin 2018, emigracioni i një individi që ka përfunduar arsimin e mesëm në Shqipëri ishte 9,267 euro dhe, për dikë me diplomë universitare, 18,283 euro.
Një diplomë mjekësore gjashtëvjeçare përfaqëson një investim financiar shumë më të madh dhe rrjedhimisht humbje në rastin e emigrimit. Sipas Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, kostoja vjetore e trajnimit të një studenti është 6700 euro, ose rreth 40,000 euro për kursin e plotë të studimit.
Si rrjedhojë, Shqipëria humbet çdo vit së paku 4 milionë euro dhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, humbjet kapin vlerën e 45 milionë eurove.
Rriten pabarazitë rajonale
Shërbimet shëndetësore në Shqipëri vuajnë nga pabarazia e lartë me burime njerëzore nga qendra e vendit në rajone.
Gjatë viteve 1970 dhe 1980, kishte një shpërndarje të arsyeshme të barabartë të shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin, duke përfshirë qendrat shëndetësore rurale që shërbenin në zonat periferike.
Shpopullimi rural që nga viti 1990 dhe përqendrimi i objekteve mjekësore në kryeqytet, Tiranë, kanë krijuar një pabarazi të madhe hapësinore në shërbimet shëndetësore, veçanërisht në shpërndarjen e mjekëve.
Gati gjashtë nga dhjetë mjekë janë të përqendruar në Tiranë. Ky model i përqendrimit të burimeve njerëzore ne Tiranë po përsëritet me përqendrimin në zonat e zhvilluara europiane, ku tani me lehtësimin e lëvizjes, gjithnjë e më shumë mjekë nga vendet në zhvillim të Europës largohen për mundësi më të mira pagese dhe karrierë në vendet më të zhvilluara.
Reformat që mungojnë
Shqipëria është një vend i vogël me popullsi në rënie, nga 3.2 milionë në 1989 në 2.4 milionë në 2023, por ikja e mjekëve ka një rezonancë më të gjerë europiane dhe globale.
Të dhënat krahasuese të mbledhura në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, tregojnë gjithashtu largim të mjekëve, por jo me ritmin e Shqipërisë.
Për Shqipërinë, stoku i mjekëve që tashmë kanë emigruar sipas ekspertëve Gëdeshi dhe King ishte 2,500 më 2023 dhe i shoqëruar me norma të larta të synimeve për largim të atyre që ende jetojnë në Shqipëri, veçanërisht mjekëve më të rinj (52.9% deklarojnë se synojnë të largohen).
Qeveria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të ndërhyjë në mënyrë efektive për të frenuar fluksin e mjekëve.
Vetëm në vitin 2023 u diskutua një projektligj që do t’u kërkonte mjekëve të diplomuar të qëndronin në Shqipëri për pesë vjet pas përfundimit të trajnimit.
Gjykata Kushtetuese pezulloi projektligjin, i cili më pas u riformulua nga Parlamenti, duke reduktuar kohëzgjatjen e nevojshme të qëndrimit në tre vjet për studentët e vitit të parë dhe të dytë të mjekësisë dhe më pak për vitet e tjera. Ky ligj i ri u miratua më 19 shtator 2024. Kuotat në Universitetin e Mjekësisë u rritën ndjeshëm.
Ndërkohë, i gjithë sektori shëndetësor ka nevojë për reforma. Duhen më shumë investime, një sistem punësimi i bazuar në meritë. Kjo reformë kërkon të sfidohet elita e mjekëve aktualë që shpesh kanë krijuar lidhje të forta me politikën.
Ndërsa popullsia e përgjithshme është në rënie të qëndrueshme afatgjatë, në të njëjtën kohë ajo po plaket me shpejtësi. Popullsia mbi 65 vjeç u trefishua midis 2001 (7.5%) dhe 2023 (19.7%).
Një popullsi në plakje shton kërkesën për shërbime shëndetësore.
Rezultatet e studimit tregojnë se Shqipëria veç të tjerash po mban kostot globale të plakjes së popullsisë, mungesat kronike të mjekëve dhe aftësinë e vendeve të pasura ekonomikisht, të cilat nxisin emigrimin e mjekëve nga vende të varfra si Shqipëria./Monitor.al