Nga Inteligjenca Financiare tek bankat, strategjia e SPAK për zgjedhjet; kush do jetë në shënjestër?

Në strategjinë e SPAK për të luftuar fenomenin e manipulimit zgjedhor apo krimeve zgjedhore theksi vihet te identifikimi dhe parandalimi i ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe subjekteve private në procesin zgjedhor për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor për Kuvendin 2025.

Dhe për të realizuar këtë janë ngritur grupet hetimore në terren që do të monitorojnë në kohë reale situatat për të cilat mund të ketë indicie për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025.

Në shënjestrën e SPAK do të jenë jo vetëm i subjekteve të posaçme apo individëve të përfshirë në korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje, por dhe i grupeve të strukturuara kriminale të cilat dyshohen se ndikojnë në zgjedhje.

Sa i takon ndërhyrjes së grupeve kriminale, në strategjinë e SPAK, theksohet se grupet kriminale, për interesat e tyre të paligjshme shpesh ndërhyjnë në procesin zgjedhor përmes kërcënimeve, manipulimeve financiare, korrupsionit të zyrtarëve zgjedhorë, etj.

“Përballja me këtë fenomen kërkon një reagim të koordinuar mes SPAK, Policisë së Shtetit, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve ndërkombëtarë për të identifikuar dhe neutralizuar çdo përpjekje të grupeve kriminale për të ndikuar në zgjedhje”, thekson SPAK.

Gjithashtu SPAK do të monitorojë dhe kalojë në lupë përdorimin e buxhetit, investimeve dhe infrastrukturës publike, të cilat nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.

Dhe natyrisht vëmendja më e madhe do të jetë në zonat ku janë shfaqur më parë raste të veprave penale në kuadër të zgjedhjeve dhe përqendrimi i burimeve hetimore në to. Në këto kushte referuar edhe zgjedhjeve të mëparshme duket se në lupën e prokurorëve të SPAK dhe BKH do të jenë qarqet Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër, Fier dhe natyrisht Tirana. Burime bëjnë të ditur se në këto 6 qarqe, të cilat bashkarisht prodhojnë mbi 50% të mandateve të deputetëve të Kuvendit, do të ketë një vëmendje të përqëndruar dhe të detajuar, qoftë sa i takon përdorimit të fondeve shtetërore, ashtu edhe angazhimit të biznesmenëve apo grupeve kriminale që kanë ndikim në zonat ku veprojnë.

Strategjia ka të përcaktuar gjithashtu fazat e vëzhgimit në terren që nisin në mars dhe zgjasin deri në maj.

Faza e Vëzhgimit (mars-maj 2025)

• Verifikimi në terren i indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

• Verifikim i raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike, gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.

• Monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale për indiciet e mundshme për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.

• Intensifikimi i bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese, AIF, sektorin bankar dhe atë financiar.

Të gjitha ekipet hetimore do të kenë një strukturë qendrore e ngjashme me ‘bërthamat’ që do të bëjnë koordinimin e informacioneve që pritet të merren jo vetëm nga institucionet ligjzbatuese, nga inteligjenca apo sistemi bankar, por edhe nga denoncimet apo ‘bilbilfryrësit’.

Infrastruktura hetimore Struktura Qendrore

• Koordinon punën në nivel qendror të të gjithë grupeve hetimore në terren dhe stafit mbështetës të angazhuar në hetimin e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, gjatë periudhës zgjedhore.

• Bashkëpunon më institucionet e tjera publike, përfshirë organet e zbatimit të ligjit, organizatat ndërkombëtare, dhe organizatat e shoqërisë civile, për të siguruar një qasje të unifikuar në monitorimin e kryerjes së veprave penale që cënojnë integritetin zgjedhor.

• Koordinon dhe lehtëson shkëmbimin e informacionit dhe burimeve sipas ndarjes së grupeve hetimore në terren.

• Ndihmon në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore për monitorimin e indicieve ose vepra penale në kuadër zgjedhjeve

Artikulli paraprakE ardhmja e tregut të punës: Ku janë punët më të paguara në Evropë?
Artikulli tjetërBIRN: Banorët e prekur nga tërmeti i mbajnë shpresat te fushata elektorale