Fundi i një “Lideri Global”!

Nga Irena Beqiraj

Është e vërtetë, se liderët formohen nga prejardhja edhe përvojat e tyre, sikurse është po aq e vërtetë se kultura dhe historia formësojnë sjelljen e kombit ndaj tyre. Por qëndrimet e fundit të Liderit Global të Tiranës ndaj SPAK, herë prej kërcënuesi e herë prej shpëtimtari, tregojnë hapur një element thelbësor shumë të rëndësishëm, për mbijetesën e autokracive personaliste, element i cili shpesh del jashtë lenteve me të cilat jemi mësuar ta analizojmë lidershipin e Ramës.

Thelbi që anashkalojmë shpesh në analizat tona është se regjimet autokratike personaliste, në krahasim me autokracitë e udhëhequra nga partia apo ushtria, për siguruar jetëgjatesinë kanë nevojë të pashmangshme për të krijuar ekuilibra, nga të cilat buron edhe fuqia dhe dobësia e liderit.

Këto 12 vitet e fundit, Rama ka qenë i pakrahasueshëm për nga pushteti me këdo tjetër në këtë vend, edhe arritja e këtij rezultati ka ardhur me kostot e një ekonomie të shtrembëruar, krijimin e një burokracie jofunksionale, hartimin e politikave jo të shëndosha klienteliste, kontrollin mbi mediat dhe dobësimin maksimal të opozitës. Centralizmi i pushtetit në duart e Ramës nuk mund të realizohej pa dobësimin e institucioneve. Por nga ana tjetër institucionet e dobëta ka kanë vështirësuar qeverisjen, duke dobësuar njëherazi edhe sundimin e tij. Rama i ka minuar rregullat, edhe nuk ka mundur t’i zëvendësojë ato me asgjë tjetër. Ndaj atij i është dashur gjithmonë si një artist cirku të sigurojë ekulibrin në fijen e hollë të pushtetit duke mbajtur në dorë “shkopin” e liderit popullor.

Besoj të gjithë e kemi vënë re sesi ai përdor një gjuhë kritike kundër Europës për të ngacumaur bazën, por jo aq shumë sa të përfshihet në një konflikt me të; sesi ai përdor korrupsionin për të shpërblyer miqtë, për të blerë mbështetje jashtë e brenda vendit, por jo aq sa ekonomia të shembet; sesi manipulon lajmet, por jo aq sa njerëzit të fikin televizorin ; sesi i blen mediat por pa i shkatërruar përfundimisht ato, pasi atij nuk i duhet një media plotësisht e pabesueshme nga publiku ; sesi shtyp kundërshtarët politikë, por jo aq shumë sa të shkaktojnë reagime; Sesi shfaqet si mbështetësi dhe reformatori i vazhdushëm i drejtesisë, por sigurohet me anë të komisioneve Antikorrupsion që institucionet te drejtësisë të mos forcohen, pasi bëhen rrezik të kthehet kundër tij.

Rama si të gjithë autokratët gjatë mbajtjes së pushtetit është përballur me dy kërcënime kryesore. Ai mund të rrëzohej nga bashkimi i elitës ose mund të rrëzohej nga një revoltë masive. Në zbutjen e këtyre kërcënimeve Rama ka krijuar perceptimin e “liderit popullor”. Pikërisht krijimi i perceptimit të popullaritetit masiv ka krijuar më pak gjasa që njerëzit të dalin në rrugë dhe elitat të bashkohen për ta rrëzuar atë. Sepse në momentin që lideri perceptohet si popullor, çdo përpjekje për ta rrëzuar ka më pak gjasa të jetë e sukseshme. Ndaj që nga mandati i dytë e tëhu, e kemi parë Ramën të shfaqet duke kënduar tallava e duke kërcyer si arusha Silva. Më shumë sesa në Kuvend e mbledhje qeverie e kemi parë duke bashkëbiseduar “gju më gju” e “sy me sy” me popullin. E kemi parë të distancohet nga lajmet e këqija, duke i lënë vartësit e tij “të thithin” zemërimin e publikut dhe të luftojnë mes tyre.

Por për fatin e tij të keq historia ka treguar se ka gjithmonë disa ngjarje që shkaktojnë rënien e popullaritetit te autokratëve personalistë edhe pamundësi për mbajtjen e ekuilibrave.

Edhe arrestimi i parë i një zyrtari të lartë qe është në detyrë dhe njëkohësisht figurës së dytë më të rëndësishme të Partisë Socialiste është nga ato lloj ngjarje që i bën zgjedhjet mjaft të rrezikshme për pushtetin e Ramës.

Sot nuk ka një frymor në rrethin e tij të ngushtë, apo që ka lidhur të ardhmen politike me të që nuk i kupton rreziqet e humbjes së tij. Kjo kuptueshmëri agravon në ketë moment te keq konfliktet e brendshme duke e dobësuar edhe më tej pushtetit e tij.

Po ashtu për fatin e tij te keq, që prej 1945 historia ka treguar se largimi nga pushteti i autokratëve personalistë të tipit Rama, priret të jetë shumë më i shëmtuar sesa largimi i diktatorëve të tipit Hoxha. Rreth 80% e autokratëve personalistë kanë përfunduar ose të vdekur në burg ose në internim.

Me sytë e zgurdulluar, duke nxjerrë duf e mllef me fjalorin vulgar, “Lideri Global i Tiranës” po tregon se është në gjendjen e tij më të keqe edhe po shfaq dobësinë që fshihej pas forcës së tij.

Nga data 10 shkurt e këtej për çdo mik e armik të tij, është e qartë se ai e ka të pashmangshme ndarjen me turp nga pushteti kurdo që kjo të ndodhë. Sikurse është e dukshme se ikja e tij do të lër mbrapa një shtet te rrënuar edhe një gërmadhë që quhet Partia Socialiste.

Por uroj të mos humbasim mësimin se nuk ka njç fund tjetër për çdo lider të fortë dhe njëkohësisht të dobët.

E

Artikulli paraprakFOTO HISTORIKE/ Kur ajka e intelektualëve shqiptarë takohej në Kafen e Madhe, Shkodër, viti 1938
Artikulli tjetërKriza në Kosovë, Fatmir Limaj drejt koalicionit me Albin Kurtin?