Fushata politike anti-SPAK

Nga Blendi Kajsiu

Arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj ka prodhuar një fushatë politike që ka si synim parësor delegjitimimin e SPAK dhe të drejtësisë së re. Si kurrë më parë të dy krahët e politikës shqiptare deklarojnë se SPAK ka dalë jashtë kontrollit ndaj ose duhet eleminuar (sipas berishistëve) ose duhet reformuar dhe kontrolluar (sipas të majtës).
Si e majta ashtu edhe e djathta e gjykojnë SPAK sipas kutit të interesit të tyre politik duke e deformuar, përçmuar ose mohuar punën kolosale anti-korrupsion që po zhvillon drejtësia e re, si kurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar.

E majta është mobilizuar me të gjithë altilerinë e saj politiko-shtetërore dhe mediatike për ta paraqitur arrestimin e Veliajt dhe të bashkëshortes së tij si tërësisht të pabazuar në fakte. Madje flitet për një grusht shteti ndaj pushtetit socialist. Po ti besojmë narrativës socialiste dosja e SPAK kundër Veliajt është e mbushur me trillime dhe evidenca të manipulara nga një prokuror berishist.
E megjithatë një lexim i thjeshtë i fakteve që tashmë pranohen nga të gjithë nxjerr në pah se evidenca që ofron SPAK prodhon një dyshim mëse të arësyeshëm mbi lidhjet e ngushta të kryebashkiakut Veliaj me, dhe përfitimet e tij nga, ndërtues të mëdhenj që kanë përfituar tendera të konsiderueshëm nga Bashkia e Tiranës.
Ky është rasti i vilës së famshme të Qerretit që sipas dokumenteve vazhdon të jetë në pronësi të firmës Agi Kons Shpk, përfituese e disa tenderave të rëndësishëm nga Bashkia e Tiranës. Në këtë pikë pak rëndësi ka nëse vila ishte në pronësi të vjehrrit të ndjerë të kryebashkiakut Veliaj apo në pronësi të këtij të fundit, siç po debatohet në media.
Fakti i pranuar nga të gjithë është se me letra, pra formalisht, kjo vilë është e regjistruar në emër të Agi Kons Shpk. Kjo do të thotë se kryebashkiaku dhe familjarët e tij pushojnë prej vitesh në një vilë luksoze që është në pronësi të së njëjtës firmë që merr tendera nga zyra e kryebashkiakut.

A nuk lind këtu një dyshim i arësyeshëm për një marrdhënie problematike mes kryebashkiakut dhe kësaj firme ndërtimi? A është normale që familjarët e ngushtë të një zyrtari të lartë, apo vetë familja e tij, të pushojnë prej vitesh në një vilë luksoze në pronësi të një firme që përfiton leje ndërtimi nga zyrtari në fjalë?
A nuk është ky një konflikt i pastër interesi që minimalisht tregon se ekziston një marrdhënie jo e shëndetëshme mes kryebashkiakut dhe ndërtuesit në fjalë? Aq më tepër kur rezulton, sipas fakteve të publikuara në media, se ky ndërtues ka marrë nga Bashkia e Tiranës, në kundërshtim me ligjin, jo vetëm tendera ndërtimi por edhe tenderat e supervizimit të ndërtimeve që ai vetë kryente.
Natyrisht është gjykata ajo që do vendosë nëse një marrdhënie e tillë mund të klasifikohet si korruptive apo jo. Nuk dua të paragjykoj marrdhënien e kryebashkiakut Veliaj me ndërtuesin e vilës ku ai pushon.
Ama narrativa socialiste se Veliaj u arrestua nga SPAK sepse lodrat e fëmijëve të tij u gjetën tek vila e vjehrrit është një tymnajë politike që përpiqet të fshijë faktet e shumta të identifikuara nga SPAK që nxjerrin në pah marrdhënien e sikletëshme mes kryebashkiakut dhe një ndërtuesi që përfiton leje prej tij.
Të njëjtat media pro-qeveritare që krijojnë këtë tymnajë injorojnë faktin tjetër tejet shqetësues se disa nga ndërtuesit kryesor që merrnin leje nga Bashkia e Tiranës ishin njëkohësisht financues të fondacionit Harabeli apo të disa fondacioneve të tjera që kontrolloheshin nga bashkëshortja e kryebashkiakut ose nga familjarët e saj.
Edhe këtu lind një dyshim i arësyeshëm se ryshfetet e ndërtuesve mund të paketohen si donacione për fondacionet. Aq më tepër kur ekzistojnë prova se shpenzimet e bëra nga drejtuesit e fondacioneve në fjalë nuk kanë qenë transparente, ose janë bërë në emër të personave të tretë, për tu fshehur.
Natyrisht edhe këtu është gjykata ajo që ka fjalën e fundit. Por është ulëritëse heshtja e mediave dhe gazetarëve pro-Rama mbi fondacionet dhe firmat e shumëta të bashkëshortes së kryebashkiakut dhe të familjarëve të saj, edhe pse dje po këto media denonconin fondacionin e Liri Berishës si një mekanizëm për pastrimin e ryshfeteve të bashkëshortit të saj.

Në vend të një analize të ftohtë dhe objektive të fakteve të prodhuara nga SPAK media të tilla, çdo ditë, ndërtojnë narrativën e një arrestimi politik të dhunëshëm dhe të pajustifikuar. Fakti që SPAK ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut pasi pretendon se ai me pushtetitn e tij ka ndikuar në procesin e hetimit duke intimiduar agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) nuk figuron aspak në këto media. (shiko ketu)
Aty vetëm vihet në dyshim një drejtësi që arreston një kryebashkiak punëtor dhe të pafajëshëm ndërkohë që lë të lirë dhe nuk heton Berishën dhe 21 janarin e tij. Edhe pse është po e njëjta drejtësi që dje e arrestoi Berishën dhe sot e ka akuzuar dhe po e gjykon për korrupsion. Sipas kësaj llogjike SPAK është i pavarur dhe jo politik vetëm kur formulon akuzat që kënaqin mediat pro qeveritare.
Është i njëjti arësyetim që përdorin mediat anti-qeveritare për të cilat arrestimi i Veliajt është vlefshëm vetëm kur bëhet sipas akuzave të ngritura prej tyre mbi aferën e inceneratorit fantazëm të Tiranës. Çdo arrestim tjetër është i pavlefshëm sepse nuk tregon korrupsion e tij gjigand.

Ndaj sipas këtyre mediave arrestimi i Veliajt tregoi edhe një herë se SPAK dhe drejtësia e re janë në shërbim të Ramës sepse kryebashkiaku u arrestua për blerjen e ca të brendëshmeve dhe jo për shkeljet madhore që ka bërë në tendera. Është një dosje shumë e dobët deklarojnë anti-ramistët anti-spakist.
Është habi të shohësh se si mediat anti-Rama i bëjnë jehonë llogjikës qeveritare që e minimizon hetimin e SPAK dhe faktet që ai ka prodhuar, duke e reduktuar atë në blerejen e disa të brendëshmeve. Të mësuar me denoncime të abuzimeve prej qindra miliona eurosh, siç ishte rasti i inceneratorëve, këtyre gazetarëve akuzat për ngritjen e një skeme korruptive me një, dy apo tre milion euro u duken qesharake.
Edhe pse në rastin e aferës së inceneratorëve mund të vërtetosh një shpërdorim detyre por nuk është po aq e lehtë të identifikosh apo vërtetosh përfitime financiare direkte nga ana e kryebashkiakut. Dhe natyrisht një institucion me burime njerëzore dhe financiare tejet të kufizuara nuk mund të përqendrohet në afera të cilat ndoshta nuk i zbardh dot.
Por fushata politike anti-SPAK nuk ka lidhje me zbardhjen e të vërtetës, dhe aq më pak me përmirësimin e drejtësisë së re, por me delegjitimimin e saj. Ky delegjitimim bëhet herë për ti shërbyer pushtetit të Ramës, herë në funksion të hallit të Berishës dhe herë në funksion të egove mediatike që kanë më të drejtë se faktet. Dhe ky është lajmi ikeq.
Lajmi i mirë është se arrestimi i Veliajt përveç gazetarëve që bëjnë politikë ka nxjerrë në pah edhe një numër gazetaresh dhe gazetarësh që prodhojnë gazetari. Janë këto të fundit që kanë zbardhur me objektivitet dhe transparencë dosjen e SPAK dhe hetimin e saj të hollësishëm në rastin e kryebashiakut Veliaj./ Lapsi.al

Artikulli paraprakPse e tremb kryeministrin prania e SPAK-ut në zgjedhje?
Artikulli tjetërZgjedhjet në Gjermani, me rëndësi për Evropën! Analiza e DW: Kandidati me shanse më të mëdha për kancelar, Friedrich Merz! Ja qasja e tij ndaj Ballkanit dhe e veçanta e Bundestagut të ri