Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hedhur poshtë dyshimet se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore dhe qasjen e saj ndaj Ballkanit.
Gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë, ai u pyet në një debat me studentët se a e sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pasi ka pasur thashetheme se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi i tyre ushtarak nga veriu i vendit. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë mbi 4.600 trupa nga 28 vende të botës që janë të dislokuar në Kosovë. Numri më i madh i tyre është nga Italia, pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.
Lidhur me këtë, Rutte deklaroi se stabiliteti në Kosovë, Bosnje dhe Serbi është në interesin e të gjithëve, përfshirë dhe SHBA-ve dhe për këtë arsye nuk sheh që një gjë e tillë të ndodhi në të ardhmen.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë.
Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, u përgjigj Rutte.
Duke pasur parasysh orientimin e Trump, nuk do të ishte çudi që ai të kërkonte tërheqjen e trupave të KFOR-it nga veriu i Kosovës. Gjë që sigurisht do t’i linte më pas hapësira Serbisë për të provokuar trazira dhe konflikt në komunat veriore.
Përveç rrezikut të luftës, ekziston edhe rreziku i detyrimit të Kosovës për të pranuar marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, në një propozim pa mundësi zgjedhjeje si ai që po i ofrohet sot Ukrainës. Megjithatë gjithçka mbetet në kuadër të hipotezës bazuar në atë çfarë Trump ka treguar deri më tani me politikën e tij, pasi gjërat mund të shkojnë edhe në favor të Kosovës.
Shefi i NATO-s foli edhe zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 9 shkurt, teksa u shpreh se qeveria e ardhshme pritet të jetë nga një koalicion.
“Kemi pasur rishtazi zgjedhje në Kosovë. Rezultati përfundimtar ende nuk është finalizuar, por është e qartë që partia kryesore e cila aktualisht qeverisë Kosovën, mund të ketë nevojë për një koalicion. Le të shohim se si do të zhvillohet kjo. Formimi i koalicioneve është pjesë e procesit normal demokratik”, tha shefi i NATO-s.
Rutte foli edhe për kujdesin që NATO-ja ka për situatën në Bosnje e Hercegovinë, teksa theksoi se po përpiqen që të ruajnë stabilitetin në rajon.
“Sigurisht, ne dimë se ka disa çështje që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në Bosnje si dhe në marrëdhëniet në rajon. Pra, hap pas hapi, ne me të vërtetë po përpiqemi të ruajmë stabilitetin dhe është e rëndësishme sepse është një rajon që ka një histori të jostabilitetit. Fatmirësisht, ne tani për shumë vite kemi një stabilitet të qëndrueshëm në atë pjesë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor, dhe ne duhet ta ruajmë atë”, tha Rutte.